E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvrasjet, tre persona i japin fund jetës në 24 orë



Tre akte vetëflijimi kanë ndodhur në 24 orët e fundit në dy qytete të vendit, Elbasan dhe Durrës. Ngjarja e parë u shënua në qytetin bregdetar të Durrësit, ku një i ri është gjetur i vetëvarur në zdrukthëtarinë ku punonte. Vetëm pak orë më pas, një tjetër rast i rëndë u shënua në Krastë të Elbasanit, në një repart ushtarak. Një ushtar 21-vjeçar ka qëlluar veten me armën e shërbimit, kur i duheshin vetëm 2 muaj për të përfunduar detyrimin ushtarak. Dhe akoma më e rëndë, ngjarja e tretë po në Elbasan, vetëm pak orë pas vetëvrasjes së ushtarit. Një e moshuar 78-vjeçare në gjendje depresive ka masakruar veten me thikë, duke i dhënë në këtë mënyrë fund jetës në mënyrë tragjike për familjarët e saj. Sipas burimeve policore, mësohet se shkak për të tre rastet e vetëflijimeve ka qenë gjendja depresive në të cilën ndodheshin, ndërkohë që policia është duke punuar për të zbardhur arsyet pse tre viktimat ndodheshin në këtë gjendje dhe prej sa kohësh vuanin.

Krastë

Rreth orës 22:15 të mbrëmjes së të hënës, në repartin e mbrojtjes civile në Krastë u dëgjuan të shtëna automatiku. Kjo tërhoqi vëmendjen e ushtarakëve të repartit, të cilët u drejtuan nga vinin krismat. Kur shkuan në vendin e ngjarjes, ata gjetën një ushtar të shtrirë në tokë dhe të gjakosur. Me gjithë ndihmën e dhënë, ai nuk arriti që të jetonte pas plagëve të marra. Sipas burimeve nga policia, viktima është shtetasi Eglantin Mehmeti. 21-vjeçari ishte duke kryer shërbimin e natës, kur ka qëlluar veten me armën e shërbimit. Është lajmëruar edhe policia, e cila ka shkuar në vendngjarje. U ngrit një grup pune, i cili nisi nga puna për kryerjen e veprimeve të para hetimore. 21-vjeçari Mehmeti kishte dhe 2 muaj të tjerë për të përfunduar shërbimin ushtarak. Janë marrë në pyetje shokët e tij, si edhe familjarët. Mendohet se shkak i këtij veprimi që çoi në vetëvrasjen e të riut mund të ketë qenë depresioni.

Elbasan

Ditën e djeshme në fshatin Kuqan të Elbasanit u gjet në gjendje të vështirë për jetën Shahine Latifi, 78 vjeçe. E moshuara kishte marrë plagë të thella, pasi kishte qëlluar veten me thikë. Kur ka kryer vetëvrasjen, 78-vjeçarja gjendej e vetme në banesë. Sipas policisë, ajo ka goditur veten disa herë me thikë në pjesën e barkut, me synimin për të shkaktuar vetëvrasje. Familjarët kur kanë shkuar në banesë e kanë gjetur viktimën të mbuluar nga gjaku. Asaj i është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar në spitalin e qytetit, por si pasojë e plagëve të marra dhe humbjes së gjakut, ajo nuk ka mundur që të jetojë. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se e moshuara mund ta ketë kryer vetëvrasjen, pasi vuante nga depresioni.

Durrës

Në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, është gjetur i varur në litar dhe pa shenja jete në një zdrukthëtari 27-vjeçari Leonard Molla. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 15 të qytetit, në ambientet e një zdrukthëtarie, të cilën viktima e kishte marrë me qira dhe punonte së bashku me babanë e tij. Po sipas burimeve policore, viktima ishte i martuar dhe banonte në lagjen nr. 8 të qytetit. Menjëherë në vendngjarje shkoi edhe policia, e cila nisi nga hetimet në lidhje me këtë rast. Janë marrë në pyetje të afërmit, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e shkaqeve që e çuan 27-vjeçarin në këtë akt vetëflijues.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›