Deputeti Muhedini: PDIU nuk ka frikë nga opozita
Edhe pse një nga surprizat e zgjedhjeve të 23 qershorit pas LSI, PDIU me 5 mandate deputetësh do t’i duhet të jetë në opozitë. E ndërsa zërat nuk kanë munguar për mundësinë e një tretativë për të kaluar majtas, nisur edhe nga kauza që përfaqëson dhe deklaratat e mëparshme të liderit të saj Idrizi se do të jetë gjithmonë në qeverisje, vetë Presidenti i PDIU Tahir Muhedini njëherësh deputet i Kuvendit të ri për qarkun e Tiranës shprehet se kjo parti nuk i frikësohet të qenit në opozitë. “Partia jonë nuk është një parti ideologjike, ka një kauzë shumë të madhe të lënë në harresë prej vitesh. Është PDIU që sensibilizoi opinionin mbarë shqiptar për këtë çështje madhore. Ne e kemi thënë edhe para fushatës që ne si parti duhet të jemi gjithmonë në qeveri, por nuk frikësohemi fare për të qenë në opozitë, ne si komunitet ishim në opozitë për 70 vite. I gjithë populli çam e ka zgjedhur problemin ekonomik në punë private” tha ai. Duke komentuar rezultatin zgjedhor, Muhedini shprehet se për PDIU si forca e katër politike në vend, dalin objektiva të tjera për të ardhmen, sigurimi i dy mandateve në 5 qarqet e vendit. Ndërkaq Muhedini nuk ka qenë kaq diplomat në lidhje me kreun e PBDNJ Vangjel Dule, duke e cilësuar një ushtar të bindur të qarqeve antishqiptare greke. Sipas tij, minoriteti grek duhet të zgjedhë një kryetar partie të denjë për të përfaqësuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre. “Zoti Dule ka qenë gjithmonë i shqetësuar për ne, qoftë me 2 apo 5 deputetë, është një ushtar i bindur i qarqeve antishqiptare greke, ka qenë një parti që ato vota që merrte i merte përmes pasaportave. Sot ai e sheh veten që as në politikë nuk do jetë. Me minoritarët grekë ne jemi ortakë në biznese, është Dule që kërkon ta prishë këtë atmosferë. Minoriteti grek duhet të gjejë një kryetar partie që t’u shërbejë interesave të tyre, jo për të shkatërruar marrëdhëniet mes dy vendeve. Ne s’duam të hymë në konflikt me asnjë, por Dule është i pandërgjegjshëm. Dulja t’i thotë faleminderit Amos Dojakës që me votat e tij doli deputet i Kuvendit. Dua t’i them edhe atij Koços, që s’e ka fare haberin për çështjen çame, që të merret me koçot dhe jo me çështje që s’i takojnë” përfundoi Presidenti i PDIU, Tahir Muhedini.