E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Imeraj: “Meta, zëdhënës i Nanos dhe i Berishës”



Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratave të kreut të LSI-së, Ilir Meta. Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, tha se Meta tashmë është kthyer në zëdhënës të Sali Berishës dhe Fatos Nanos. Sipas saj, këta politikanë po përpiqen që ta kthejnë PS-në në një vegël të qeverisë duke e futur në Parlamentin e votave të grabitura. Imeraj përsëriti qëndrimin e Partisë Socialiste për të bojkotuar Parlamentin në rast se nuk do të bëhet transparenca e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. “Ilir Meta nuk çudit më askënd me deklaratat e tij kundër PS-së, sepse tashmë ai flet për llogari të Sali Berishës dhe që të dy, bashkë me Fatos Nanon, duan me çdo kusht ta kthejnë PS-në në një vegël të qeverisë, duke e futur në Parlamentin e votave të grabitura. Ilir Meta, njeriu që mashtroi 83 mijë zgjedhësit që donin largimin e kryeministrit të Gërdecit, duhet ta kuptojë ashtu si dhe Sali Berisha, që PS-ja nuk hyn në Parlament pa u garantuar transparenca e zgjedhjeve të papranueshme të 28 qershorit. Nxitja e diversioneve të konflikteve artificiale për të dobësuar PS-në nga ana e Sali Berishës, Ilir Metës dhe Fatos Nanos nuk e ndryshon dot qëndrimin e socialistëve e të të gjithë popullit opozitar ndaj një Parlamenti të marrë peng me manipulime e me korrupsion elektoral”, - tha Imeraj.

13 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›