E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dera e hapur

Historia e trazuar e Diego Maradonës si selektor i Argjentinës mund të mos ketë përfunduar ende, pasi drejtori i përgjithshëm i ekipit kombëtar, Carlos Bilardo ka thënë se fituesi i Kampionatit botëror 1986 në të ardhmen mund të kthehet në detyrë.

Javën e kaluar, Maradona u largua nga posti i selektorit, pasi Federata e Futbollit të Argjentinës (AFA) vendosi të mos ia vazhdojë kontratën pas kërkesës së tij që të mos preket askush nga stafi i tij teknik. Argjentina u eliminua në çerekfinale të Kampionatit botëror 2010, pas humbjes së thellë 4-0 nga Gjermania.

Por, sipas Bilardos, Maradona mund të kthehet në postin të cilin e mbajti nga nëntori i vitit 2008. “Diego Maradona mund të kthehet. Unë nuk ia mbylli derën. Nëse ai vjen për të folur nuk e di se çka mund të ndodhë”, tha Bilardo për Todo Noticias. Bilardo u akuzua nga Maradona për “tradhti” pas vendimit të AFA-s se El Pibe de Oro nuk do të vazhdon detyrën e selektorit. “Nuk e di se kur mund të ndodhë, por ekziston mundësia e një takimi tjetër”, shtoi Bilardo.

Ndërsa, agjencia e lajmeve argjentinase, Telam ka cituar të afërm të Maradonës që nuk e kanë përjashtuar mundësinë e rikthimit të tij në drejtim të ekipit kombëtar. Mirëpo, një anëtar i Komitetit Ekzekutiv të AFA-s, emri i së cilit nuk është bërë publik, ka thënë për Telam se, “Maradona nuk ka gjasa, por do të shohim se çka do të ndodhë në ditët e ardhshme”.

Ndërsa në mediat argjentinase janë publikuar deklaratat nga Oscar Rugeri, mik i ngushtë i Maradonës, që besohet të ketë qenë njëri prej arsyeve për vendimin e AFA-s. Maradona thuhet se e kërkonte Rugerin përkrah tij në bankinën e Argjentinës, që refuzohej nga AFA.

“Në Afrikën e Jugut, presidenti i Federatës, Julio Grondona i ka thënë Diegos që të mos flasë për mua, sepse edhe ashtu do të më qëllojnë në këmbë”, tha Rugeri për një televizion argjentinas.

Mirëpo, Grondona është përgjigjur menjëherë: “Janë fjalë të keqinterpretuara dhe absolutisht të pavërteta”. Ndeshja e ardhshme e Argjentinës është miqësorja kundër Republikës së Irlandës më 11 gusht në Dublin dhe selektori i ekipit U-20, Sergio Batista është emëruar përkohësisht në detyrë. Batista udhëhoqi Argjentinën drejt medaljes së artë në Lojërat Olimpike 2008 në Pekin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›