Asnjë gjurmë e helikopterit, s‘ka kërkime
• Ndërpritet operacioni i kërkim-shpëtimit për helikopterin që u dyshua se ishte rrëzuar në veri të Shqipërisë.Trazhgim SokolajAutoritetet ushtarake, policore dhe Emergjencat Civile shqiptare, vendosën dje në mbrëmje rreth orës 19:00, ndërprerjen e operacionit pa gjetur asnjë gjurmë të mjetit fluturues që u dyshua se ishte aksidentuar. Lajmi u konfirmua për gazetën “Panorama”, fillimisht nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare, Luan Hoxha. Dje rreth orës 19:10 ai bëri të ditur se ishte ndërprerë operacioni i kërkim-shpëtimit. “Nuk ka më asnjë shkak dhe asnjë sinjal për të vazhduar më tej kërkimet. Nuk është gjetur asnjë gjurmë”, konfirmoi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha. Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Alfred Olli, tha për gazetën se autoritetet shqiptare e kanë vlerësuar sinjalin SOS dhe kanë reaguar ndaj tij sipas procedurave ndërkombëtare. “Eshtë kontrolluar gjithë zona e dyshuar. Helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme kanë kryer vëzhgime të plota në zonë sipas standardeve ndërkombëtare. Operacioni është zhvilluar edhe në rrugë tokësore. Eshtë verifikuar gjithë sipërfaqja e zonës ku u dyshua dhe nuk është gjetur asnjë gjurmë”, u shpreh kreu i Emergjencave Civile Alfred Olli. Ai konfirmoi dje në mbrëmje se ishte vendosur ndërprerja e kërkimeve për mjetin fluturues që dyshohej të ishte aksidentuar ndërsa fluturonte në lartësi të ulët në veri të Shqipërisë, në zonën e Majës së Jezercës.MisteriMëngjesin e së martës, rreth orës 04:25, nga radarët italianë në Romë është marrë sinjali SOS për rrëzimin e një mjeti fluturues në koordinatat 49 gradë, 21 minuta e 04 sekonda. Koordinatat binin në hapësirën ajrore shqiptare, ndërsa në fakt, siç i treguan të martën gazetës “Panorama” burimet zyrtare, bëhej fjalë për një sinjal të stimuluar gjatë një stërvitjeje të Forcave Ajrore italiane të filluar tri ditë më parë. Sinjali SOS për rrëzim helikopteri është marrë seriozisht për shkak se banorë të zonës së Rragamit dhe më pas të Valbonës, në Tropojë, pretenduan se kishin dëgjuar një shpërthim të fortë në shpatet e Majës së Jezercës. Burime të policisë thanë dje se atje mund të ketë ndodhur ndonjë shembje e masiveve të malit për shkak të temperaturave të ulëta dhe kushteve të klimës së ashpër alpine. KërkimetMëngjesin e djeshëm forca të policisë dhe ushtrisë bashkë me banorë të zonës kanë vazhduar kërkimet në zonën e Tropojës për gjetjen e mjetit të dyshuar si helikopter. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ahmet Prençi konfirmoi dje në mesditë se Policia Kufitare në bashkëpunim me banorë të zonës po verifikonin shpatin e majës së Jezercës. Verifikimet kanë vazhduar në zonën e fshatrave Valbonë, Çerem, në Majën e Jezercës dhe në bjeshkën e quajtur Rrethi i Bardhë, rreth 2 orë e gjysmë larg fshatit të Valbonës. E gjithë zona edhe ditën e djeshme, është patrulluar nga helikopterë të policisë dhe ushtrisë shqiptare të cilët kanë vëzhguar me imtësi terrenin malor. Fluturimet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar deri vonë pas mesdite, kur kushtet e motit në Luginën e Valbonës në Alpe janë përkeqësuar. Fillimisht ka qenë mjegulla ajo që ka vështirësuar fluturimin e helikopterëve ndërsa pas orës 18:00 kanë filluar edhe reshjet e dëborës në lartësitë mbi 1000 metra. Në këtë kohë, helikopterët e ushtrisë dhe policisë shqiptare thuajse kishin përfunduar verifikimin e të gjithë zonës ku dyshohej se kishte rënë helikopteri për shkak të uljes së mundësisë së shikimit. Në disa prej zonave të thella malore, kanë kontrolluar duke ecur më këmbë forca të policisë dhe ushtrisë të shoqëruara edhe nga banorë të zonës. Në zonat më të afërta me vendin ku u dyshua se kishte rënë helikopteri, Ministria e Shëndetësisë kishte dërguar ambulanca me qëllim dhënien e ndihmës së shpejtë për viktimat e mundshme të aksidentit ajror.3 helikopteretë policisë dhe ushtrisë shqiptare kanë marrë pjesë në operacionin e kërkim shpëtimit të zhvilluar në veri të vendit2 ditezgjatën kërkimet e autoriteteve shqiptare nga ajri dhe në rrugë tokësore për helikopterin që u dyshua se ishte rrëzuarnë AlpeSinjali SOS që alarmoi ShqipërinëTIRANE – Mëngjesin e tri ditëve më parë rreth orës 04:25, Qendra e Monitorimit të Hapësirës Ajrore në Romë ka kapur sinjalin SOS për rrëzim avioni. Mjeti fluturues në gjurmën e fundit që ka la në radar ndodhej në koordinatat 49 gradë, 21 minuta, 04 sekonda. Sapo ka përthithur sinjalin SOS, qendra e Romës e ka përcjellë atë në të gjitha pikat aeroportuale të Ballkanit. Një prej këtyre ka qenë edhe Tirana. Mëngjesin e së martës, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, policia dhe Forcat e Armatosura ishin alarmuar nga sinjali, por para se të fillonin operacionin kërkohej një konfirmim i dytë, sipas procedurës ndërkombëtare. Nuk ka vonuar shumë dhe një konfirmim i tillë mbërriti nga banorë të komunës Rragam në Tropojë. Ata pretenduan se kishin dëgjuar një shpërthim në faqet e Majës së Jezercës. Edhe banorë të fshatit Valbonë patën pretendime të tilla ç’ka detyroi policinë dhe Forcat e Armatosura të fillojnë operacionin e kërkim shpëtimit. Në fakt gjithçka ka qenë një improvizim për rrëzim avioni, gjatë stërvitjes së Forcave Ajrore italiane. Sipas konventave ndërkombëtare, sinjali SOS edhe në këtë rast, transmetohet nga qendra SAR e kërkim-shpëtimit në det, sikur të ishte situatë e vërtetë. Policia: Në zonën ku banorët dëgjuan zhurmë, është rrëzuar masivi i malitTIRANE – Zhurma që kanë dëgjuar banorët e zonave pranë majës së Jezercës, e treta për nga lartësia në Shqipëri, duhet të ketë qenë ortek ose një masiv mali i shembur nga kushtet e ashpra të klimës në Alpet e Shqipërisë. Kështu janë shprehur dje burime të policisë, të cilat thanë se asnjë gjurmë mjeti fluturues nuk është gjetur në Luginën e Valbonës dhe në majën e Jezercës. Në këto kushte, ndodhur përballë rrëfimeve të banorëve të zonës që pretendonin për një shpërthim dhe një zhurmë të fortë të ardhur nga mali, policia tha se gjithçka duhet të ketë qenë një shembje e masivit malor si pasojë e ngricave. Kreu i Emergjencave Civile nuk bëri komente rreth këtij versioni, por tha se Shqipëria e vlerësoi sinjalin SOS dhe e verifikoi atë sipas standardeve ndërkombëtare. Ndërkaq edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së shqiptare, Gjeneral Luan Hoxha, është shprehur dje se në të gjithë zonën e dyshuar, operacioni i kërkim shpëtimit nga ajri dhe nga toka nuk kishte gjetur asnjë gjurmë apo shenjë të mjetit fluturues. Sipas zyrtarit të lartë të Forcave të Armatosura, në përfundim të kontrollit në të gjithë zonën është urdhëruar ndërprerja e operacionit. t.s