Der Standard: Serbia duhet të mbahet nën presion
Por, nëse nuk “dozohet ky presion si duhet”, Serbia mund të kthehet në drejtim tjetër, vlerëson ditorja vjeneze “Der Standard”, transmeton Telegrafi.Me rastin e zgjedhjes së qeverisë së re, gazeta shton se përbërja e re, më shumë se ajo paraprakja, do të investojë përpjekjet e saja për ta dëshmuar orientimin pro-evropian në mënyrë që Serbia të pranohet si partnere e barabartë nga Perëndimi.
“Para së gjithash ndaj çështjes së Kosovës, por edhe ndaj Bosnjës”, vlerëson ditorja. “Gjithashtu, nuk ka asnjë dyshim se vendet e BE-së e që njohën pavarësinë e Kosovës, si dhe SHBA-ja, do ta shfrytëzojnë këtë. Mirëpo, nëse nuk dozohet presioni perëndimor, Serbia mund të shkojë në një drejtim tjetër”.
“Der Standard” shkruan se kryeministri serb Daçiq ka nevojë për para, ndërsa ato para i ofron Rusia.
“Serbia ka nevojë për investime të huaja, e rusët janë këtu. Nëse Serbia, siç ishte rasti me industrinë e naftës, ia shet rusëve elektro-industrinë, Moska do ta kontrollojë energjinë e tërë shtetit”, thekson gazeta, duke shtuar se atëherë është njëjtë nëse Serbia i fillon bisedimet për anëtarësim në BE apo nëse do të mbetet kandidat i përhershëm.
“Der Standard” vlerëson se, duke e ditur rrugën e deritashme të Daçiqit, nuk ka asnjë dyshim se ai do të marrë gjithçka parasysh vetëm e vetëm që të mbetet në pushtet.
Gjithashtu, gazeta cek mediumet perëndimore, të cilat cekin se me gjithë shpjegimet e kryeministrit Daçiq se nuk ka kthim në luftën e viteve “90 dhe se integrimi evropian është prioritet i qeverisë së re, ai ishte zëdhënës i Sllobodan Milosheviqit, si dhe partneri kryesor i qeverisë së re të “ultranacionalistes SNS, e cila para tre vjetësh, brenda natës u shndërrua në parti pro-evropiane”.