Mbeten 10 deputetë në grevën e urisë
Greva e urisë e 11 deputetëve të LSI, PDK e PS91 hyn sot në ditën e tretë të saj, ndërsa dy partitë kryesore PS e PD, ndaj të cilave protestohet, nuk kanë asnjë reagim.
Deputetët e ngujuar në grevë urie, janë shprehur se përgjatë natës së parë të grevës ishin ndeshur me disa probleme jonormale në sallën e Kuvendit, siç ishte sipas tyre mosfunksionimi i sistemit të ngrohjes, pengesat që nëpërmjet disa aparaturave kanë shkaktuar në komunikimin me celular etj. Sipas kryetarit të LSI, Ilir Meta, i cili ndodhet në grevën e urisë, në sallën e seancave kuvendore ishte instaluar një aparaturë, e cila mundësonte bllokimin e sinjaleve për telefonat celularë, duke ndërprerë çdo komunikim jashtë grevës. Ky lajm konfirmohet nga grevistët, por edhe nga përfaqësues të partive të tyre që ndodhen jashtë oborrit të parlamentit. Ata thonë se sallës i është hequr sistemi i ngrohjes, është bllokuar interneti, ndërsa uji vjen me ndërprerje. Paraditen e djeshme zëdhënësi i kësaj greve, deputeti i LSI, Dritan Prifti, ka tentuar të hyjë në sallë për të pyetur se si ishte gjendja e grevistëve, por nuk është lejuar nga Garda. Më pas Jak Ndokaj, pjesëtar i grevës, deputet i PDK, ka dalë jashtë grevës për të mundësuar hyrjen e Priftit në sallën ku zhvillohet greva, dhe më pas Ndokaj nuk është lejuar të kthehet në grevë nga punonjësit e Gardës së Republikës.
Jashtë oborrit të Kuvendit, LRI dhe mbështetës të saj zhvilluan protesta për tri orë rresht për t'i rinisur sërish në orët e pasdites deri në orët e vona të mbrëmjes. Spartak Ngjela, Gilman Bakalli, Andrea Stefani, Fiqiri Xibri, Dritan Prifti, Luan Memushi, Erisa Xhixho etj., kanë mbajtur fjalime për orë të tëra para Kuvendit. Rreth orës 15.00 deputetët dhe përfaqësuesit e dy partive, LSI e PDK, njoftuan se në sallë ka pasur konfrontime deri edhe fizike mes grevistëve dhe Gardës. Sipas tyre, është instaluar sërish aparatura që bllokon valët e telefonit, ndërsa sipas Sekretarit të Përgjithshëm të LSI, Petrit Vasili, punonjësit e Gardës pas urdhrave të marra nga lart nuk i lejojnë më deputetët të lëvizin nëpër sallë. Ndërkohë që dje asnjë media nuk ka mundur të hyjë brenda për të filmuar apo parë situatën. Sipas fotove që kanë mbërritur të dalin nga greva mbrëmjen e dy ditëve më parë, grevistët duken të ulur në karrige.
Problemet e para shëndetësore
Autoambulanca e thirrur nga grevistët e urisë nuk është lejuar dje të hyjë në ambientet e Kuvendit, çka është bërë shkak për acarimin e mbështetësve të grevës së urisë, të mbledhur para godinës së Kuvendit paraditen e djeshme. Ambulanca është thirrur për shkak se dy prej deputetëve, Ymer Tola e Spartak Braho, kanë shfaqur problemet e para shëndetësore, që lidhem me luhatjen e tensionit. Kreu i LSI, Meta, është shprehur në një intervistë dhënë dje për mediat se ambulanca është lejuar të hyjë disa orë më vonë për të vizituar dy deputetët. Veç kësaj, disa nevoja të domosdoshme, të cilat nuk përbëjnë element të thyerjes së grevës së urisë, janë ndaluar dje në mënyrë të pakuptimtë nga punonjësit e Gardës së Republikës. Mungesa e herëpashershme e sinjalit telefonik, e internetit, e sistemit të ngrohjes apo edhe e ujit të pijshëm konsiderohen tërësisht të pajustifikueshme nga grevistët. Lidhur me çështjen e bllokimit të sinjalit telefonik, LSI ka paraqitur një padi penale ndaj Gardës, për vendosjen e aparatit që pengon lidhje telefonike të deputetëve grevistë.
Greva, kronologjia e ditës së djeshme
Ora 10.30
Si zëdhënës i grevës së urisë, deputeti i kësaj partie, Dritan Prifti, njofton se kushtet në sallë janë të rënda. Sipas informacioneve të fundit prej tij, nata e parë e grevës së urisë ka kaluar e mundimshme. Deputeti Prifti bën me dije se në sallë temperaturat e ambientit janë të ulëta, nuk ka ujë të rrjedhshëm, si dhe është fikur sistemi i ngrohjes në ambientet e parlamentit. Gjithashtu, sipas tij, Garda nuk lejon që në ambientet e sallës së Kuvendit të ndizen sistemet e ngrohjes.
Ora 11.00
Dritan Prifti nuk lejohet të hyjë sërish në grevë nga Garda e Republikës. Prifti deklaron se do të konsultohet me juristët e LSI, për një padi penale për drejtuesit më të lartë të Gardës për masat represive dhe shtetrrethimin për të mos lejuar komunikimin me deputetët në grevën e urisë. Vetë Prifti u përpoq disa herë të hynte në sallë, por është penguar nga punonjësit e Gardës.
Ora 12.00
Deputeti Spartak Ngjela, në një deklaratë të tij në media, u shpreh se vendi po hyn në krizë dhe për të vendosur të drejtën legjitime të mbrojtjes së votës së lirë, nuk ka rrugë tjetër përveç pushtimit të shesheve nga qytetarët. Ngjela theksoi se diktatura po dhunon dhe cenon votën e lirë, ndaj protesta duhet të shkojë deri në fund, pasi vota është e shenjtë. Analisti Artur Zheji shprehet se duhet të ndalet urgjentisht vjedhja e votës së lirë, pasi në këtë shesh, para parlamentit, është e gjithë Shqipëria.
Ora 13:40
Lëvizja Socialiste për Integrim depozitoi një kallëzim për fillimin e ndjekjes penale prokurorit të rrethit Tiranë, zotit Genc Xholi me objekt: Fillimin e ndjekjes penale të shtetasve Albert Kushti, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë dhe Ndre Prendi, Komandanti i Gardës së Republikës, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248, 250, 121 dhe 255 të Kodit Penal.
Ora 14.30
LSI njofton për tentativa të Gardës për të vendosur aparate zhurmuese për të bllokuar komunikimin. Deputetë në grevë të urisë në Kuvend, sipas saj, kanë zbuluar sërish punonjës të Gardës, të cilët mbajnë gjithë ditën të rrethuar deputetët, duke vendosur aparatura që të bëjnë të mundur shkëputjen totale të deputetëve me asaj që ndodh jashtë sallës së Kuvendit
Ora 15:00
Mjekët e urgjencës kanë hyrë vetëm pasdite brenda ambienteve të parlamentit për t’i ofruar shërbimin mjekësor deputetëve Spartak Braho dhe Ymer Tola, të cilët kanë pasur probleme me shëndetin. Deputeti i LSI, Braho, ka shfaqur shenja shqetësuese të luhatjes së tensionit edhe gjatë paradites, por punonjësit e Gardës nuk e kanë lejuar autoambulancën e urgjencës të hyjë në ambientet e Kuvendit.
Ora 17.00
Shumë qytetarë janë mbledhur sërish në sheshin para Kuvendit, në mbështetje të deputetëve në grevën e urisë. Ata kanë vazhduar të hedhin parulla në mbështetje të deputetëve, si dhe kanë kërkuar garantimin dhe mbrojtjen e votës së lirë. Mediat kanë vijuar të lidhen “live” me turmën e protestuesve, pasi asnjëra prej tyre, qoftë dhe një gazetar i vetëm, nuk lejohet të vizitojë grevistët
Ora 18.30
Dashamir Shehi, kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, u shpreh në mbështetje totale të deputetëve në grevë urie. Ai u shpreh se “sigurisht që kishte rrugë të tjera për sa i përket debatit dhe negocimit të këtij ligji, por unë gjykoj që për këtë ligj ia vlen të mbërrihet deri këtu e përtej kësaj. Këtu po cenohen interesat direkte të qytetarëve, të lirisë dhe demokracisë. Këtu po rrëzohen nga e para të gjithë ato principe, të cilat me zor i fituan në këto 18 vitet e fundit. Politika shqiptare sot po dominohet nga dy grupe interesash ekonomike, të cilat nuk marrin në konsideratë askënd tjetër, veçse rezultatin zgjedhor që është lidhur me administrimin e pushtetit. Gjykoj që kjo që kanë bërë këta deputetë është sinjali më i madh dhe është një nga faqet më të ndritura të politikës shqiptare. Këtu kemi bërë greva për lloj -lloj gjërash, por grevë për lirinë, për esencën e lirisë, për të drejtën e votës, për herë të parë po bëhet. Kjo është një shenjë shumë e rëndësishme.”
Ora 19.00
LSI ka bërë një kallëzim penal për shpifje për drejtuesit e Gardës së Republikës dhe TVSH. Akuza ka si objekt shpifjen dhe dezinformimin kundër deputetëve në grevë urie. Për kallëzimin penal është vënë në dijeni edhe presidenti Topi dhe kryeprokurorja, Ina Rama. Në edicionin e orës 16.00 TVSH dha një informacion të gënjeshtërt, sipas së cilit, “deputetët grevistë u përleshen me forcat e Gardës, pasi nuk u lejuan nga këta të fundit të fusnin ushqime në ambientet ku po zhvillohej greva e urisë”.