Kukës, alarmi: Në Alpe u rrëzua një avion
• KUKES – Një avion i rrëzuar në alpe ka qenë alarmi i mbërritur mëngjesin e djeshëm në policinë e Kukësit. Me shpejtësi, drejtori i policisë dhe specialistë të tjerë janë nisur drejt Tropojës, për të verifikuar ngjarjen në terren. Bashkë me një ambulancë, mjetet e policisë janë ngjitur deri në pikën ku mund të depërtojnë makinat, në zonën e njohur si Rragam i Selcës. Ndërkohë 3 helikopterë nisën fluturimet mbi alpe, që nga lugina e Valbonës e deri në Theth. Ndonëse sipas burimeve në operacion kërkimet e kryera janë vetëm një pjesë e vogël nga e gjithë sipërfaqja e maleve në veri të vendit, kërkimet u ndërprenë si pasojë e mjegullës dhe të rrymave të ftohta ajrore që pengonin fluturimin. E vetmja mënyrë kërkimi është ajo nga ajri, pasi territori malor dhe i vështirë është i padepërtueshëm nga mjetet. j.h