Sarkozi, letër Berishës: “Franca do të mbështesë kandidaturën e Shqipërisë në BE”
Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi, i ka dërguar dje në letër urimi kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, me rastin e fitores në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe riemërimit të tij në detyrën e kryeministrit të Shqipërisë. Në letrën e tij Sarkozi e cilëson zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri si arritje të demokracisë në vend. Presidenti i Francës, në letrën dërguar Berishës, shkruan ndër të tjera se Franca do të mbështesë kandidaturën e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Madje Sarkozi ka theksuar se shumë shpejt Franca do t’i propozojë BE-së që të shqyrtojë kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. “Zhvillimi i zgjedhjeve legjislative përfaqëson një fitore të demokracisë. Franca do të bëjë çmos që të transmetojë shpejt në Komisionin Europian kandidaturën e vendit Tuaj”, - shkruan në mesazhin e urimit Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi, dërguar kryeministrit të Shqipërisë me rastin e riemërimit të tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. “Në emrin tim personal dhe në emër të Francës Ju dërgoj urimet e përzemërta dhe të sinqerta me rastin e emërimit Tuaj në krye të qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Përparimet e konstatuara në zhvillimin e zgjedhjeve legjislative përfaqësojnë një fitore të demokracisë. Unë e vlerësoj shumë madhësinë e përparimit të realizuar nga Shqipëria në rrugën e afrimit të saj europian dhe ju inkurajoj Ju të vazhdoni me reformat e ndërmarra. Franca do ju japë Ju të gjithë mbështetjen e saj. Ajo thekson vullnetin për të vepruar në këtë drejtim dhe për të mbështetur transmetimin e shpejtë të kandidaturës së vendit Tuaj në Komisionin Europian. Isha shumë i lumtur që Ju takova 24 prillin që kaloi dhe për t’Ju shprehur përkushtimin tim personal për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.
Unë dëshiroj që bashkërisht ne të punojmë për thellimin e tyre, në veçanti në fushën ekonomike”, - shkruan Sarkozi në letrën dërguar Berishës.
13 Shtator 2009