Vdes në minierën e kromit 35-vjeçari
• Një tjetër minator vdes në galeri, ndërsa nxirrte krom.BULQIZE/ ENVER DOÇIDje të afërmit dhe kolegët e një sektori minerar privat në rrethin e Bulqizës kanë përjetuar me dhimbje e lot humbjen e jetës së minatorit të nëntë brenda 14 muajve. Viktima e radhës është një 35-vjeçar, nga fshati Gjon i komunës së Martaneshit. Përparim Haslika, baba i tre fëmijëve ka mbyllur sytë në thellësitë e një galerie në zonën mineralmbajtëse të Theknës, ish-sektor minerar i minierës së kromit “11 Heronjtë e Batrrës” Krastë-Martanesh. Haslika punonte në sektorin minerar, pronë e Sul Kurtit e Hamdi Letit. Dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes tregojnë se minatori, si çdo ditë tjetër punonte për sigurimin e frontit të punës. “Po vendosnin disa traversa për të siguruar vendin e punës. Ishte ora rreth 09:30. Përparimi ishte pak më thellë nga ne të tjerët. Megjithëse frontin e punës e kishim kontrolluar disa herë, kemi shtangur kur një masiv i madh shkëmbor e përpiu, duke e zënë nën vete shokun tonë të punës. Ishim 5 veta në front dhe po avanconim në galeri për të gjetur mineral”, shprehet njëri prej minatorëve. Sipas tyre, thellësia e minierës ishte afro 350 metra linearë. Ata tregojnë se, jo vetëm u pikëlluan për humbjen e jetës së kolegut të punës, por nuk po arrinin ta nxirrnin shpejt trupin e tij nga masivi shkëmbor. “Ende kishim frikë se mund të kishim rrëshqitje gurësh dhe vendosëm të punonim me shpejtësi. Hoqëm fillimisht gurët e mëdhenj dhe pastaj dhe ato më të vegjël. Përparimi kishte ndërruar jetë, vetëm pak çaste pasi masivi i inerteve e kishte zënë poshtë”, tregojnë minatorët që i janë ndodhur pranë Përparim Haslikës. Rreth orës 13:30 trupi i pajetë i minatorit është dërguar në morgun e spitalit të qytetit të Bulqizës. Mjekët specialistë bënë autopsinë dhe konstatuan se, minatori kishte pësuar vdekjen e menjëhershme pas plagëve të marra dhe frakturave të shumta në kokë, krahë dhe gjymtyrët e poshtme. Pasdite, të afërmit dhe minatorët e tjerë të Martaneshit kanë marrë trupin e pajetë të Përparim Haslikës për ta dërguar në qytetin e Krastës, atje ku ai ishte vendosur me banim. Në minierën ku ndodhi ngjarja kanë udhëtuar specialistë të avari-shpëtimit dhe prokurorë të Dibrës për të kryer ekspertizën e ngjarjes tragjike. Pas vdekjes së Përparim Haslikës, numri i viktimave në minierat e Bulqizës shkon në nëntë. Numri i fëmijëve jetimë tani është 22.Plagosja e 47-vjeçaritPesë ditë më parë, një tjetër minator i Bulqizës mbeti nën masivin e gurëve të galerisë ku po punonte. Esat Dedja, 47 vjeç u plagos rëndë gjatë punës dhe tashmë ndodhet në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në gjendje kritike. Sipas kolegëve të tij, Dedja po siguronte kushtet teknike, por gjatë goditjes së një muri ai u shemb papritur mbi trupin e babait të 8 fëmijëve.