FMN: Qeveria të marrë masa, rritja ekonomike vitin që vjen, 2 herë më e ulët
Ekonomia shqiptare do të përballet me rënie të investimeve, ulje të dërgesave të emigrantëve, ndërkohë që të ardhurat nga tatimet, nga doganat kanë nisur të bien. Fondi Monetar Ndërkombëtar bëri të ditur dje se qeverisë do t’i duhet të marrë masa shumë të kujdesshme, në mënyrë që gjatë vitit që vjen rritja ekonomike në vend të jetë 3,5-4 për qind dhe të mund të përballojë efektet e këqija të mësipërme, të cilat do të jenë kryesisht pasojë e klimës botërore ekonomike. Fondi Monetar Ndërkombëtar tha dje me shumë shqetësim se ekonomia jonë jo vetëm që nuk do të jetë 6 për qind vitin e ardhshëm, siç ka parashikuar ministri Bode në buxhetin e ri, por ajo ka shanse të kufizuara të jetë 3,5 deri në 4 për qind. Në rast se rritja ekonomike do të jetë në këta kufij, atëherë ajo do të cilësohet shumë e mirë dhe domethënëse, saktësoi shefi i misionit të FMN, Gerwin Bell. Pavarësisht pritshmërive të këqija, aktualisht ekonomia shqiptare ka një rritje të fortë dhe mund të kapë 6 për qind për këtë vit, tha dje FMN. Kjo do të thotë se të gjitha parashtrimet e deritanishme të ministrit shqiptar të Financave për një rritje ekonomike me dy shifra janë krejtësisht të rrejshme. Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar vuri në dukje faktin që inflacioni është ruajtur në kufijtë e parashikuar, por tha se të ardhurat kanë filluar të bien dhe kjo mund të kthehet në një problem të vërtetë për thellimin e deficitit. Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikoi politikat fiskale, duke thënë se në këtë moment politika fiskale ka një barrë veçanërisht të rëndë. Për vitin 2008, misioni këshillon një rishpërndarje të shpejtë të shpenzimeve për të siguruar që sektorëve prioritarë po i kushtohet rëndësia e nevojshme dhe njëkohësisht që deficiti të kufizohet në 5.2 për qind të PBB. Në të ardhmen, misioni rekomandon që të ruhet deficiti në vitin 2009 nën 4 për qind të PBB. Gjuha e përdorur nga Fondi Monetar dje ka qenë më e zymtë sesa asnjëherë tjetër dhe ka rrëzuar thuajse të gjitha trumbetimet për mrekulli ekonomike në Shqipëri. FMN tha se me një përkeqësim të mprehtë të perspektivës së rritjes ekonomike botërore, që tashmë ka filluar, është e rëndësishme që politikëbërësit shqiptarë të forcojnë më tej themelet ekonomike, duke nënkuptuar themele të dobëta të ekonomisë sonë. Natyrisht, qeveria nuk mund të ndikojë në ngjarjet e jashtme botërore, bëri me dije misioni i FMN, por mundet dhe duhet të ndërmarrë hapa shtesë për të rritur besimin në vend, pasi në klimën aktuale politikat është më mirë të jenë më të matura se ç’duhet. Përveç domosdoshmërisë makroekonomike, misioni rekomandoi që çdo ulje në normat e sigurimeve shoqërore, të presë një reformë të gjerë të pensioneve, që do të forconte lidhjen midis kontributeve dhe përfitimeve dhe do të jepte shtysa të rëndësishme për vetë-zbatim. Kjo do të ndihmonte luftën kundër informalitetit, tha FMN dhe do t’i lejonte autoritetet që të mbështeten më pak në rregulloret administrative penguese që aktualisht krijojnë hapësirat të konsiderueshme për interpretim dhe korrupsion. Pas përfundimit të programit të FMN, i nxisim autoritetet që të angazhohen për zbatimin e një rregulli fiskal të qartë për të ankoruar politikat buxhetore, si p.sh., një kufi të përshtatshëm për shpenzimet, deficitin ose borxhin publik.
Bode: Buxheti i vitit që vjen është realist, do kemi rritje me 6%
Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dje se viti 2008 do të respektojë parametrat e programuar sipas buxhetit suplementar, duke kundërshtuar rishpërndarjen shpenzimeve të kërkuar nga Fondi Monetar, në mënyrë që t’i kushtohej vëmendje sektorëve përparësore që nuk po ecin mirë. Ministri Bode përkrah përfaqësuesit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gerwin Bell dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, theksoi se rritja ekonomike do të jetë në parametrat e programuar prej 6 %. “Deficiti buxhetor do të mundësohet të shkojë në nivelet prej 5.2 % përmes një alokimi të shpenzimeve në sektorët prioritarë dhe që kanë avancuar programet e tyre dhe se ky vit po përgatit rezultatet që ne kemi programuar për vitin 2009”, -vijoi Bode. Duke e cilësuar programin për vitin 2009 “si realist”, ministri Bode shtoi se edhe për këtë vit rritja ekonomike të jetë në të njëjtët parametra dhe do të jetë rritja më e madhe në rajon.
“Ne kemi programuar një stabilitet fiskal për të mënjanuar efektet që mund të vinë nga kriza që tashmë ka përfshirë tregjet financiare ndërkombëtare, ndërsa ky program parashikon edhe uljen me 1 pikë përqindje të PBB për vitin 2009 krahasuar me këtë vi”, - u shpreh kreu i Financave publike, duke shtuar në të njëjtën kohë se po mundësojmë zhvillimin e instrumenteve të mjaftueshëm për të shërbyer deficitin, si mbështetje për investimet e mëdha publike që janë duke u zhvilluar. Zoti Bode nuk tha asgjë për rritjen ekonomike prej 3,5 % për vitin që vjen, por thjesht i quajti zhvillimet të mira dhe realiste, pavarësisht mungesës së realizimit. “Për vitin 2009 kemi programuar jo vetëm një rritje konservative të të ardhurave fiskale në buxhet, por edhe rezerva të mjaftueshme për të mundësuar çdo eveniment të ekonomisë”, - nënvizoi ministri.
Sipas tij, rreth 2 % e PBB është lënë për kontigjencë, alokimi i të cilave do të bëhet në përputhje me ecurinë fiskale të viti 2009, ndërsa do të jenë kontigjenca të paalokuara gjithashtu si element të garancisë së ekzekutimit të buxhetit të viti 2009”.