E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat tentojnë grabitjen e kambistit

 

VLORE – Persona me armë e maska i hyjnë në shtëpi një kambisti në lagjen “Partizani” të Vlorës. Mbrëmjen e djeshme, dy persona ende të paidentifikuar kanë trokitur në derën e banesës së 40-vjeçarit F.C. Ky i fundit ka hapur derën, kur ka parë dy persona me pistoleta në dorë. Menjëherë ka nisur të bërtasë e të bëjë rezistencë ndaj grabitësve për të mos i lënë brenda. Të papërgatitur përballë një reagimi të tillë dhe nga frika se fqinjët e pallatit do të dilnin jashtë, autorët janë detyruar që të largohen, duke zbritur me shpejtësi shkallët e pallatit. Gjatë ikjes ata kanë qëlluar në ajër me armë, për të trembur personat që mund t’u viheshin në ndjekje. Familjarët e kambistit lajmëruan policinë, e cila po heton për identifikimin e autorëve. Sipas kambistit, i vetmi qëllim ishte grabitja, për shkak të profesionit të tij.                                  q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›