E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: PD nuk i pëlqen rregullat e lojës

• Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka ka reaguar dje pas shtyrjes nga ana e Kryeministrit Berisha të tryezës së partive të koalicionit të djathtë.Duke përdorur gjuhën e futbollit, kreu i demokristianëve është shprehur se Partia Demokratike është mësuar të shënojë gjithmonë në minutat shtesë, teksa ka shtuar se forca më e madhe e koalicionit të djathtë nuk i pëlqen rregullat e lojës. "Partia Demokratike gjithmonë ka bërë gol në minutat shtesë. Ajo nuk i pëlqen rregullat e lojës dhe në fund përsëri ka humbur me penallti", deklaroi Ndoka në një prononcim për gazetën pas deklaratës së kreut të qeverisë nga qyteti i Elbasanit. Gjatë paradites së djeshme kreu i PDK-së, theksoi se takimi i aleatëve të djathtë lidhur me reformën zgjedhore, është i rëndësishëm për të biseduar rreth planit të demokratëve për çështjen e sistemit. "Kjo do të jetë një tryezë konsultimesh. Të bisedojmë me njëri-tjetrin dhe të marrim vesh planet e Partisë Demokratike për reformën zgjedhore", theksoi Ndoka. Sipas kreut të PDK-së, në këtë tryezë duhet të diskutohet pozicioni i PD-së, për sistemin, koha kur do kalojnë për miratim në Parlament, ndryshimet kushtetuese apo edhe afati kur do të përfundojë reforma zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›