E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputeti i LSI-së reagon për pushtetin vendor

Monedha shqiptare humbi 59 qindarka të tjera dje në këmbimin kundrejt euros, duke shënuar një rekord tjetër negativ shumëvjeçar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, një euro kushtoi mesditën e djeshme mesatarisht 134.31 lekë, 57 qindarka më shtrenjtë sesa të premten e kaluar. Hera e fundit që leku ka qenë kaq i dobët, qe janari i vitit 2004.

Ndërkohë, deputeti demokrat, Sybi Hida, ish-drejtor i Drejtorisë së Politikave Makro në Ministrinë e Financave, mendon se qeveria nuk është përgjegjëse për zhvlerësimin e monedhës kombëtare.

"Sa i takon euros, është spekuluar shumë në media. Për mendimin tim nuk ka ndonjë gjë për t‘u shqetësuar. Po të shikoni, euro është forcuar edhe ndaj monedhave të tjera", tha Hida dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë gjatë diskutimit të ndryshimeve në buxhetin e vitit 2009.

Leku ka humbur deri tani 8.7 për qind të vlerës që nga janari i këtij viti dhe euro është 9.64 për qind më e shtrenjtë sesa një vit më parë.

Shkaqet e lekut të dobët

Si qeveria, ashtu edhe Banka e Shqipërisë, nuk kanë shprehur shqetësim për ecurinë e kursit të këmbimit. Gjatë ditëve të fundit, qeveria duket se po qartëson opinionin e vet mbi këtë problem. Sipas Kryeministrit Sali Berisha, leku është dobësuar për shkak se "euro është monedhë e fortë që na bën presion." Edhe deputeti Hida, thotë se është forcuar euro, pra problemi nuk qëndron te leku.

Banka e Shqipërisë ka përmendur shkarazi apo në mënyrë indirekte, në shumë raste kontributin e qeverisë në zhvlerësimin e lekut, por guvernatori Ardian Fullani, i pyetur në mënyrë eksplicite, deklaroi se "leku është dobësuar për shkak të krizës botërore". Më herët, Banka e Shqipërisë pati publikuar një studim ku dilet në konkluzionin se deficiti i lartë buxhetor në Shqipëri kontribuon në dobësimin e lekut. Zyrtarisht, BSH thotë se: "Përkeqësimi i bilancit të pagesave, nënçmimi i kursit të këmbimit dhe vijueshmëria e politikave fiskale ekspansioniste do të përbënin rreziqe në kahun rritës të inflacionit. Ecuria e kursit të këmbimit do të varet nga ecuria e kërkesës dhe ofertës në treg, në përputhje me regjimin e lirë të kursit të këmbimit të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Megjithatë, politika jonë monetare mbetet e vendosur të faktorizojë luhatjet e mëdha të kursit të këmbimit në vendimmarrjen e saj, duke kërkuar njëkohësisht edhe mbështetjen dhe sjelljen racionale të të gjithë aktorëve të tjerë ekonomikë dhe makroekonomikë.

Banka e Shqipërisë gjykon se qartësimi i pozicionit të ardhshëm fiskal dhe i impaktit të tij mbi bilancin e pagesave do të krijonte hapësira për ndjekjen e një politike monetare më liberale".

Në mënyrë indirekte, BSH thotë se ulja e shpenzimeve buxhetore do të ndihmojë në stabilizimin e lekut. Qeveria refuzon të ndërmarrë masa drastike në këtë drejtim. Dje, qeveria miratoi përdorimin e një fondi valute të akumuluar nga privatizimet për të mbuluar deficitin në rritje të buxhetit të shtetit dhe ekspertët e sistemit bankar mendojnë se ky veprim dha një sinjal negativ në treg.

Ish-zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, deklaroi për revistën "Monitor", se presioni mbi lekun pritet të jetë më i dobët në pjesën e mbetur të vitit. "Ka shanse për forcim të lekut, sepse ne kemi bërë një shpërndarje të shpenzimeve dhe të deficitit dhe presioni në ekonomi për inflacion dhe disbalancë do të jetë më i ulët, të paktën në raport me pjesën e parë të vitit", tha ai, duke pranuar se qeveria e ka një rol në ecurinë e kursit të këmbimit.

"Nëse qeveria mendon se duhet të shpenzojë rezervat e privatizimeve për të mbuluar deficitin e këtij viti, atëherë duhet të kemi parasysh se jo të gjitha problemet përfundojnë më 31 dhjetor", thotë një analist banke, duke kujtuar se situata e financave të qeverisë mund të jetë shumë më e keqe vitin e ardhshëm. Bankat në Shqipëri kanë zhvilluar gjatë viteve të fundit metoda të analizimit të rreziqeve që mbart leku dhe janë në gjendje t‘u paraprijnë rreziqeve.

Deficit-importe-zhvlerësim

Ekspertët dhe Banka e Shqipërisë vlerësojnë se shpenzimet e tepërta të qeverisë shkaktojnë rritje të importeve dhe të llogarisë korrente. Pra, kur qeveria shpenzon me tepri lekë, këto lekë këmbehen në euro, gjë që rrit presionin mbi monedhën kombëtare. Ky aludim bazohet në një hipotezë amerikane të viteve ‘80. Hipoteza e deficiteve binjake sugjeron se deficiti i lartë i qeverisë sjell në shkallë të gjerë importe të larta dhe zhvlerësim të monedhës. Në këto kushte, ilaçi i vetëm është ulja e shpenzimeve buxhetore. Qeveria ka bërë pikërisht të kundërtën. Në maj, rriti për qëllime elektorale pagat dhe pensionet me 10 për qind, ndërkohë që të ardhurat e buxhetit të shtetit qenë rritur me vetëm 5 për qind. Diferenca konvertohet automatikisht në zhvlerësim të lekut dhe inflacion. Pra në maj, qeveria nuk u dha pensionistëve dhe rrogëtarëve të shtetit rritje të ardhurash, por para borxh, të cilat qytetarët po i paguajnë në formë inflacioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›