Deputeti i PS, Harasani: Në shkurt, jemi në Kuvend
TIRANE-Deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS presin që i gjithë grupi parlamentar i Partisë Socialiste të vendosë të hyjë në Kuvend para fillimit të marsit, kur ndërpriten mandatet e tyre. Vetëm me praninë në sallën e parlamentit, sipas njërit prej këtyre deputetëve, Andis Harasani, mund të bëhet e mundur edhe thirrja e zgjedhjeve të parakohshme. I pyetur nga “Gazeta Shqiptare” në lidhje me propozimin e ish-kreut socialist të Kuvendit, Servet Pëllumbi, se Presidenti në rast të moshapjes së kutive duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme, Harasani shprehet se “nuk e di se si mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme kur deputetët janë jashtë parlamentit”. Kjo, sipas Harasanit, nuk mund të arrihet në këtë mënyrë. “Berisha e ka thënë qartë që nuk do të pranojë t’i hapë kutitë, - vijon komentin e tij Harasani. - Kur u diskutuan ndryshimet kushtetuese, Rama dhe Berisha, me të drejtë, duke pasur parasysh në radhë të parë stabilitetin e vendit, ndryshuan Kushtetutën dhe tashmë duhen 71 vota për të kaluar në zgjedhje të parakohshme. Dhe sikur PS-ja të hyjë në parlament, ne nuk i kemi këto vota, kështu që nuk e kuptoj këtë kërkesë të z. Pëllumbi”, - theksoi Harasani. Ndërkohë në një prononcim televiziv, ai shprehet se “jam i sigurt që brenda janarit apo shkurtit do të ketë një mbledhje të Asamblesë së Partisë Socialiste ku do vendoset. Unë dyshoj që do merret vendimi për të hyrë në parlament”. “Të mos harrojmë që ky qëndrim u kushtëzua me hapjen e kutive. Ka qenë një qëndrim i vendosur i zotit Rama ku është kërkuar hapja e kutive dhe në qoftë se kutitë nuk hapen, nuk hyjmë në parlament”, - kujton deputeti socialist, i pozicionuar tashmë si një prej kundërshtarëve të kreut të partisë, Edi Rama. Harasani nuk eshte i vetem ne kete qendrim. Dy prej deputetëve të LMN-së, Marko Bello e Kastriot Islami janë shprehur se mund të hyjnë në Kuvend kur vota e tyre të jetë e domosdoshme për proceset integruese të vendit. Pritet që në ditët në vijim PS-ja të thërrasë një mbledhje të Asamblesë Kombëtare, e cila në fakt ishte menduar t’i dedikohej problemeve ligjore, por tashmë situata ka ndryshuar për shkak të përmbytjeve. (d.b/GSH/BalkanWeb)