Erion Veliaj shqipëron “Guximin e shpresës” të Barak Obamës
TIRANE- Ditën kur gjithë bota mësoi se kush është Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Erion Veliaj ishte duke plotësuar ndërkohë një ëndërr të vjetër: po bënte redaktimet e fundit për versionin shqip të librit të Barack Obamës. Ky pasion i liderit të G99 për Obamën, është në fakt një pasion ndaj asaj që dhe vetë Veliaj e quan: “Ndryshim!” Veliaj nuk e ka fare problem ta deklarojë publikisht se përkrah Obamën, madje gjatë një vizite në një lagje periferike të Tiranës, ku jeton një komunitet i gjerë romësh, ai mbante të veshur pikërisht një bluzë me portretin e Obamës. Së bashku me kolegë të tij kanë qenë të pranishëm edhe në Konventën e Demokratëve në SHBA, atëherë kur Obama u shpall nga të gjithë demokratët si kandidati zyrtar i tyre për zgjedhjet presidenciale. Nëse libri do të lexohet ose jo, kjo tashmë është një sfidë të cilën Veliaj, e di fare mirë se e ka kaluar me sukses. “The Audacity of Hope” që do të vijë në shqip nën redaktimin e Erion Veliajt, është në fakt libri i dytë i botuar në SHBA nga Barack Obama. Në tetor të vitit 2006, ky libër ishte në top listën e librave më të shitur, sipas The New York Times. Shumë nga idetë, që Obama i adoptoi gjatë fushatës së tij për Shtëpinë e Bardhë janë artikuluar nga ai së pari në këtë libër. “A do të marrim pjesë në një politikë cinizmi, apo do të jemi pjesë e një politike shprese”, pyet Obama në këtë libër. Libri ka fituar disa çmime dhe është botuar ndërkohë edhe në gjermanisht, spanjisht dhe frëngjisht. Shumë kritikë kanë menduar se vendimin për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale, Obama e ka marrë pikërisht gjatë atyre javëve kur firmoste autografët për turma të mëdha njerëzish, që blinin librin. Ky libër do të botohet nga shtëpia botuese “Dudaj” dhe do të prezantohet për publikun në një ceremoni të veçantë në 19 nëntor. Në këtë ceremoni do të jetë i pranishëm edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.