Deputeti Balla viziton zonat e prekura nga tërmeti
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka zhvilluar dje një vizitë në zonat e prekura nga tërmeti i rënë disa ditë më parë. Balla ka vizituar disa fshatra të komunës Steblevë të rrethit të Librazhit, të cilat edhe ato mbeten të dëmtuara nga tërmeti. Kështu, në fshatin Sebisht të kësaj komune, dhjetëra familje vijojnë ta kalojnë natën në qiell të hapur, pasi shtëpitë e tyre kanë pësuar dëmtime të shumta. Balla ka qenë dje në këtë fshat, ku është takuar me banorët dhe është njohur nga afër me problemet dhe dëmet që ata kanë pësuar. Deputeti socialist i ka bërë thirrje qeverisë që të marrë masat e duhura dhe t’u gjendet pranë banorëve, të cilët po jetojnë në kushte të vështira. “Tërmeti ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, ndërsa numri i shtëpive të dëmtuara është i madh. Unë i bëj apel qeverisë që të mos e përdorë tërmetin si propagandë, pasi mes këtyre familjeve të prekura ka edhe prej atyre që kanë humbur edhe atë pak ushqim që kishin”, - ka thënë Balla. Kjo është vizita e dytë e përfaqësuesve socialistë në zonat e prekura nga tërmeti. Pak ditë më parë, kreu në detyrë i PS-së, Edi Rama, vizitoi komunën Gjoricë të rrethit të Dibrës, atje ku ishte edhe epiqendra e tërmetit.
13 Shtator 2009