E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputeti Xhindi. Telefoni, shpresa e vetme për kapjen e vrasësit

06/05/2009  Asnjë gjurmë nga ekzekutori i deputetit Xhindi, bien të gjitha pistat hetimore

Priten përgjigjet nga analizat laboratorike, grup pune prej 100 specialistësh

TIRANE- Për specialistët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda vazhdon të mbetet mister autori dhe motivi i vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste Fatmir Xhindi. Deri tani nga hetimet intensive të kryera qoftë në qytetin e Roskovecit, por edhe në kryeqytet, nuk është konstatuar asnjë detaj i dyshimtë nga cili mund të hidhet dritë mbi misterin që ka përfshirë ekzekutimin barbar të deputetit Xhindi. Të ndodhur përballë kësaj situate prokurorët kanë ngritur një sërë dyshimesh të forta mbi ngjarjen, nga të cilat besohet se është kryer identifikimi i autorit, por që realisht akuza ende nuk ka arritur në një konkluzion përfundimtar mbi të dhënat dhe karakteristikat e tij. Mungesa e provave konkrete që do të faktonin plotësisht autorësinë e këtij krimi, ka bërë që edhe pas 5 ditësh nga ngjarja e rëndë, prokurorët vazhdojnë të grenë supet, duke mos drejtuar gishtin në ndonjë person konkret. Mirëpo duke qenë përballë vështirësisë që paraqet ngjarja, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur të shtojë mënyrat e hetimit, duke vënë në përgjim një sërë numrash telefonikë si dhe në të njëjtën kohë duke “hedhur” në teren një numër të madh agjentësh operativë, ku midis tyre edhe efektivë të SHISH-it. Informacionet operative të mbledhura nga agjentët civilë, por edhe të dhënat që serviren nga punonjësit e qendrës së përgjimeve, kalojnë nën lupën e hetimit të 4 prokurorëve që aktualisht po punojnë intesivisht për zbardhjen e çështjes. Mësohet se shpresat për gjetjen e provave në pakon e aspirinave dhe në një qese plastmasi janë venitur, pasi nga përgjigjja e ardhur nga laboratori kriminalistik thuhet se ato kishin më shumë se 10 ditë që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Ekspertët kanë konstatuar se në to ka shenja të qarta të lagështirës, gjë e cila vjen si rezultat i ekspozimit të tyre në kushtet e ndryshme atmosferike. Ndërkohë që për të hedhur më shumë dritë mbi dyshimet se i ndjeri Fatmir Xhindi, kishte lidhje me një nga të arrestuarit e operacionit “Kështjella”, ekspertët e Krimeve të Rënda kanë kryer në burgun 313 një seancë pyetjesh me të dyshuarin (emri nuk bëhet i ditur), i cili para hetuesve ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e akuzës. Ndërkaq që dje dy prokurorë të grupit hetimor kanë shkuar përsëri në qytetin e Fierit, ku kanë kryer një sërë veprimesh hetimore, por për rëndësinë që ka çështja çdo informacion mbetet sekret. Nga ana tjetër mendohet se për zbardhjen sa më shpejt të vrasjes së Fatmir Xhindit, Kryeprokurorja e vendit Ina Rama i ka kërkuar bashkëpunim edhe drejtorit të SHISH-it Bahri Shaqiri. Mësohet se ky është grupi më i madh hetimor i ngritur ndonjëherë për të zbardhur ngjarjet kriminale, madje më i madh se grupi hetimor që u mor me vrasjen e deputetit Azem Hajdari dhe tragjedinë e Gërdecit. Aktualisht për identifikimin, lokalizimin dhe më pas arrestimin e autorit janë vënë në lëvizje më shumë se 100 specialistë të kriminalistikës shqiptare.

Deputeti Caci:

“Nëse s’gjenden autorët për 3 ditë

PS-ja do ta cilësojë “vrasje politike”

Një ditë pas deklaratës së kreut të PS-së Edi Rama, i cili i ka kërkuar Prokurorisë shqiptare zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes për vrasjen e Fatmir Xhindi. Deputeti socialist i Fierit, Albert Caci, u shpreh se autorët e këtij krimi duhet të zbulohen dhe të gjenden sa më parë. PS ka ndërprerë çdo aktivitet polik, dhe mosgjetja e autorëve, e çon këtë çështje në ngjyrime politike. “Është vrarë një deputet, ka thënë Caci, dhe fakti është se është vrarë para një fushate elektorale e rëndon akoma më shumë këtë ngjarje. Kështu që gjetja e autorëve e rëndon më shumë Prokurorinë e Krimeve të Rënda që të mos merren shumë me fjalë, por të gjendet autori, se sa më shumë që kalon koha, aq më e rëndë bëhet situata zgjedhore. PS po tregohet shumë e matur nuk po pengon, nuk po futet për të penguar punën tek organet kompetente, ne kemi ndaluar gjithë aktivitetit politike, por çdo gjë ka një afat, jemi para një fushate dhe ka njëfarë trembje të popullsisë, dhe gjetja sa më shpejt e autorëve dhe vënia sa më shpejt para drejtësisë, është detyrë e rendit dhe Prokurorisë”.

A. Damini

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›