E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi i gazetarëve do të sanksionohet me ligj

25/03/2010 Kuvendi rishqyrton draftin për median dhe etikën e saj, sipas propozimeve të BE-së

Statusi i gazetarit, respektimi i privatësisë, i jetës së individit apo edhe i kategorive shoqërore si ajo e minoritarëve, janë disa nga parimet kryesore që së shpejti do të përfshihen në projektligjin për transmetimet me zë dhe figurë. Komisioni i Medias nisi dje shqyrtimin e këtij drafti të miratuar në legjislaturën e kaluar nga të dyja palët, por që nuk gjeti mbështetjen e grupeve të interesit. Ndërkohë që ky draft fillestar do të ndryshojë, duke përfshirë në të edhe këto parime të rekomanduar nga ndërkombëtarët. “Asnjë ligj tjetër nuk përmend statusin e gazetarit, të drejtat dhe detyrimet e tij, mbrojtjen ligjore apo edhe sanksionet që duhet të ushtrohen ndaj tij, në rast të shkeljes së lirive dhe të drejtave të individit, mënyrën e rregullimit të marrëdhënies së punës së tyre në bazë të një kontrate individuale apo kolektive të lidhur ndërmjet tyre dhe subjektit që i ka punësuar. Po ashtu, rastet e shkeljes në projekt parashikohen të zgjidhen me gjobë, por duhet të parashikohen edhe ankimime ndaj gjobave”, tha këshilltarja pranë Kryetares së Kuvendit, Diana Solis. Komisioni u njoh me rekomandimet në fjalë dhe pritet të nisë punën për përfshirjen e tyre në draftin e vjetër, duke marrë në këtë mënyrë edhe miratimin e opozitës, e cila për shkak të bojkotit nuk merr pjesë në punimet e Kuvendit. Kryetari i komisionit, Mark Marku, sqaroi gjatë një prononcimi për mediat pas mbledhjes se janë dy kategoritë e vërejtjeve nga BE dhe KiE: nene që mungojnë dhe që janë pjesë e rëndësishme e standardeve evropiane dhe korrigjimet për nenet aktuale. “Nenet që mungojnë praktikisht lidhen me statusin e gazetarëve të të gjitha mediave. Një prej problemeve që ka pasur legjislacioni shqiptar për mediat është se nuk ka pasur kurrfarë fuqie në rregullimin e statusit të gazetarit, pra ka qenë i papërfshirë në ligj. Statusi i gazetarit duhet të përfshihet në ligj, sipas legjislacionit evropian, duke respektuar specifikën e tregut të mediave. Pjesë tjetër është respektim i privatësisë, i jetës apo kategorive si ajo e minoritarëve në shoqëri, apo dhe detyrimin që kanë mediat për të pasqyruar veprimtaritë evropiane në Shqipëri”, sqaroi ai.

Fazat e shqyrtimit

Projekti është hartuar në mandatin 2005-2009, dhe është dërguar në institucionet evropiane, ku i është bërë një oponencë e fortë. Komisioni do t’i shqyrtojë nenet e ligjit duke reflektuar vërejtjet e ekspertëve ndërkombëtarë. Pas kësaj, ai do t’u kalojë sërish për gjykim ndërkombëtarëve.

Marku për opozitën

“Ne kemi pasur një takim me përfaqësues të institucioneve të BE-së dhe të KiE-së për këtë çështje, ku prezent ka qenë edhe opozita dhe në njëfarë mënyre ka pasur një sugjerim që ne të veprojmë, ku edhe opozita është e mirëpritur të përfshihet në diskutime”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›