Obama dhe triumfi i mendimit përparimtar
Zgjedhjet presidenciale përfunduan dhe populli amerikan dha verdiktin e tij duke zgjedhur midis dy kandidatëve cilësorë e dinjitozë që rrallë qenë parë në historinë e zgjedhjeve në këtë vend. Pas një fushate të gjatë e emocionuese, ku çdo zgjedhës qe i aftë të njihte deri në hollësi sfondin, pikëpamjet, karakterin, temperamentin e bagazhin e njohurive të secilit nga kandidatët, tani është koha që fituesi të vërë në jetë premtimet e tij për një Amerikë dhe një botë më të mirë. Zgjedhja e Barack Obamës ishte një fitore e madhe ndaj paragjykimeve raciale që edhe pse rrallë herë dolën haptazi, përsëri qenë ato që trazonin ujërat e ushqenin kundërshtimet. Shumë përkrahës u trembën nga efekti Bradli (quajtur kështu sipas kandidatit për guvernator të Kalifornisë në 1982, afro-amerikanit Tom Bradli, i cili megjithëse kryesonte 8% sondazhet deri në fund të garës, humbi ndaj kundërshtarit të tij), duke menduar se sondazhet nuk pasqyrojnë ndjenjën e sinqertë të votuesit, aq më tepër kur kjo ka të bëjë me paragjykimin racial.
Por nuk ndodhi kështu. Efekti i mesazhit që Obama përcolli gjatë fushatës së tij të jashtëzakonshme ishte shumë më i madh se efekti ‘Bradli’ apo efekte të tjera. Të bën përshtypje se ky mesazh u përkrah e gjeti mbështetje tek inteligjenca më brilante e SHBA, tek akademikët e shkencëtarët, te gazetarët e shkrimtarët, tek artistët e studentët. Universitetet e qendrat intelektuale qenë pikat ku ai fitoi më shumë vota e siguroi fitoren në tërësi të shteteve të SHBA. Asnjëherë rinia nuk ka dashur e përkrahur kaq shumë në këtë vend një kandidat për president. Të rinjtë u bënë promotori i fushatës së tij dhe një faktor i fuqishëm që i siguroi atij fitoren. E kthyer mbrapsht në SHBA, jehona pozitive e ideve të tij mbi politikën e jashtme, e largpamësisë, përmbajtjes, qasjes demokratike e prej të barabarti e Barack Obamës në botë, e rriti gjithashtu staturën e tij prej shtetari e udhëheqësi të vendit më të fuqishëm të botës. Ai pati gjithashtu kundërshtarët e tij në SHBA e në botë, kundërshtarë jo vetëm për hatër të ngjyrës së tij, po për hatër të orientimit të tij ndaj politikave më të majta dhe të një politike të jashtme më pak agresive, me përdorim më të madh të diplomacisë e më pak të imponimit të forcës. Kjo është e natyrshme dhe kundërshtarë të tillë janë shpeshherë dinjitozë e të respektueshëm. Kurse ata që qenë kundër tij, sepse ai nuk ishte si ta, pra i bardhë, janë për të ardhur keq e mbeten mjeranë në bisht të historisë njerëzore.
ǒndodhi me shqiptarët në këtë proces? Pati donkishotë që iu bënë thirrje publike shqiptarëve për të mos votuar për Obamën, sepse gjoja ai nuk dashka Shqipërinë e Kosovën, por dashka më shumë Serbinë. Natën e fitores së bujshme të Obamës, unë shikoja me sytë e mendjes shkumën e zemërimit në qoshet e buzëve të këtyre borizanëve qesharakë. Shqipëria e Kosova janë aleatë të ngushtë të SHBA, pavarësisht nga presidentët që vijnë e ikin në Amerikë. Shqiptarët kujtojnë se ndërrimi i presidentëve në SHBA është si ndërrimi i qeverive në Shqipëri, kur ndërrohen të gjitha politikat (me përjashtim të atyre që s’i ndërrojnë dot, se i detyrojnë të tjerë) dhe stafet qeveritare. Po kjo nuk është kështu. Obama jo vetëm që nuk do, por as nuk mundet edhe sikur të donte, ta kthejë SHBA nga kursi i zakonshëm i saj si përçuese e demokracisë dhe e lirisë së të drejtave të njeriut në botë, ta bëjë atë “socialiste” apo “antishqiptare”. Ishte Bill Klinton i Partisë Demokratike të SHBA presidenti që bombardoi Serbinë dhe ishte Xhorxh W. Bush, i Partisë Republikane të SHBA, presidenti që ndikoi më shumë se kushdo në pavarësinë e Kosovës e futjen e Shqipërisë në NATO.
Pra, meraku i këtyre borizanëve, NOBAMA, nuk ishte se vinin re te ky president i ri ndonjë politikë antishqiptare. Meraku i tyre ishte se ai është me atë ngjyrë që është, por këtë ata nuk e thonë dot haptas, se kanë frikë se i quajnë racistë. Më tej akoma, ata nuk pëlqejnë tolerancën e tij, përmbajtjen, tendencën për mospërdorimin e forcës. Më thoshte një i njohur se kishte ardhur këtu në SHBA që Amerika t’iu mbante grushtin te koka cilitdo vendi të botës. Nuk i kam sjellë fëmijët këtu që ta shoh Amerikën të barabartë me cilindo vend të botës, thoshte ky simpatizant i dorës së fortë, prindërit e të cilit, si shumë të tjerë (falur qofshin ata), nuk guxuan as të pëshpëritnin nën diktaturën hoxhiste.
Ishte ky miku im dhe të tjerë si ai që votuan kundër Obamës. Ata qenë gati të mbronin edhe gafat më të pafalshme që vinin nga mungesa e dijes dhe koeficienti i ulët i inteligjencës që vinin re te një sërë kundërshtarësh të Obamës dhe të theksonin e të bënin tra çdo qime që qëmtonin në jetën e biografinë e tij. Obama do ta lyejë Shtëpinë e Bardhë me bojë të zezë, qeshnin hidhur nën zë shumë shqiptarë, që kur e do puna, mburren se nuk janë fare racistë.
Por edhe bota intelektuale shqiptare nuk u orientua dot nga intelektualët e SHBA për të bërë zgjedhjen e saj. Shumë njerëz të mençur në Shqipëri flisnin për Obamën me thashethemet e shtypit, si një mysliman, përqeshnin origjinën e racën e tij dhe harruan të thellohen në ato që thoshte e shkruante ai. Ore, nuk gjetët ndonjë burrë më te mirë ju aty në Amerikë? ishte shprehja si me shaka e mendimtarëve sqimatarë shqiptarë. Sipas kolumnistit të së dielave të gazetës “Panorama”, Edmond Tupja, për fitoren e Obamës në Tiranë u gëzuan vetëm banorët e Brrakës (apo Bërrakës, siç i thotë frëngologu i njohur humorist). Po ta marrim për të vërtetë këtë pohim të mikut të Aqif Qifës, zotit Tupja, kjo nuk do t’i nderonte shumë intelektualët pompozë të këtij qyteti.
Megjithatë, pati në shtyp mendime të mençura e plot kurajë kundër ndërhyrjeve të vjetruara nga Shqipëria apo jashtë saj për t’i bërë thirrje diasporës shqiptare në SHBA që të votonte kundër Obamës. Dhe këto qenë kryesisht nga të rinj që studiojnë në SHBA e që e ndjejnë veten të lirë nga paragjykimet raciste, kolektiviste e megalomaniste.
Tani gjithçka është e qartë. Nuk është se me ardhjen e Obamës ka ardhur Mesia i botës. Nuk është se kriza financiare botërore do të shuhet menjëherë dhe të gjitha ekonomitë do të lulëzojnë. Nuk është se në botë nuk do të ketë më luftëra e konflikte dhe se planeti do të shpëtojë njëherë e mirë nga ndotjet që po e helmojnë. Jo. Por me një Amerikë më vizionare e me një njeri të mençur e të ditur në krye të saj, bota do ta ketë më të lehtë të lëvizë në udhën e saj të demokracisë e përparimit.