E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët shqetësohen për privatësinë e tyre

25/03/2010 Vetë Kuvendi nuk respekton ligjin

Të shqetësuar edhe për atë pak privatësi që mund të kenë si persona publikë, deputetët në komisionin parlamentar të Ligjeve kanë kërkuar nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave të vendosë në mënyrë urgjente rregulla për mbrojtjen e të dhënave personale. Gjithashtu, ata i kërkuan këtij institucioni përmes një rezolute kontrollin e rreptë të zbatimit të këtyre rregullave dhe marrjen e masave për dhënien fund tipologjive të kundërligjshme. Por Komisioneri Flora Çabej, pas prezantimit të punës njëvjeçare të institucionit që drejton, mbështeti kërkesën e deputetëve për hartimin e një udhëzuesi që të japë qartë limitet se deri ku mund të ndërhyhet dhe deri ku mund të shkelin subjekte të caktuara private apo shtetërore parimin e ruajtjes së privatësisë. Ajo nuk ngurroi të kujtonte të pranishmit se ishte pikërisht institucioni i tyre që nuk e kishte respektuar ligjin, ashtu siç po e kërkonte atë nga institucionet e tjera. “Shqetësimi është i drejtë, prandaj ne kemi nxjerrë udhëzimet për video survejancën. Udhëzim për të gjithë kontrolluesit publik dhe privat, dhe për ju që keni vendosur sistem kamerash. Edhe Kuvendi duhet të vijë të njoftojë te ne për të dhënat personale që ai përpunon dhe nuk e ka bërë”, tha Çabej. Ajo u kujtoi gjithashtu atyre se personat publikë e kanë privatësinë të limituar. Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale siguroi se po punohet që rregullorja e hartuar nga institucioni i saj të vendosë atë balancën mes së drejtës së informimit dhe privatësisë së personit.

Rezoluta

Kuvendi i Shqipërisë mbështet dhe vlerëson punën dhe veprimtarinë e Komisionerit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale;

Gjatë vitit 2009, Komisioneri ka identifikuar 290 subjekte private kontrolluese të të dhënave personale, nga të cilat vetëm 37 prej tyre kanë kryer njoftimin sipas ligjit;

Nxit Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për një angazhim më intensiv dhe më të efektshëm të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë.

Nxit Komisionerin për një fushatë intensive të denoncimit publik të të gjitha tipologjive të kundërligjshme dhe të informimit konkret rreth masave që do të ndërmerren nga komisioneri për dhënien fund të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›