Deputeti Çota: Stëbleva iu rikthye normalitetit, do të përballojmë çdo situatë të vështirë
Librazhd, hapet rruga që lidh komunën Stëblevë me qytetin
Pas rreth një muaji bllokim nga dëbora, dje është arritur të hapet plotësisht rruga kombëtare që lidh qendrën e komunës së Stëblevës me qytetin e Librazhdit. Reshjet intensive të dëborës që ranë pa ndërprerje për një periudhë të gjatë e izoluan plotësisht komunën e Steblevës në nënprefekturën e Librazhdit duke krijuar një situatë të rënduar emergjence, e cila u përballua me vështirësi nga ana e banorëve të fshatrave të kësaj zone.
Dëbora në këtë zonë arriti trashësinë e rreth një metër e gjysmë, ndërsa dje u bë e mundur që rruga t’i kthehej normalitetit, pas reshjeve të dendura të dëborës.
Mësohet gjithashtu se gjatë mëngjesit të ditës së djeshme për familjet në nevojë janë shpërndarë edhe një sasi e konsiderueshme ndihmash ushqimore. Kreu i komunës Steblevë, Alban Fejzo, u shpreh se “disa nga këto familje janë ende të bllokuara, por po punohet për zhbllokimin e rrugës me fadroma”.
Nga ana tjetër, deputeti Rrahim Çota theksoi se nga ana e strukturave shtetërore po bëhet gjithçka për të rikthyer normalitetin në këtë zonë. Ai garantoi angazhimin e plotë të shtabit të emergjencës, për t’i paraprirë çdo situate anormale të këtij dimri të pazakontë.
...