E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Nuk kam kohë të humbas me Ramën, LSI-ja, gati për qeverisje të suksesshme

Kreu i LSI-së: “Vendimi për bashkëqeverisjen me PD-në ishte më i drejti dhe më i maturi”. Meta: “LSI-ja do të arrijë rezultat shumë pozitiv në zgjedhjet lokale të vitit 2011”

Shaban Sulçe

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar dje një takim me anëtarët e Kryesisë dhe krerët e LSI-së në rrethe. Duke folur për aktualitetin politik, Meta e ka quajtur vendimin e LSI-së për bashkëqeverisjen me PD-në si vendimin më të drejtë e më të matur që është marrë në funksion të stabilitetit dhe integrimit të vendit. Ai e cilësoi kohë të humbur bojkotin e Partisë Socialiste, ndërsa shtoi se
shqiptarët janë të lodhur nga sherret dhe mosmarrëveshjet në politikë, kryesisht ato që ndodhin në Partinë Socialiste. Meta shprehu bindjen për suksesin në qeverisje të LSI-së, ndërsa tha se ky sukses do të reflektohej edhe në rezultatin që do të ketë kjo forcë politike në zgjedhjet lokale të vitit 2011.

Bashkëqeverisja

Kreu i LSI-së deklaroi se kjo forcë politike tashmë është e gatshme të kontribuojë për një qeverisje të suksesshme, për të garantuar qëndrueshmërinë e vendit dhe përshpejtimin e reformave integruese. Ai nënvizoi gjithashtu edhe objektivat qeverisës të LSI-së, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik e sociali, punësimin, si dhe integrimin e moshës së tretë. “Vendimi i LSI-së për çdo ditë dhe më shumë bindemi që ka qenë më i drejti, ka qenë më i maturi, ka qenë më atdhetari për të garantuar një qëndrueshmëri të vendit dhe një shpejtësi të re të reformave që na ndihmojnë dhe për të realizuar dhe programin tonë të integrimit europian të vendit, por edhe ato premtime që ne kemi bërë për zhvillimin ekonomik dhe social. Në mënyrë të veçantë për punësimin, për integrimin e moshës së tretë dhe në të gjitha aspektet e tjera”, - u shpreh Meta. Ai foli gjithashtu edhe për zgjedhjet lokale, ku shprehu bindjen se LSI-ja do të arrijë një rezultat shumë pozitiv. “Besoj se, me angazhimin e LSI-së në qeverisje, të gjithë duhet të kuptojnë se forcimi i LSI-së mbetet një prioritet i pazëvendësueshëm dhe natyrisht që konfirmimin e vendimit të marrë nga LSI-ja do të jenë zgjedhjet vendore të ardhshme, ku jam i sigurt që për lëvizjen tonë rezultati do të jetë jashtëzakonisht pozitiv dhe inkurajues, sepse qytetarët janë lodhur nga grindjet dhe problemet e mëdha të vëna re sidomos brenda Partisë Socialiste”, - vijoi Meta.

PS
Kreu i LSI-së foli gjithashtu edhe për raportet me Partinë Socialiste. Meta tha se ishte PS-ja dhe kreu i saj Edi Rama që prishën dhe nuk respektuan marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2006. Për këtë arsye, Meta tha se nuk kishte ndër mend të humbiste kohën me politikanë që nuk janë seriozë. “Ne vetë e dimë që bëmë një marrëveshje me këtë forcë politike në vitin 2006, e cila nuk jetoi më shumë se një vit dhe, për kaq kohë, me paterica derisa u rizgjodh kryetari i kësaj partie në krye të Bashkisë së Tiranës. Një marrëveshje që nuk u respektua asgjëkund, në asnjë nivel. Ne nuk kemi kohë të humbasim me njerëz që nuk kanë asnjë përgjegjshmëri dhe asnjë lloj serioziteti. Duhet të ecim përpara në këtë partneritet të ri, që është një risi për vendin për politikën shqiptare dhe që tregon që LSI-ja do të sjellë gjithmonë vlera pozitive, të reja dhe me një karakter europianizues për politikën shqiptare, por edhe për vendin”, - tha kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

Riorganizimi i LSI-së

Pasi ka falënderuar të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së për kontributin e dhënë në zgjedhje, Meta tha se tashmë politika shqiptare ka hyrë në një stad të ri. Ai theksoi gjithashtu se edhe LSI-ja nevojitet të ridimensinohet dhe për këtë lajmëroi nisjen e një procesi të gjerë analizimi dhe riorganizimi në degët e saj. “Së pari dua t’ju falënderoj edhe njëherë për kontributin tuaj, të të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së të dhënë deri tani dhe, së dyti, t’ju ftoj të gjithëve që të angazhohemi në këtë stad të ri ku ka hyrë politika shqiptare, por edhe vetë LSI-ja, për ridimensionimin e kësaj force si një forcë qeverisëse dhe e përkushtuar për reformat që i duhen vendit për të garantuar stabilitet, qëndrueshmëri, progres dhe realizim të standardeve europiane gjatë këtyre katër viteve. Por, gjithashtu, për të vazhduar punën për forcimin dhe rritjen e strukturave të LSI-së në të gjithë vendin, pas një analize që do të bëjmë në të gjitha rrethet dhe në të gjitha njësitë vendore, sipas organizimit të LSI-së”, - tha Meta.

13 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›