Vendimi për “Matrix”, shpallen të pafajshëm 4 të pandehur
Gjykata e Tiranës shpalli dje vendimin për 14 të pandehurit e arrestuar përgjatë operacionit “Matrix 4”. Katër prej të pandehurve u shpallën të pafajshëm, katër u dënuan me lirim me kusht, për tre nga të pandehurit u kërkua nga një deri në 3.4 vjet burg, ndërsa tre të pandehurit e tjerë u dënuan vetëm me gjobë. Në përfundim të këtij gjykimi, vetëm tre nga 14 të pandehurit u dënuan me burg, ndërsa 11 të tjerët janë liruar nga gjykata me gjobë dhe dënim me kusht. Shpallja e vendimit u bë dje nga togat e zeza të Gjykatës së Tiranës dhe në fund të gjykimit për të pandehurit e vjedhjes së bankomatëve u vendos pafajësi për të pandehurit Anil Gjergjani (Laro), Indrit e Blerim Abazi dhe Flamur Gashi, me nga dy vjet heqje lirie me kusht për Rei Karapicin, Enea Çelën, Redi Çikanin dhe Ledio Dokon. Gjykata ka vendosur të dënojë nga një deri në 3.4 vjet burg tre të pandehurit Endrit Gjergjani, Kreshnik Luku dhe Alban Bare, si dhe 140 mijë lekë gjobë për të pandehurit Klajdi Therolli, Fatmir Borshi dhe Fatmir Kolbarku. Ndërkohë që dy seanca më parë, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, prokurori i çështjes, Armand Gurakuqi, deklaroi fajtorë dhe kërkoi dënimin me 38 vjet e 5 muaj, si dhe 600 mijë lekë gjobë për të pandehurit e arrestuar gjatë operacionit “Matrix”. Sipas akuzës, të pandehurit akuzohen për veprat penale të mashtrimit të kryer në bashkëpunim më shumë se një herë në dëm të shumë personave, falsifikimit të letrave me vlerë dhe moskallëzim krimi. Akuza kërkoi dënimin me 8 vjet burg për të pandehurin Endrit Gjergjani, me nga 3 vjet burg për të pandehurit Rei Karapici, Enea Çela, Alban Bare, Ledoi Doko dhe Indrit Abazi. Për të pandehurit Kreshnik Luku, Anil Gjergjani (Laro) dhe Blerim Abazi akuza kërkoi dënimin e tyre me 4 vjet burgim secili. Ndërsa për Redi Çikanin, prokurori kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin e tij me 5 vjet burg. I pandehuri Flamur Gashi rrezikon vetëm 5 muaj burg. Në fund të konkluzioneve të tij përfundimtare, përfaqësuesi i akuzës kërkoi dënimin me 200 mijë lekë gjobë secili për të pandehurit Fatmir Kolmarku, Klajdi Terolli dhe Fatmir Borshi, të cilët janë duke u gjykuar në gjendje të lirë. Ata akuzohen për veprën penale të moskallëzimit të krimit. Të pandehurit u vunë në pranga një vit më parë në sajë të operacionit të koduar “Matrix 4”. Veprat penale janë kryer nga këta të akuzuar për një periudhë 2-vjeçare në disa qytete shqiptare, si Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier dhe Sarandë.
Detaj
4 pafajësi dha dje Gjykata e Tiranës për të akuzuarit e klonimit të kartave të kreditit
4 dënime me kusht 2-vjeçar dhanë togat e zeza për pjesën tjetër të të pandehurve
3 dënime me gjobë vendosi trupi gjykues për të akuzuarit për “moskallëzim krimi”
3 nga 14 të pandehurit mbetën në burg, të dënuar nga një deri në 3.4 vjet burg