E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, secili përpiqet të lajë duart

Nga Mero Baze

Për shumë qytetarë shqiptarë kriza mes partive të vogla dhe dy partive kryesore është e paqartë. Në mendjen e tyre është ngulitur ideja, se dy partitë kryesore kanë prodhuar një sistem elektoral që nxjerr jashtë loje partitë e vogla. Kjo natyrisht kënaq shumë partizanë të skenës politike me dy parti. Por, në të vërtetë, ky sistem nuk ka këtë qëllim. Ky sistem nuk synon që në skenën politike të jetë vetëm PD dhe PS, por që skena politike të jetë plot me kryetarë partish, por që të diktohet nga PD dhe PS.

Kështu, pika më e dobët e këtij sistemi të propozuar, por për të cilën nuk po ankohen partitë e vogla dhe ata që kanë hyrë në grevë, është se sistemi privilegjon kryetarët e partive të vogla të konkurrojnë jo më në një zonë zgjedhore, pra në një qark, por në disa qarqe, derisa ata ta bëhen deputetë. Pra, ky është sistemi më privilegjues për kryetarët e partive fantazmë, dhe i vetmi sistem që na lë në skenën politike përjetësisht kryetarë pa parti. Por kushti që ata të jenë deputetë është që të jenë ose në koalicion me PD, ose me PS. Problemi që kanë partitë që kanë hyrë në grevë urie në Kuvend është se ato duan të konkurrojnë me vetë PD dhe PS. Dhe kuadri ligjor i përgatitur në formën e Kodit Elektoral, i penalizon në këtë pikë. Ata që janë futur në grevë urie mund të jenë të gjithë deputetë, nëse i bashkohen të majtës dhe të djathtës, por shumë pak prej tyre mund të jenë, nëse konkurrojnë të vetëm, ashtu siç dëshirojnë.

Problemet që prodhon Kodi për këto parti janë në disa drejtime. Së pari, kanë të bëjnë me mungesën në përfaqësimin në komisionet zgjedhore dhe mbi të gjitha me faktin se partitë e dyta të vogla majtas dhe djathtas mund të përfaqësohen në komisione vetëm me pëlqimin e PD dhe PS. Ajo që realisht është legjitime, është se LSI është realisht parti e tretë në vend dhe nuk përfaqësohet si parti e tretë në komisionet zgjedhore. Dhe për ta përjashtuar nga kjo e drejtë janë përdorur referenca formale te rezultatet e sistemit proporcional të vitit 2005, ku partitë e vogla u stimuluan përmes lehtësisë që krijonte sistemi i Dushkut. Argumentet e dy partive të mëdha janë parimore. Ata thonë se komisionet zgjedhore nuk kanë rëndësi, pasi struktura e numërimit të votave është grupi i numërimit dhe ai është i monitoruar me kamera dhe vëzhgues nga gjithë partitë që kanë të drejtë të kontestojnë rezultatin. Problemi, sipas tyre, qëndron në faktin se LSI dhe partitë e vogla kanë parasysh standardet e zgjedhjeve të shkuara dhe jo standardet e reja që po vendosen me kuadrin ligjor.

Zhvillimi i dytë i rëndësishëm është përpjekja e kryeministrit Berisha për të thelluar ndarjen mes LSI dhe PS. Në deklaratën e sotme në Shijak ai la të kuptohej qartë se kriza është problem i së majtës, pasi, sipas tij, ai kishte bërë marrëveshje me partinë kryesore dhe problemet mund të zgjidhen, nëse ata merren vesh me njëri- tjetrin. Kjo deklaratë natyrisht pritet të acarojë raportet e Berishës me Ramën, por të dyja palët janë të detyruara të ruajnë gjakftohtësinë deri të enjten e ardhshme, kur pritet të miratohet Kodi Elektoral. Berisha po bën përpjekje që të shkojë drejt miratimit të Kodit me një klimë të prishur përfundimtare mes PS dhe LSI si garanci për strategjinë e fushatës së tij zgjedhore.

Nga ana tjetër, reagimet ndërkombëtare po tentojnë t’u bëjnë thirrje dy partive të mëdha t’i bëjnë disa lëshime në adresë të atyre që po shkaktojnë krizë. Ambasadori Lohan iu referua sot rëndësisë që ka klima e besimit para zgjedhjeve, çka do të thotë një thirrje e kujdesshme për bisedime me partitë e vogla. Po ashtu, OSBE dhe ODIHIR, që janë vlerësues të kësaj klime, nuk janë ftuar ende të konsultohen me draftin e Kodit Zgjedhor dhe të japin vlerësimet e tyre. Dyshoj se qeveria do ta bëjë këtë deri të enjten. Dhe kjo do të jetë një alibi për ta, që nëse ndodh diçka me zgjedhjet, të thonë fjalinë aq vrastare për Shqipërinë, që zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme. Kështu, të gjitha palët po lajnë duart nga kriza, Berisha ia faturon të majtës, BE të dyjave, PS dhe PD, OSBE qeverisë e kështu me radhë. Pas kësaj, nëse zgjedhjet nuk plotësojnë standardet, nuk do të penalizohet vetëm qeveria, por, siç është paralajmëruar, Shqipëria do të bëjë shumë hapa pas ëndrrës së saj evropiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›