E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-shefi i SHIK-ut në Lezhë pranon se janë torturuar njerëz

06/05/2009  Për gjyqin e zhdukjes së Remzi Hoxhës jep dëshminë e tij edhe Mark Frroku

TIRANË- Procesi gjyqësor kundër të pandehurve që akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, vazhdoi dje me dëgjimin e dëshmitarit Mark Frroku. Është pyetur me cilësinë e dëshmitarit duke qenë në pozicionin e drejtorit të SHIK-ut aktualisht në Vain të Lezhës, vend ku nga ana e akuzë s’mendohet se është torturuar Remzi Hoxha dhe më pas është zhdukur për të mos u gjetur ende. Mark Frroku, ish-drejtori i kësaj godine, ka treguar dje se në ato ambiente, gjatë periudhës kohore 1990-1997 kur ai ishte emëruar, ishin kryer torturime dhe shoqërime të ndryshme. “Kur jam emëruar drejtor në Vain të Lezhës, e kam gjetur godinën të djegur. Nuk kam bërë asnjë ndryshim në staf. Aty gjeta katër roje, rojën përgjegjës dhe një kuzhiniere. Në shenjë mirënjohjeje që nuk i largova nga puna kam pasur një afrimitet me punonjësit. Gjatë bisedave të lirshme me ta, kam mësuar se nga kryeqyteti vinin shumë persona. Një prej rojeve Viktor Sokoli është shprehur se sillnin persona që i keqtrajtonin edhe fizikisht, të cilët i fusnin në bagazhet e automjeteve”, ka deklaruar dje para gjykatës dëshmitari Mark Frroku.

Pyetjet e përgjigjet

Na thoni dëshmitar nëse keni punuar në Shërbimin Informativ Kombëtar. Nëse po në çfarë periudhe dhe çfarë detyre keni kryer?

Pyetja është e gjerë. Kam punuar në Shërbimin Informativ Kombëtar nga viti 1987 deri në vitin 1993. Pastaj jam larguar më kërkesën time, në maj të ‘93-it dhe jam rikthyer në shtator 1997, ku vazhdoj të punoj dhe aktualisht. Deri në vitin 1993 kam pasur detyrën e drejtorit të SHIK-ut, fillimisht në Sarandë, pastaj në Lezhë. Në vitin 1997, jam emëruar drejtor dhe më pas kryetar i shërbimit informativ shtetëror Lezhë, pasi u ndryshua emri, deri në vitin 2002. Pastaj kam shkuar në Vlorë në detyrën e drejtorit deri në vitin 2004. Aktualisht jam punonjës i Shërbimit Informativ me detyrë përgjegjës i vilës në Vain, Lezhë.

Nëse nga ana juaj është njohur shtetasi Remzi Hoxha. Nëse po në çfarë rrethanash e keni njohur?

Jo, nuk e kam njohur.

Nëse nga ana juaj, duke qenë në detyrë, jeni marrë ose jo me problemin e Remzi Hoxhës?

Jam marrë. Kryesisht me bashkëbisedimet me ish-punonjësit e bazës Vain, të cilët i gjeta të tërë në punë në vitin 1997. Ishin të njëjtit punonjës që nga viti 1993. Kam biseduar me ta, jo në rrugë shtetërore, pasi nuk është se janë marrë në pyetje nga unë. Dhe për informacionet që kanë dalë kam raportuar me gojë.

Nëse nga ana juaj njihet ose jo shtetasi Ziso Kristopulli, nëse po në çfarë rrethanash?

Me Ziso Kristopullin kam pasur njohje sipërfaqësore. S’kam pas njohje të drejtpërdrejtë. Meqë kisha shërbyer në Sarandë e kam njohur. Më vonë Ziso Kristopulli, rreth vitit 1998 është paraqitur në vilën e Vainit i shoqëruar nga disa persona.

Për çfarë kishin mbërritur atje?

Qëllimi i ardhjes ishte identifikimi i vilës së Vainit, si vendi ku Ziso Kristopulli kishte qëndruar, pasi ishte marrë peng nga ish-punonjësit e SHIK-ut. Pra, ishte për të identifikuar vendin, pasi vila e Vainit ishte djegur në vitin 1998 dhe një pjesë e arkitekturës kishte ndryshuar dhe ambientet përreth. Ai e mbante mend nëpërmjet një burimi uji dhe oxhaku, pra ai pranoi që te ky vend ishte thirrur, pra ishte marrë në pyetje nga punonjësit.

Nëse nga ana e Ziso Kristopullit të janë treguar hollësira për marrjen dhe pyetjen në këto ambiente?

Personalisht nuk është se Ziso Kristopulli ma ka thënë mua. Por gjatë bisedës atë ditë, mësova se Ziso Kristopulli ishte keqtrajtuar.

Dëshmitarët VIP të procesit

Mes dëshmitarëve në këtë proces janë pyetur edhe gjenerali Agim Shehu, ish- drejtor i përgjithshëm i policisë së shtetit, njëkohësisht ish- zv/ministër i Brendshëm dhe Fatos Klosi ish-shefi i SHIK-ut. Po kështu Prokuroria ka lexuar disa seanca më parë edhe dëshminë e vetme të dhënë nga ish-drejtori i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, (tashmë i vdekur). Janë pyetur disa ish-punonjës të Shërbimit Informativ dhe po kështu familjarët e Remzi Hoxhës. Në asnjë rast nuk janë përmendur emrat e të pandehurve. Madje edhe Bashkim Gazidede në dëshminë e tij dhënë para disa vitesh është shprehur vetëm për mënyrën se si vepronte SHIK-u. Fatos Klosi ka treguar se kur ka vajtur në kryer të SHIK-ut ka gjetur muret e disa zyrave të lyera me gjak. Agim Shehu ka treguar në dëshminë e tij se ka hetuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës, por nga verifikimet ka rezultuar se targa e makinës së përdorur nuk ka qenë e regjistruar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›