E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nga Elbasani: Nuk kam kohë të pres aleatët

• Kryeministri Sali Berisha ka shtyrë për një ditë tjetër mbledhjen e koalicionit të djathtë ku pritej që t'i jepte shpjegime aleatëve për draftin e mbështetur të Partisë Socialiste.Megjithëse i kishte premtuar kreut të republikanëve, Fatmir Mediu se do të mblidhte aleatët në tryezë menjëherë pasi të vinte nga Brukseli, kreu i qeverisë duket se ka ndërruar mendje gjatë ditës së djeshme. Pas festimeve në qytetin e Elbasanit me rastin e ditës së verës, kreu i qeverisë u shpreh se në radhët e koalicionit të djathtë nuk ka asnjë mosmarrëveshje, teksa ka shtuar se për shkak të axhendës së ngjeshur të ditës së djeshme nuk do të kishte mundësi të takohej me aleatët. "Në radhë të parë unë nuk di të ketë mosmarrëveshje. Së dyti, natyrisht që aleatët do t'i takoj, por sot kam një axhendë që nuk ma mundëson këtë gjë. Por do t'i takoj gjatë ditëve në vazhdim. Unë jam në takime të vazhdueshme me aleatët. Theksoj se nuk ka mosmarrëveshje, por ka gjëra të diskutueshme", u shpreh Kryeministri Berisha nga qyteti i Elbasanit. Dy ditë më parë gjatë pjesëmarrjes në samitin e radhës së Partive Popullore Evropiane, kreu i qeverisë u shpreh i bindur se reforma zgjedhore do të mbyllet shumë shpejt, pasi sipas tij do të mbizotërojnë interesat për të ardhmen e vendit. "Asnjë dyshim nuk ka se do mbyllet reforma zgjedhore dhe se Shqipëria është në një stad dhe një kulturë të tillë politike në të cilën në çdo rast do të mbizotërojnë interesat më të mira të vendit", u shpreh kreu i qeverisë. Pranimi nga ana e Partisë Demokratike të draftit të paraqitur nga socialistët për reformën zgjedhore, ç'ka në thelb ndryshon sistemin zgjedhor në një sistem proporcional rajonal, ka shkaktuar pakënaqësi të partive të vogla të koalicionit të djathtë, të cilët i kanë kërkuar Berishës shpjegime për sistemin e ri. Disa herë radhazi aleatët e koalicionit qeverisës, kanë bërë thirrje për mbledhjen e tryezës, për të gjetur një gjuhë të përbashkët për sistemin. Por me gjithë kontradiktat publike, qeverisja e djathtë duket se nuk do të preket. Partia Republikane nuk do të dalë nga koalicioni, pavarësisht mosmarrëveshjeve me Partinë Demokratike për sistemin e ri zgjedhor. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, tha në një prononcim për mediat se vullneti i maxhorancës është për ta zgjidhur në mënyrë të përbashkët këtë çështje. "Unë po them se vullneti i maxhorancës është i plotë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, që nuk besoj se do të vijë puna për të diskutuar për të dalë nga koalicioni. E di që ka dëshira për të dalë nga koalicioni", theksoi Mediu. Nga ana tjetër edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka kërkuar mbledhjen e koalicionit të djathtë për të diskutuar se çfarë qëndrimi do të mbahet për reformën zgjedhore. a.sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›