E Hënë, 2 Nëntor 2026

Debat për tarifën në kopshte

 

BURREL – Rritja e çmimit të tarifës ditore në kopshte e çerdheve në Burrel shkakton përplasje mes këshilltarësh bashkiakë. Projekt-vendimi i përgatitur nga administrata e bashkisë e që pritet të vihet në zbatim në janar nuk është pritur mirë nga këshilltarët. Këshilltarët që u përfshinë në debat me drejtuesit vendorë u shprehën se rritja e kuotës së trajtimit ushqimor do të çojë në braktisjen e kopshteve e çerdheve. “Qytetarët nuk kanë të ardhura. Shumica janë të papunë dhe nuk përballojnë as kuotat aktuale. Nuk është aspak e drejtë të rriten kuotat e trajtimit ushqimor”, reaguan këshilltarët në opozitë. Deri në fund të këtij viti prindërit e fëmijëve të kopshteve e çerdheve do të paguajnë një kuotë ditore 72.7 lekë. Kjo tarifë funksionon si për fëmijët e çerdheve ashtu dhe për ato të kopshteve. Ndërkohë këshilli me shumicë votash vendosi që një fëmijë në çerdhe të paguajë pas 1 janarit 2009, 95 lekë në ditë, pra 23 lekë në ditë më shumë. Ndërkohë fëmijët e kopshteve do të paguajnë 110 lekë në ditë, ose 38 lekë më shumë sesa këtë vit.
Këshilltarët i kërkuan Prefektit të Dibrës, Xhafer Seiti të mos e konfirmojë këtë vendim të këshillit bashkiak, ndryshe do të ketë braktisje masive të kopshteve e çerdheve në qytetin e Burrelit.                              h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›