SHISH ofron bashkëpunim për zbardhjen e vrasjes së deputetit
Hetimet për zbardhjen sa më parë të vrasjes së deputetit socialist, Fatmir Xhindi, vazhdojnë në mënyrë mjaft intensive. Megjithatë, sipas burimeve, ende nuk ka asgjë konkrete përveç skenës së krimit dhe lokalizimit të vendit nga është autori apo autorët e këtij krimi të rëndë. Por, të gjendur përballë një situate “ngërçi”, grupi hetimor ka kërkuar bashkëpunim nga një strukturë e specializuar si SHISH, kreu i së cilës, Bahri Shaqiri, mbërriti qysh natën e ekzekutimit në Roskovec. Nga burime të pakonfirmuara zyrtarisht mësohet se kreu i SHISH, Bahri Shaqiri, është kërkuar në një takim nga Kryeprokurorja Ina Rama, e cila i ka kërkuar ndihmë nga strukturat e drejtuara prej tij për të zbardhur ngjarjen e rëndë. Ky bashkëpunim ka sjellë qysh prej ditës së djeshme zgjerimin e grupit hetimor që po merret me zbardhjen e vrasjes së deputetit socialist, Xhindi. Nga dita e djeshme, bashkë me prokurorët e Krimeve të Rënda, Departamenti i Ushtrimit dhe Ndjekjes Penale, Departamenti i Krimeve të Hapura, Departamenti i Krimit të Organizuar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe një armatë e tërë agjentësh civilë, që prej ditës së ngjarjes në fshatrat e Roskovecit, një grup agjentësh të Shërbimit Sekret janë bërë pjesë e grupit hetimor. Sipas burimeve, as për ngjarjen e rëndë të tragjedisë së Gërdecit nuk ka pasur grup hetimor me shtrirje kaq të gjerë. Madje, prej disa ditësh në zonën e Roskovecit janë instaluar edhe forcat speciale RENEA për çdo operacion të mundshëm në ndihmë të grupit hetimor. Me gjithë punën e bërë gjatë këtyre pesë ditëve, marrjes në pyetje të një numri të madh dëshmitarësh dhe familjarësh, personash me të cilët deputeti mund të ketë pasur ndonjë konflikt të vogël pronësie apo shkëmbim fjalësh, ende grupi hetimor nuk ka përcaktuar një pistë konkrete dhe një identitet personi konkret që t’i japë zgjidhje çështjes. Burime zyrtare nga grupi hetimor hedhin poshtë identifikimin e autorit të vrasjes, ndërkohë që konfirmojnë faktin se vrasësi është shumë afër rrezes ku ka ndodhur ngjarja. Sipas burimeve, vrasësi është banor i zonës, i ndihmuar nga miq apo të afërm të tij, të cilët kanë kontrolluar në bashkëpunim çdo lëvizje të deputetit Xhindi. Madje, dyshohet që informatorët e lëvizjeve të viktimës, deri në momentin që është nisur atë natë për në shtëpi në Roskovec deputeti Xhindi, të kenë qenë në të njëjtin lokal me të ose pranë tij. Informacioni klasifikohet si mjaft sekret dhe nuk jepen të dhëna të detajuara apo një pistë konkrete për vrasjen, ndërkohë që shtohet nga grupi hetimor se po përpunohet çdo informacion që flet jo vetëm për orët e fundit të jetës së deputetit, por edhe kontakte të të ndjerit të disa ditëve apo viteve më parë. Që prej ditës së vrasjes dhe deri dje, çdo e dhënë e grumbulluar është kaluar në sitën e specialistëve të grupit hetimor, si dëshmitë, ashtu dhe të dhënat që grumbullohen nga telefonatat e qytetarëve të ndryshëm, të cilët japin ndihmën e tyre në këmbim të shpërblimit të ofruar prej 250 mijë eurosh nga Policia e Shtetit.