Himarjotët padisin Bollanon për projektin e rrugës Dhërmi-Sarandë
Devijimi në praktik i projektit të parë të rrugës Dhërmi-Sarandë ka konfrontuar uniformat blu të Drejtorisë së Policisë së Vlorës dhe disa familje himarjote. Disa pjesëtarë të këtyre familjeve janë shoqëruar për disa orë në komisariat. Pas disa orësh të qëndrimit të tyre në komisariat, të katër qytetarët himarjot janë lënë të lirë. Menjëherë pasi kësaj, ata i janë drejtuar prokurorisë dhe kanë kërkuar ndjekje penale për kryetarin e Bashkisë së Himarës.Vasil Bollano. Kërkesa e tyre është bërë për shkak të ndryshimit të projektit të rrugës që ndryshe është prezantuar në fillim të punimeve dhe ndryshe po zbatohet praktikisht.
Ata nuk shprehen kundër ndërtimit të rrugës, por duan zbatimin e projektit të fillimit të punimeve. Duket i çuditshëm ky konfrontim po të mësosh se njëri prej katër personave që është shoqëruar dje në komisariatin e policisë, është ndërkohë edhe drejtues i shoqatës Omonia, kur kryetar i madh i kësaj shoqate është vetë kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Kështu, kryetarit të Bashkisë së Himarës i duhet të përballet me drejtësinë edhe njëherë tjetër, përveç ballafaqimit që është në përfundim për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe në rrugën Llogara-Qeparo. Gjithçka ka ndodhur kur forca të Komisariatit të Policisë së Himarës kanë shkuar në pronat e dy familjeve për të bërë të mundur vazhdimin e punimeve për zgjerimin e rrugës Himarë-Sarandë. Këto familje, me disa pjesëtarë por të përforcuara edhe nga banorë të tjerë të këtij qyteti kanë kërkuar prej uniformave blu të mos nxitohet në veprimet e tyre sepse projekti i parë nuk është ky që po zbatohet praktikisht. Sipas Kosta Andrucos, projekti është ndryshuar vetëm e vetëm të mos prishet një magazinë e madhe që është pronë e një të afërmi të Bollanos. Këtu nis rruga që do të rikonstruktohet dhe do të shkojë në plazhin e njohur të Potamit. Mirëpo uniformat blu që kanë marrë urdhër për të lejuar vazhdimin e punimeve, nuk kanë marrë parasysh protestën e këtyre banorëve dhe kanë bërë të mundur marrjen e katër prej tyre dhe çuarjen në komisariatin e policisë. Vetë drejtori i kësaj drejtorie, kryekomisar Vehbi Bushati shpjegon se është e vërtetë që janë shoqëruar në komisariatin e policisë katër shtetas nga Himara, por kjo është bërë pasi këta shtetas kanë kundërshtuar hapur uniformat blu për të zbatuar urdhrin.