E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët socialistë solidarizohen me 11 deputetët e grevës së urisë

Nga L.Progni

Deputetët socialistë, Pandeli Majko, Bashkim Fino, Besnik Dervishi e Elmaz Sherifi, braktisën dje mbledhjen e Komisionit të Ligjeve në shenjë mbështetjeje ndaj 11 deputetëve të grevës së urisë. Ilir Rusmali, deputet i PD dhe drejtues i këtij komisioni, ka tentuar të paraqesë në komision një ligj, për të cilin ishte relator deputeti Spartak Braho i LSI, i cili ndodhej në grevë urie. Deputetët e PS kanë kërkuar që ky ligj të shtyhej, derisa Braho të ishte i pranishëm në komision. Rusmali është shprehur se kishte kontaktuar me Brahon dhe se i kishte dhënë lejen që të paraqiste ligjin në Komisionin e Ligjeve, por kjo është refuzuar nga deputetët socialistë. I pari ka reaguar deputeti Pandeli Majko, i cili është shprehur se duhet të pritej momenti që të kthehej Braho për të paraqitur ligjin dhe ka shtuar se zgjedhja e 11 deputetëve duhej respektuar, duke lënë kështu të kuptohej se solidarizohet me grevën e urisë.

“Na pëlqen apo nuk na pëlqen, juve dhe neve, duhet te kemi respekt për zgjedhjen e tyre”, - mësohet të jetë shprehur Majko në Komisionin e Ligjeve. Largimi nga Komisioni i Ligjeve jep kështu shenjat për një mbështetje të grevës së deputetëve të LSI dhe PDK nga deputetë të partive të tjera, kryesisht PS e PD. Vetë grevistët janë shprehur se kanë patur telefonata solidarizuese me grevën nga deputetë të dy partive, gjë e cila pritet, sipas tyre, të publikohet ditët në vazhdim me qëndrime publike të deputetëve.

Mbështetja që deputetët jashtë grevës mund të japin për 11 deputetët grevistë, i jep të tjera përmasa grevës së urisë, pasi kjo situatë mund të përcillet edhe tek elektorati i dy palëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në mbështetjen që dy partitë kanë në elektoratet përkatës. Kryetari i LSI, Ilir Meta, tha dje në një lidhje telefonike nga greva e urisë, se shumë deputetë të dy partive kishin shprehur solidaritet me grevën.

11 deputetë të tri partive politike, LSI, PDK e PS ’91, kanë hyrë në grevë urie në ora 19:00 të së hënës, për të protestuar ndaj Kodit Zgjedhor të hartuar me bashkëpunimin e dy partive kryesore, PS e PD. 11 deputetë protestojnë ndaj disa pikave në Kodin Zgjedhor, më kryesorja ajo që i përjashton këto parti nga prezenca e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe në komisionet e numërimit të votave. Për këtë çështje, përfaqësues të LSI jashtë grevës së urisë kanë vazhduar kontaktet me faktorin ndërkombëtar në Shqipëri, për t’i sensibilizuar rreth çështjes së Kodit Elektoral, ndërsa pritet që ditët në vazhdim të ketë reagime të përfaqësive diplomatike në Shqipëri për këtë çështje.

Burime pranë LSI thanë se dje pasdite, Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili, pati një takim në ambasadën italiane, ku është diskutuar rreth grevës së urisë. Ndërkohë që të gjitha ambasadat dhe institucionet e tjera ndërkombëtare janë informuar përmes një letre për aktin e grevës së urisë dhe arsyes që çoi që 11 deputetë të hynin në të.

Lohan: Duhet konsensus mes palëve

Greva e urisë së 11 deputetëve të LSI e PDK është komentuar nga ambasadori i Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan, i cili theksoi nevojën e konsensusit ndërmjet të gjitha forcave politike në Shqipëri në mënyrë që të pritej më pas një proces zgjedhor normal. I pyetur për grevën e urisë, ai tha dje se çështja e Kodit Elektoral është çështje besimi ose mosbesimi ndërmjet forcave politike në Shqipëri, por theksoi se, nëse ky besim do të ekzistonte ndërmjet forcave politike, do të kishte progres të jashtëzakonshëm. “Çështja e Kodit Elektoral është një çështje e besimit ose mungesës së besimit që mbretëron mes forcave politike në Shqipëri. Mendoj se do të kishte një progres të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, nëse do krijohej një klimë besimi mes të gjitha partive politike përpara zgjedhjeve parlamentare, në mënyrë që rezultatet e zgjedhjeve të jenë të pakontestuara”, - tha dje Lohan. Grevistët e urisë kanë paraqitur një letër pranë të gjitha ambasadave të huaja të akredituara në Shqipëri, nëpërmjet së cilës ata paraqesin arsyet e hyrjes së tyre në grevën e urisë.

Berisha: Greva është një çështje e brendshme e opozitës

Kryeministri, Sali Berisha, tha dje se greva e urisë është një çështje e brendshme e opozitës. Ai tha se ai është i kushtëzuar të negociojë me partinë kryesore të opozitës. “Kryeministri dhe mazhoranca në mënyrë shumë të prerë nuk do të hyjë në probleme të brendshme të opozitës. Pavarësisht nga respekti i përgjithshëm që ushqej për të gjithë opozitën, unë jam i detyruar, në çdo rrethanë, të negocioj, para së gjithash dhe i kushtëzuar, me partinë kryesore të opozitës, sepse ky është rregulli dhe kështu ka qenë edhe kur unë isha në opozitë. Unë respektoj mendimin e çdo njeriu, por personalisht negocioj dhe do të negocioj me partinë kryesore të opozitës. Unë nuk ndërhyj në problemet e tyre të brendshme”, - tha Berisha.

Meta: Berisha flet dhe në emër të PS

Zoti Meta, si është atmosfera në sallën ku ju jeni vendosur? Çfarë problemesh keni? Dimë se keni pasur probleme dhe me Gardën...

Problemet mendoj se kanë qenë të pakuptimta, por gjërat janë normalizuar në disa drejtime. Në orët e para të paradites ne nuk kishim mundësi të përdornim celularët tanë për të komunikuar me të afërmit apo me opinionin publik, për arsye sepse ishte instaluar një aparaturë përgjimi dhe njëkohësisht eliminimi të valëve për telefonat tanë celularë, aparaturë që u zbulua nga deputetët dhe është aktualisht këtu mes nesh. Për fat të keq më pas u instalua një aparaturë tjetër në një ambient tjetër të Kuvendit, dhe patëm një konfrontim me punonjësit e Gardës, që natyrisht nuk janë ata autorët e vërtetë të këtyre veprimeve krejt të pakuptimta, sepse nuk ka asnjë logjikë që të privohet komunikimi i të gjithë grevistëve me të gjithë opinionin publik, apo qoftë dhe për arsyet më të thjeshta shëndetësore që mund shfaqen rast pas rasti, nga momenti në moment. Megjithatë, për momentin situata paraqitet më normale. Ju e dini që paradite një ambulancë, e cila ishte nisur nga Ministria e Shëndetësisë për të bërë disa verifikime të dy kolegëve deputetë, nuk u lejua, por më pas pati një reflektim. Ne jemi të vendosur t’i qëndrojmë grevës deri në fund dhe jemi të vendosur të respektojmë të gjitha rregullat e një greve urie, sepse janë sakrifica në emër të një çështjeje shumë të madhe, e cila ka të bëjë me shenjtërimin të votës së gjithë shqiptarëve, e cila nuk duhet të preket më, në mënyrë që shqiptarët të mos vriten më nga korrupsioni në vendin e tyre, por të kenë një të ardhme të lumtur.

Keni pasur kontakte apo mbështetje nga përfaqësuesit ndërkombëtarë?

Ne jemi vazhdimisht në kontakte, si me faktorë politikë brenda vendit, dhe mund të them se kemi marrë shumë mesazhe solidariteti edhe nga përfaqësues të PS apo PD, dhe nga shumë faktorë të tjerë politikë në vend. Njëkohësisht, jemi në kontakt dhe me përfaqësues të diplomacinë perëndimore në Tiranë, apo jashtë vendit. Për momentin kaq mund të themi. Kuptohet se greva e urisë e ka sjellë edhe më tepër në vëmendjen e tyre shqetësimin për rrezikun e madh të manipulimit të zgjedhjeve vitin e ardhshëm, bazuar në kodin e regresit, PD-PS.

Zoti Meta, sot ka pasur reagime nga kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit dhe presidenti Topi, ndërkohë që s’kemi asnjë reagim nga PS...

Nuk ka pasur reagim nga Partia Socialiste, sepse duhet të kuptoni se Berisha ka kohë që nuk flet vetëm në emër të Partisë Demokratike, por flet dhe në emër të Partisë Socialiste. Dhe jo vetëm kaq, por e përdor Partinë Socialiste dhe për të fshehur, shpeshherë, synimet e tij të vërteta. Ndaj dhe prononcimi i tij sot se ai ka si partner kryesor Partinë Socialiste, nuk është gjë tjetër veçse përfundimisht rrëshqitje në krimin e prishjes së zgjedhjeve të Partisë Socialiste, pasi dihet që Berisha është një shkatërrues i njohur dhe i konfirmuar i zgjedhjeve në Shqipëri, që nga viti 1996. Por, dua të them se, çështja e zgjedhjeve nuk është një çështje që mund ta vendosë Berisha me Ramën, sepse zgjedhjet janë për të gjithë shqiptarët, sepse do të votojnë të gjithë shqiptarët dhe vota e tyre duhet të jetë e barabartë. Aq më tepër, kur dihet që në zgjedhjet e fundit të përgjithshme lokale, këto dy parti së bashku morën vetëm 43 për qind të votave. Pra, më pak sesa gjysmën e votave të qytetarëve shqiptarë. Ndaj, ata nuk mund t’i atribuojnë të drejta të tilla, të jashtëzakonshme vetes së tyre, që të marrin përsipër të gjithë administrimin e procesit të votimit dhe numërimit, pasi dihet se çfarë përfaqësojnë këto dy forca politike, dhe aq më tepër dy drejtuesit e tyre, të cilët kanë të njëjtin mentalitet dhe të njëjtën filozofi dhunuese ndaj demokracisë dhe ndaj votës, në partitë e tyre, por është e qartë tashmë edhe për rrezikun e madh që paraqesin për të gjithë shqiptarët.

A keni mundësi të ndiqni transmetimet televizive dhe si e shikoni përcjelljen që i bën media grevës suaj të urisë dhe protestës jashtë?

Kemi një aparat fare modest, duke shfrytëzuar një celular. Shpeshherë është si radio, pasi figura nuk duket mirë. Megjithatë, kemi mundësi që të ndjekim herëpashere dhe me vështirësi zhvillimet në vend. Besoj se media po e përcjell në mënyrë të ndryshme, në raport edhe me vetë pavarësinë që kanë këto media. Kështu që unë mendoj se jemi me fat që nuk jemi si në vitin ’97, kur kishte vetëm një televizion. Sot ka shumë të tillë dhe sado që të kapen televizione të caktuara, përsëri ka televizione të tjera që thonë të vërtetën. Në vijimësi do ju informojmë për ecurinë e mëtejshme të grevës së urisë së deputetëve...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›