E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputeti Ymer Tola dërgohet me urgjencë në spital

Orët e vona të mbrëmjes nuk kanë qenë të qeta për deputetët grevistë. Shëndeti i tyre është rënduar së tepërmi, po në gjendje më kritike ka qenë deputeti i PDK-së, Ymer Tola, të cilit i kanë rezultuar me probleme analizat që ekipi mjekësor u ka bërë paraditen e djeshme. Për ta pasur situatën nën kontroll, ekipi mjekësor është detyruar ta dërgojë me urgjencë në qendrën spitalore "Nënë Tereza", rreth orës 21:00 të mbrëmjes, për t‘i dhënë një ndihmë më të specializuar. Deputetët grevistë bëjnë të ditur për "Shqip" se pas realizmit të disa analizave deputeti Ymer Tola ka rezultuar me probleme shëndetësore dhe mjekët, të cilët mbajnë nën mbikëqyrje dhjetë deputetët e grevës së urisë, kanë vendosur ta dërgojnë në urgjencën e spitalit, për të mos i rrezikuar jetën. Deputeti Tola ka pasur probleme me tensionin dhe ka kaluar në gjendje të fikti. Por, pavarësisht përkeqësimit të shëndetit të tij, deputetët bëjnë të ditur se ai do të rikthehet sërish në ambientet e grevës për ta vijuar atë. Pas ditës së gjashtë të grevës së urisë në gjendje të rëndë janë edhe deputetët e tjerë si Braho, i cili vuan nga diabeti, Koçi dhe Frrok Gjini, që ka hequr dorë nga pirja e ujit dhe marrja e serumeve. Megjithëse gjendja e tyre është rënduar dhe nga dita në ditë thekson problemet shëndetësore, deputetët grevistë bëjnë të ditur për gazetën se nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga greva e tyre pa u arritur një zgjidhje pozitive për kërkesën që ata kanë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›