E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benedikti XVI: Ndjekja e Jezusit në udhën e kryqit, dëshmi e një jete të pastër

Nuk është besimtar i vërtet kush thotë se ka fe por nuk i do vëllezërit në mënyrë konkrete dhe nuk e ndjek Jezusin në udhën e kryqit: kjo është përmbledhtas ajo çka Papa tha dje gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Kastel Gandolfo. Benedikti XVI ripohoi se Jezu Krishti Zot nuk ka ardhur për të mësuar ndonjë filozofi por udhën që çon në jetën e vërtetë. Duke komentuar leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele të 24-të gjatë vitit kishtar, Papa i ftoi besimtarët të përgjigjen në dy pyetje e çështje thelbësore: “Kush është për ty Jezusi i Nazaretit?”. E pastaj: “A shndërrohet e mishërohet Feja jote në vepra apo jo?”. Në pyetjen e parë Pjetri jep një përgjigje të qartë e të menjëhershme: “Ti je Krishti”, që do të thotë Mesia, i shuguruari i Hyjit i dërguar për shpëtimin e popullit të vet. “Pjetri e apostujt tjerë, pra - pohon Papa - në dallim me pjesë e madhe të njerëzve, besojnë se Jezusi nuk është një mësues i madh, apo një profet, por shumë më tepër. Ata kanë fe: besojnë se në Të është i pranishëm e vepron Hyji”: “Mirëpo menjëherë pas këtij rrëfimi të fesë, atëherë kur Jezusi për herë të parë paralajmëron publikisht se do ti duhet të vuajë shumë e do të vritet, vet Pjetri e kundërshton perspektivën e vuajtjes e të vdekjes. Atëherë Jezusi detyrohet ta qortoi me forcë, për ta ndihmuar atë të kuptoi se nuk mjafton të besosh se Ai është Zot, por të nxitur nga dashuria duhet ta ndjekim rrugës së tij, rrugës së kryqit (krh Mk8,31-33). Jezusi nuk ka ardhur për të na mësuar ndonjë filozofi, por për të na treguar udhën, atë udhë që na udhëheq drejt jetës”. “Kjo udhë - shtoi Papa - është dashuria, e cila është shprehje e fesë së vërtetë në Zotin”: “Nëse ndokush e do të afërmin me zemër të pastër e me bujari, do të thotë se e njeh më të vërtetë Zotin. Nëse përkundrazi ndokush thotë se beson në Zotin, por nuk i do vëllezërit, nuk është besimtar i vërtet. Zoti nuk banon në të. Në leximin e dytë të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, Shën Jakobi pohon në mënyrë të qartë: “ Në qoftë se feja nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete” (Jak 2,17). Lidhur me këtë Papa citoi një shkrim të Shën Gjon Gojartit, njërit ndër Etërit e mëdhenj të Kishës, të cilin kalendari liturgjik na ftoi ta përkujtonim pikërisht dje më 13 shtator: “Pikërisht duke komentuar pjesën e cituar të Letrës së Jakobit apostull, shkruan Shën Gjon Gojarti: ‘Ndokush edhe mund ta ketë fenë e drejtë në Atin e në të Birin, kështu edhe në Shpirtin Shenjt, por nëse nuk e ka edhe udhën e drejtë, feja e tij nuk do t’i shërbejë për shpëtim. Prandaj kur lexojmë në Ungjill: “Kjo është jeta e pasosur: që të njohin ty, Një të vetmin Hyjin e vërtetë” (Gjn 17,3), mos mendo se ky varg ungjillor mjafton për të na shpëtuar: është e domosdoshme që jeta dhe veprat të jenë krejtësisht të pastërta” (cit.in. J.A. Cramer, Catenae graecorum Patrum in N.I., vol. VIII: In Epist. Cath. Et Apos., Oxford 1844). E në mbarim të Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se sot Kisha kremton festën e Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë e nesër festën e Zojës së Dhimbshme.
Kryqi i Krishtit është dritë që shndrit qiellin e tokën/“Për ne, Krishti u bë i dëgjueshëm deri në vdekje. E në vdekjen e Kryqit” - kështu shkruan Shën Pali. Posa kemi përfunduar Jubileun e dymijëvjetorit të lindjes së Apostullit të popujve, të dëgjojmë përsëri disa nga fjalët bindëse e të flakta të Shën Palit mbi misterin e vdekjes së Krishtit mbi Kryq, atë Kryq të Shenjtë që e kremtojmë edhe sot me kalendar kishtar. Askush më mirë se Apostulli i Popujve, Shën Pali nuk mund të na ndihmojë ta kuptojmë thellësisht Kryqin e Krishtit. Në Letrën drejtuar Korintianëve, Pali shkruan: “Ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, për hebrenj shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit – si për hebrenj ashtu për grekë – fuqi e Hyjit e dije e Hyjit (1 Kor 1,22-24). Vdekja e Krishtit ka vlerë universale: “Një vdiq për të gjithë e, prandaj të gjithë vdiqën” (2 Kor 5,14). Vdekja e tij i dha kuptim të ri vdekjes së çdo burri e të çdo gruaje. Para syve të Palit Kryqi ka përmasa kozmike. I mbërthyer mbi të, Krishti shembi muret që i ndajnë njerëzit e kombet, i pajtoi ata me Hyjin Atë e me të afërmin, duke shkatërruar çdo lloj armiqësie (cf Ef. 2,14-16). Prej këndej tradita e lashtë e shikon Kryqin si dru kozmik, i cili me krahun vertikal bashkon qiellin me tokën e me krahun horizontal, pajton mbarë popujt e botës. Ngjarje kozmike, e njëkohësisht tejet personale, sepse thotë Pali, Krishti: “Më deshi e flijoi jetën për mua”(Gal 2,20). Çdo njeri, shkruan Apostulli, është ai ‘për të cilin Krishti vdiq” (Rom 14,15). Prej këndej, Kryqi i Krishtit nuk duhet parë si ndëshkim, as si shkandull, por si lavdi e krenari për çdo të krishterë, sepse përmes tij njeriu lartohet në fe e, njëzëri me Shën Palin, mund të thotë: “Sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveçse me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit” (Gal 6,14). Prandaj Pali e vendosi, madje e nguli Kryqin në qendër të Kishës, si ngulet direku kryesor në qendër të anijes. Kujtojmë se kur Shën Pali shkruante kështu, kryqi ishte sinonim me turpin më të madh, ishte fjalë që nuk duhej as të përmendej, sepse shkaktonte shkandull e shikohej si ndëshkimi më i rëndë që mund të pësonte një njeri. Më vonë Shën Agostini do të theksonte: “Tani Kryqi i Krishtit mbushi përplot botën e shkëlqen mbi kurorën e mbretërve”. Unë besoj se Krishti e mbështetur tërë dashurinë e tij, tërë dhuratën e tij, tërë aftësinë e tij të dhurimit mbi Kryq. E çdo i krishterë është i thirrur ta zbulojë këtë mister, këtë ngadhënjim të Krishtit që tërheq njerëzimin pranë vetes për tek Ati Qiellor. Shenja e Kryqit në një farë mënyre që është sinteza e fesë sonë të krishterë, sepse na thotë se sa shumë Zoti na ka dashur e na do: na thotë se, në botë, ekziston një dashuri më e fortë se vdekja, më e fortë se ligështitë tona e se mëkatet tona. “Kryqi i Krishtit, thotë Shën Gjon Damasheni, është çelësi i parajsës së qiellit”. Kryqi është drita që shndrit qiellin e tokën.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›