Tirana zyrtare dënon shpërthimin në Prishtinë
Ministria e Punëve të Jashtme dënoi dje me forcë shpërthimin te ndërtesa e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë. Në një njoftim për shtyp, MPJ e konsideron atë një akt që, edhe pse i izoluar, synon të dëmtojë frymën e bashkëpunimit të institucioneve të Republikës së Kosovës me ZCN-në dhe faktorin ndërkombëtar, si dhe vullnetin e dëshmuar tashmë për vendosjen dhe shtrirjen e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson reagimin e menjëhershëm të autoriteteve më të larta të Republikës së Kosovës ndaj këtij akti të shëmtuar dhe dënimin e tij nga ana e tyre. Duke rikonfirmuar mbështetjen maksimale për autoritetet e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme është e bindur se asgjë nuk do ta pengojë Kosovën për të ecur e sigurt përpara në ndërtimin e institucioneve.