Korrupsioni me pasojë vdekjen
Kryeministri, Sali Berisha, dje tha një gjë shumë të vërtetë, teksa fliste për tragjedinë e Gjirokastrës, ku humbën jetën tre persona dhe 30 familje mbetën të pastreha si pasojë e shembjes së një pallati. “Nuk ka gjë më të shëmtuar, kur ti si shtet shkel ligjin, bëhesh ilegal, ilegjitim me veprimet e tua dhe këtë gjë e bën në të gjitha rastet absolutisht vetëm kundrejt ryshfetit, babëzisë dhe gjobës”. Hapja e një grope ngjitur me të për ndërtimin e një godine tjetër, si pasojë e një lejeje të dyshimtë ndërtimi, vepër e një fenomeni korruptiv, do ishte fatale për ata qytetarë të pambrojtur, të pafuqishëm që thjesht ishin në hall të tyre. Ata mbetën pa strehë, ndërsa tre qytetarë të tjerë, mes tyre një fëmijë vetëm 12 vjeç mbetën nën rrënoja. Pra, dhe në këtë rast kemi të bëjmë me një korrupsion me pasojë vdekjen. Zbardhja e zinxhirit korruptiv me lejet e ndërtimit, jo vetëm në Gjirokastër, por në të gjithë Shqipërinë, do të parandalonte tragjedi ndoshta akoma më të mëdha. Kryeministri premtoi se ligji do të funksiononte deri në hallkën e fundit të këtij korrupsioni. Një protestë qytetare, nën organizimin e PD lokale, është paralajmëruar në këtë qytet kundër praktikave korruptive të bashkisë së këtij qyteti, kryetari i së cilës, në rast se ka pasur dijeni për këtë që ndodhi dhe nuk ka vepruar, duhet të përgjigjet para ligjit.
E megjithatë, duket se ka diçka që nuk shkon në deklaratat e kryeministrit, diçka bosh, që nuk të bind në devotshmërinë e tij për të vënë përballë ligjit ata që marrin ryshfet duke shfrytëzuar postin. Kryeministri u duk paksa i njëanshëm dhe i pabesueshëm në deklaratën e tij, pasi është paksa i vonuar në zbatimin e ligjit dhe në zbardhjen e një afere akoma më të madhe, akoma më të rëndë që do mbahet mend gjatë. Një rast i pastër se si pushteti shfrytëzohet për t’u pasuruar dhe se si merren në mbrojtje përgjegjësit e saj. Është fjala pikërisht për Gërdecin. Po e bëj këtë krahasim, sepse rasti është i ngjashëm, ndryshojnë vetëm përmasat e tragjedisë. Gërdeci ishte pakrahasueshmërisht më i rëndë, u vranë 27 persona, u plagosën 300 të tjerë dhe me mijëra objekte banimi dhe biznesi u shkatërruan. Kemi hyrë në muajin e nëntë dhe duket sikur ajo ngjarje kërkon të lihet pas dore. Dhe atëherë u kërkua zbardhja e ngjarjes, u nxorën me dhjetëra fakte që akuzonin ministrin e Mbrojtjes dhe persona të tjerë si të implikuar. Tentativave të prokurorisë për ta zbardhur këtë çështje, mazhoranca iu kundërvu me një ligj kërcënues. Mediat pranë qeverisë u munduan të denigronin prokurorinë në punën e saj, ta akuzonin si të “kapur”, dhe kërkesën për heqjen e imunitetit të Mediut si politike, megjithëse krateri i Gërdecit mbetet akoma i hapur. Ata që demaskonin apo kritikonin këtë korrupsion, u shpallën shpejt armiq të pushtetit. Megjithëse asokohe Berisha kishte në dorë të tregonte dhëmbët e ligjit, nuk e bëri. Preferoi të bënte të paditurin, preferoi të mohonte çdo dijeni që ai kishte për këtë ngjarje, megjithëse Delijorgji i kishte marrë peng shtetin, dhe u mor me kundërsulme dhe etiketime të pavlera ndaj atyre që s’kishin asnjë lloj përgjegjësie ndaj asaj që kish ndodhur. Dhe me këto veprime nuk bëri gjë tjetër vetëm se i dha zemër, jo vetëm të zgjedhurve prej tij, por edhe Flamur Bimeve të Gjirokastrës, apo dhe Flamurëve të tjerë që të abuzonin me pushtetin. Prandaj deklaratat e kryeministrit dje tingëllonin boshe dhe aspak bindëse. Në rastin e Gërdecit u arrestuan vetëm ryshfetdhënësit, por jo ryshfetmarrësit, megjithëse këta të fundit ishin zgjedhur në ato poste për të garantuar jetën dhe pronën e atyre qytetarëve që mbetën të vrarë nga ai shpërthim. Madje, jo vetëm kaq, por ryshfetmarrësit kishin angazhuar tërë administratën në krijimin e një legjislacioni që t’i hapte rrugën korrupsionit të tyre, që mori jetën e 27 personave. Kryeministri ka ende kohë që të bëhet i besueshëm. Fillimisht t’i dorëzojë ligjit personat fajtorë që ngritën Gërdecin, një nga ngjarjet më të dhimbshme të tranzicionit shqiptar, një histori të pastër korrupsioni, e cila rëndon jo vetëm te pushteti i sotëm, por dhe tek imazhi i vendit. Dhe paralel me to të vazhdojë dhe me korrupsionin e lejeve të ndërtimit, madje është i vonuar në këtë aspekt. T’i dërgojë para ligjit të gjithë, pasi për këtë është votuar në 2005. Për lejet e ndërtimit të Edi Ramës, për luftën kundër monopoleve, për korrupsion si ai i Gjirokastrës, dhe për të gjitha korrupsionet e tjera të të zgjedhurve lokalë dhe qendrorë. Por situata e kërkon që më së pari të zbardhë Gërdecin, tragjedi që është ende një plagë e pambyllur. Vetëm atëherë Berisha mund të rikthente sadopak besimin për votat e të gjithëve ne që mori në 2005.