E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët: Kushtet për të dalë nga greva

Ministria e Shëndetësisë ka shtuar numrin e mjekëve të cilët kanë ndjekur nga afër grevën e urisë pasi dhe gjendja shëndetësore e dhjetë grevistëve është rënduar së tepërmi. Greva e urisë po hyn në ditën e shtatë të saj dhe dy partitë e mëdha politike ende nuk janë ulur për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të gjithë. Ndërkohë që nga ana e tyre deputetët grevistë kanë rikonfirmuar qëndrimin se nuk do të dalin nga greva e urisë derisa kërkesa e tyre të marrë një zgjidhje pozitive. Dita e djeshme nuk ka pasur ndonjë zhvillim të rëndësishëm në krahasim me ditët e tjera. Kryeministri Berisha dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, kanë vijuar aktivitetin e tyre politik, duke anashkaluar çdo interesim të medias në lidhje me dhjetë deputetët që janë futur në grevë urie. Por kolegët dhe mbështetësit e deputetëve grevistë kanë vijuar telefonatat dhe takimet duke u interesuar për shëndetin e tyre. Ka qenë ish-deputeti Sabit Brokaj, i cili në drekë ka shkuar në sallën e Kuvendit, ku tashmë janë ngujuar dhjetë deputetë në grevë urie, për t‘u interesuar mbi shëndetin e tyre. Pas kësaj vizite, Brokaj ka theksuar para mediave se gjendja e tyre ishte mjaft e rëndë, pasi janë vënë re shenjat e para të luhatjeve të tensionit dhe deputeti Braho dhe Gjini janë në gjendje më të rëndë, sepse Braho vuan nga diabeti dhe Gjini prej 24 orësh ka refuzuar të marrë ujin e pijshëm dhe ilaçet. E rënduar ka qenë edhe gjendja e deputeti Ymer Tola dhe e Petro Koçit. Ndërkohe që në orët e pasdites deputet grevistë, janë vizituar nga deputeti Spartak Ngjela dhe Tritan Shehi, ndërsa republikani Sabri Godo ka marrë në telefon deputetin Pëllumb Xhufi, duke u interesuar për gjendjen shëndetësore të tyre, Paskal Milo ka telefonuar dhe ka premtuar se do tu bëjë një vizitë. Gjatë kontakteve të shpeshta me telefon, Koçi, Meta, Ndoka e të tjerë kanë theksuar se grevën do ta çojnë deri në fund, pavarësisht se mungesa e ushqimit ka nisur të japë shenjat e para te secili prej tyre. Kryetari i LSI-së, Meta, ka konfirmuar se "gjendja e grevistëve është e rënduar, por pavarësisht kësaj, askush nuk do të tërhiqet nga protesta. Ne do të shkojmë deri në fund, derisa të arrijmë qëllim tonë. Nuk duhet lejuar dhe pranuar shkatërrimi i zgjedhjeve të ardhshme". Duke u ndalur te seanca e ditës së hënë, ku pritet të miratohet dhe kodi i ri zgjedhor, kryetari i LSI-së është shprehur se "miratimi i kodit zgjedhor në seancën e së hënës do të ishte një veprim provokativ dhe i papjekur". Meta ka falënderuar ekipin mjekësor, i cili u ka qëndruar pranë në çdo moment, duke ndjekur hap pas hapi ecurinë e shëndetit të tyre, pasi ditët kalojnë dhe gjendja sa vjen e rëndohet. Sipas kryetarit të LSI-së, ekipi mjekësor ka dërguar në sallën e Kuvendit dy shtretër, ku grevistët marrin serume. Në lidhje me vizitat e deputetëve në sallën e Kuvendit, Meta ka theksuar se kanë shkuar vetëm Kryetarja e Kuvendit, nënkryetari Neritan Ceka, një delegacion parlamentar nga Brukseli, si dhe ish-deputeti Sabit Brokaj. Por pavarësisht numrit të kufizuar të vizitorëve brenda në ambientet e grevës, deputetëve të ngujuar prej gati shtatë ditësh nuk u ka munguar mbështetja nga simpatizantët e partive të tyre. Ashtu si ditët e tjera, edhe mbrëmë, rreth orës 17:30, para godinës së Parlamentit janë mbledhur me dhjetëra e dhjetëra protestues, të cilët kanë hedhur parulla kundër dyshes Rama-Berisha dhe i kanë siguruar deputetët se mbështetja e tyre do të jetë deri në fund. Greva e urisë dhe protesta vazhdon ende, duke mos bërë asgjë të qartë deri më tani sesi do të rrjedhin ngjarjet.

PDK: Berisha të marrë përgjegjësi për zgjidhjen e krizës

Demokristianët kanë reaguar pas deklaratës së bërë nga Kryeministri Berisha në Bruksel. Sipas drejtuesve të PDK-së, Kryeministri dezinformoi opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar për objektin e grevës së urisë së dhjetë deputetëve të Parlamentit shqiptar. Në deklaratën e PDK-së thuhet se deputetët e saj nuk janë në grevë urie për të mbështetur një koalicion të majtë opozitar, por janë në grevë urie për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme për shqiptarët. PDK-ja i ka bërë thirrje Kryeministrit Berisha që të ndalë luftën e tij të paprinciptë kundër demokristianëve shqiptarë dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë. "Nëse Edi Rama ka vendosur të hartojë një kod zgjedhor përjashtues, që legjitimon vjedhjen e votës së shqiptarëve, z.Berisha nuk ka pse të bëhet palë me të keqen, palë me shkatërruesit e procesit zgjedhor, sepse përgjegjësia kryesore do të jetë e tij dhe vetëm e tij", thuhet në deklaratë.

Takimi

Brokaj: Mospërfillja e kësaj greve po merr karakter kriminal

Dhjetë deputetë grevistë dje janë vizituar nga ish-deputeti i LSI-së, Sabit Brokaj. Pas kësaj vizite, e cila është realizuar rreth orës 14:30, ish-deputeti Brokaj ka informuar edhe mediat në lidhje me gjendjet e tyre shëndetësore. "Mjaft i kërcënuar është deputeti Frrok Gjini, i cili ka ndaluar tërësisht marrjen e ujit, dhe nuk pranon të marrë ndihmën mjekësore, dhe ky problem në rastin konkret e shpejton mundësinë e një aksidenti", është shprehur Brokaj. Por, ka theksuar ai, përveç Gjinit, problem është edhe shëndeti i Spartak Brahos, i cili është diabetik, me korare të ngushtuara, të paktën të provuar në skaner deri në 60%, ku kërcënohet nga lëvizjet e sheqerit në gjak, nga stresi, nga hipertonia, prej së cilës vuan dhe mjekohet. Nuk mund të pritet më, ka theksuar Brokaj, duhet të pranohet një zgjidhje e kësaj greve, e cila tashmë në aspektin mjekësor po rëndohet çdo ditë e më shumë. "Mospërfillja e kësaj greve po merr karakter kriminal dhe zbehet aspekti politik e ngrihet ai njerëzor. Kërcënohet jeta e deputetëve dhe në këtë pikë ata që nuk realizojnë zgjidhjen mbajnë përgjegjësi", është shprehur Brokaj. Ditët e fundit deputetët grevistë kanë marrë mbështetje edhe nga disa personalitete të rëndësishme, si nga ish-presidenti Moisiu, ish-presidenti Meidani, patriarku i së majtës, Agolli, nga organizmat ndërkombëtarë, por edhe nga deputetë të Kuvendit si Besnik Mustafaj dhe të tjerë. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe deputetët grevistë janë vizituar edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Topalli dhe nënkryetari Ceka.

Ministria e Shëndetësisë: Gjendja e deputetëve po rëndohet

Gjendja e dhjetë deputetëve grevistë është përgjithësish e qëndrueshme, por ka ulje të parametrave klinikë. Kjo është deklarata e drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët po ndjekin nga afër prej gjashtë ditësh grevën e urisë së deputetëve. Sipas tyre, zgjatja e kohës së grevës së urisë po jep ndikimin e vet, pasi te disa deputetë janë shfaqur dukshëm shenjat e hipertensionit, që shkaktohet nga mungesa e lëngjeve. Ministra e Shëndetësisë bën të ditur se mjekët e saj vazhdojnë të vizitojnë deputetët, duke u interesuar për gjendjet e tyre çdo tri orë, dhe pas këtyre vizitave rezulton se deputeti Spartak Braho është në rrezik potencial, pasi ai vuan nga diabeti dhe ka ngushtim të enëve të gjakut të zemrës. Por pavarësisht ndërhyrjeve të mjekëve, bëhet e ditur se Braho nuk pranon të dalë nga greva e urisë. Gjithashtu, jo shumë e qëndrueshme është gjendja shëndetësore edhe për deputetin Frrok Gjini, i cili prej dy ditësh ka përshkallëzuar grevën e tij duke refuzuar të pijë ujë dhe të marrë mjekimin e mjekëve. Në orët e pasdites, interesimi i mjekëve ndaj deputetëve grevistë ka ardhur duke u shtuar. Ata kanë nisur ekzaminimin e plotë të të gjithë deputetëve, duke iu bërë analizat në QSUT. Dhjetë deputetëve u janë marrë kampionët e gjakut dhe po u bëhet një ekzaminim i plotë për të mësuar më konkretisht se cila është gjendja e tyre shëndetësore, pasi greva e urisë po hyn në ditën e shtatë dhe ata nuk kanë ndërmend të tërhiqen prej saj.

Grevistët kërkojnë konsensus. Letër Topit, Berishës e Ramës

Komisionerë jopolitikë, ose përfaqësim të partive parlamentare

Dardan Malaj

Plot 12 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfshirë edhe ata që janë ngujuar në grevë urie, iu drejtuan dje me një letër krerëve të shtetit dhe përfaqësive të huaja diplomatike. Në këtë dokument kërkohet gjetja e një zgjidhjeje për çështjen e administrimit të zgjedhjeve dhe përfaqësimit me komisionerë. Dokumenti i është nisur Presidentit Bamir Topi, Kryeparlamentares Jozefina Topalli, Kryeministrit Sali Berisha, liderit të opozitës, Edi Rama dhe tre ambasadorëve kryesore të SHBA, OSBE dhe KE. Firmëtarët konstatojnë se zgjedhjet e vitit 2009 janë sfida kryesore që ka Shqipëria në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe NATO. "Reforma zgjedhore dhe Kodi i ri Zgjedhor, i dalë si produkt i bashkëpunimit të ngushtë midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, sjellin pengesa serioze në zhvillimin e demokracisë në vend, dhe realizimin e standardeve të kërkuara për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri", shkruhet në letër. Kodi i ri Zgjedhor vlerësohet se shënon hapa të rrezikshëm mbrapa në standardet e administrimit të zgjedhjeve. "Për herë të parë në historinë e Shqipërisë demokratike, komisionet e administrimit të zgjedhjeve monopolizohen nga dy parti politike, dhe ndërtohen mbi kriteret e mbylljes dhe përjashtimit", nënvizojnë grevistët. Sipas tyre, kjo "reformë" i siguron kontrollin e gjithë procesit të administrimit të zgjedhjeve vetëm dy forcave politike, të cilat mbeten përgjegjëset e deformimit të gjitha zgjedhjeve në Shqipëri. Të vegjlit thonë se kodi i propozuar përbën një shkelje flagrante të Dokumentit të Kopenhagenit mbi Dimensionin Human dhe Rregullat e Konkurrimit Politik. Neni 7.6, i këtij dokumenti, i garanton të drejtën individëve apo partive politike për të konkurruar në bazë të një trajtimi të barabartë përpara ligjit dhe autoriteteve. "Qëndrimi i OSBE dhe ODIHR, të cilët kanë monitoruar zgjedhjet e kaluara në Shqipëri, ka qenë shumë i qartë, për sa u përket procesit të administrimit të zgjedhjeve dhe përbërjes së komisioneve zgjedhore", thonë deputetët grevistë. Duke shprehur shqetësim se PS-PD po marrin kontrollin absolut të administrimit të zgjedhjeve, sepse 100% e përbërjes së komisioneve zgjedhore miratohet vetëm prej tyre: 5 anëtarë i marrin drejtpërdrejt dhe 2 të tjerët indirekt. "Ky standard do detyrojë popullin shqiptar të bojkotojë zgjedhjet e ardhshme dhe të humb besimin te vota e lirë", theksojnë deputetët. Ne, deputetët greviste, shtojnë ata, nuk jemi futur në këtë grevë për interesat tona personale, apo për të garantuar nga një komisioner për partitë tona. "Ju propozojmë që të bëjmë një depolitizim të plotë të gjithë komisioneve të administrimit të zgjedhjeve, duke zgjedhur gjithë anëtarët e tyre nga shoqëria dhe administrata civile, jo anëtar të forcave të ndryshme politike", shkruhet në letër. Në këtë mënyrë mendohet se të gjitha partitë bëhen të barabarta para ligjit, pasi përbërja politike e administratës zgjedhore kur mbetet si opsion nuk është aspak çështje teknike. Në pamundësi për këtë, grevistët propozojnë t‘u jepet mundësi të gjitha partive parlamentare apo grupimeve të tyre në koalicione zgjedhore të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në komisionet e administrimit të votave dhe zgjedhjeve. "Ne propozojmë që shteti mos të marrë përsipër pagesën për këta komisionerë, por partitë të gjejnë vullnetarë për t‘i përfaqësuar ato pa shpërblim", përfundon letra.

ZMQ: Të rritet transparenca për publikun dhe grupet e interesit

Kodi Zgjedhor, jo si "Kodi i da Vinçit"

Zyra e Mbrojtjes së Qytetarëve u përfshi dje në diskutimet për reformën zgjedhore dhe grevën e urisë së 10 deputetëve. Në një komunikim me median u shpreh shqetësim se, megjithëse pritet që ky Kod të miratohet së shpejti, ende grupet e interesuara, publiku, madje as vetë deputetët, nuk janë njohur me përmbajtjen e këtij Kodi. "Mungesa e kohës për diskutimin e këtij Kodi hedh hije dyshimi për gjithë procesin e hartimit të tij dhe ngre pikëpyetje serioze për zgjedhjet e vitit 2009", vlerësuan drejtuesit e ZMQ. Zgjedhjet e ardhshme konsiderohen si sfida kryesore që ka vendi për vitin e ardhshëm. ZMQ konstaton se mënyra se si po procedohet me Kodin Zgjedhor shkon ndesh me praktikat e një vendi demokratik. Teksa kërkon bërjen publike të kodit në mënyrë që grupet e interesuara të kenë mundësi të njihen dhe të kenë kohën e mjaftueshme për të dhënë sugjerimet e tyre. Në këtë procedurë, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve vëren me shqetësim se nuk janë garantuar asnjë nga format e përfshirjes së publikut dhe informimit të tij për këtë proces të rëndësishëm. Transparenca dhe debati në një klimë të qetë politike, konsiderohen si kushte kryesore për të siguruar klimën e mirëbesimit jo vetëm mes aktorëve politike, por edhe mes shoqërisë civile e publikut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›