Universiteti në krizë, rektori e dekania akuzojnë njëri-tjetrin
VLORE - Akuzat e kundërakuzat e rektorit të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, Tanush Shaska dhe dekanes Arta Musaraj kalojnë në personale, duke “harruar” problematikën e vërtetë të institucionit arsimor që ata drejtojnë. Kur qindra studentë bojkotojnë mësimin duke mos pranuar të ulen në auditorë nëse kërkesat e tyre nuk do të gjejnë zgjidhje, rektori dhe dekania gjejnë kohë për të “sqaruar” njëri-tjetrin me tone aspak të qeta. Nga SHBA, email-i i radhës është dërguar nga rektori Shaska në adresë të Musaraj. Kjo e fundit, pasi u paralajmërua për heqje nga puna, kërkoi publikisht dorëheqjen e rektorit, duke argumentuar se ai 8 muaj jetonte në Amerikë. Shaska nëpërmjet email-it i radhit Musarajt titujt akademikë në CV-në e tij. Një ndër titujt akademikë të radhitur ishte edhe fakti se Shaska është “i vetmi shqiptar, profesori i të cilit është fitues i medaljes “Fields”. Ndërsa dekanes ai i drejtohet për “Fields” se “ti këtë s’ke për ta kuptuar kurrë se ç’do të thotë”. Por ai nuk harron t’i kujtojë edhe gjyshin e saj. Më tej, Shaska bën me dije edhe incidentin e zëvendësit të tij, Engjëll Licaj. “Rinald Bezhani, bashkëshorti i dekanes së Fakultetit të Ekonomikut, Arta Musaraj, ka hyrë në zyrën e zëvendës-rektorit, e ka kërcënuar dhe bërë presion. Veprime të tilla cenojne autonominë e institucionit dhe funksionimin e tij në kushte normale. Unë vetë kam pasur incidente në zyrë disa muaj më parë. Kam vendosur t’i bëj një kërkesë zyrtare drejtorit të policisë, ministrit të Arsimit dhe ministrit të Brendshëm për të siguruar kushtet minimale të sigurisë në institucion”, shprehet Shaska. q.b