SHBA: Greva e urisë dhe bojkoti, të dëmshme për perspektivën e Shqipërisë
Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Stuart Xhons deklaroi dje se greva e urisë dhe bojkoti i opozitës në Shqipëri janë të dëmshme për integrimin e Shqipërisë në BE. Sipas "Zërit të Amerikës", Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington zhvilloi dje një konferencë mbi Ballkanin dhe sfidat e tij në rrugën e integrimit evropian. Duke folur për mosmarrëveshjet e fundit politike në Shqipëri, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Stuart Xhons, tha se faji mbetet i vetë shqiptarëve. "Tani po shohim mosmarrëveshje serioze politike në Shqipëri. Greva e urisë, bojkoti, mendoj se janë shumë të dëmshme për perspektivën e Shqipërisë në integrimin evropian. Por faji nuk mund t'i vihet askujt përveç se vetë shqiptarëve", tha Xhons. Janush Bugajski, Drejtor i Projektit për Demokracitë e Reja Evropiane në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, tha se gjendja në Shqipëri është serioze kur bëhet fjalë për polarizim dhe kur Parlamenti nuk arrin të funksionojë. "Ky është një ngërç që nuk lejon miratimin e ligjeve të rëndësishme, reformave të rëndësishme dhe t'i tregojë Bashkimit Evropian se vendi është i bashkuar të paktën për sa u përket parimeve bazë", tha Bugajski. Ai shtoi se protestat janë të paparashikueshme dhe nuk duhet rezultati i tyre. Bugajski tha më tej se mund të jetë më e rrezikshme dhe se mund të ketë një paralizim të mundësisë për qeverisje. Përsa i përket rolit të ndërkombëtarëve dhe zgjidhjes së situatës, Bugajski mendon se ajo duhet të zgjidhet nga shqiptarë. Por, mund të ketë një ndërmjetësim nga ndërkombëtarët dhe në këtë pikë Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të luajnë një rol pozitiv. "Zgjidhja duhet të vijë nga shqiptarët, por mund të ndërmjetësohet nga jashtë. Dhe këtu mendoj se Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv", tha ai.
Reagimi i Xhons është i pari i këtij niveli për grevën e urisë së opozitës në Shqipëri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.