E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia ngjitet e para, Tirana merr 1 pikë në Kavajë

 

Vllaznia ka mundur të rimarrë kreun e Kategorisë Superiore, pas ka fitores 2-1 ndaj Shkumbinit në Lushnjë e kombinuar edhe me barazimin e tensionuar në Kavajë, Besa-Tirana 1-1. Rezultatet pas dy transfertave të kryesueseve sjell rokadën e madhe në tabelën e klasifikimit. Vllaznia, e para me 60 pikë; Tirana, e dyta me 59 pikë. Java e 30-të e Superiores kishte në fokusin e saj dy ndeshjet e vështira të kryesuesve, që kishin rezervuar edhe surpriza.
BESA-TIRANA 1-1
Me dy kartonë të kuq (Nallbani e Lila) e një barazim 1-1 në stadiumin e Kavajës kundër Besës, Tirana jo vetëm që humbi 2 pikë të mëdha, por edhe kreun e klasifikimit, kur tri javë përpara përfundimit të sezonit e sheh veten me një pikë më pak se Vllaznia kryesuese. Besa shfaqet papritur aleatja e dytë më e madhe e shkodranëve në javën e 30-të të Superiores, së bashku me Shkumbinin. Një javë më parë në “Loro Boriçi”, Besa humbi 3-2 me Vllazninë edhe pse kaloi dy herë në avantazh. Dy muaj pa rroga, por me një premio stërmadhe të premtuar nga Bizhdili, lojtarët e Besës bënë të pamundurën për të ndalur marshimin e Tiranës. Migen Memelli shënoi për Tiranën në minutën e 20-të, duke u ngjitur në kuotën e 20 golave. Pjesa e parë mbyllet me kartonin e kuq të sulmuesit të Besës, Gerhard Progni (43’) dhe me fitoren e Tiranës, ndërkohë që në Shkumbini-Vllaznia mbyllej 1-1, ç’ka do të thoshte 3 pikë avantazh për bardheblutë. Fraksioni i dytë prodhoi golin e barazimit të haitianit Fortunat (74’), një gol të anuluar të Besës e më pas dhe kartonin e kuq të portierit të Tiranës, Blendi Nallbani. Fundi i 90-minutave u shoqërua me kartonin e kuq të Andi Lilës, i dyti për bardheblutë e Kolës, por dhe me korin e fyerjeve ndaj finalistëve të Kupës së Shqipërisë.
SHKUMBINI-VLLAZNIA 1-2
I zhvilluar në një fushë asnjanëse dhe me një rezultat të pritshëm, sipas të gjithave aludimeve mediatike, Shkumbini-Vllaznia u shndërrua në një shfaqje teatrale. Shkumbini me ëndrrën për të zënë për herë të parë një vend në Evropë e Vllaznia për të fituar titullin e 10-të kampion në 90-vjetorin e themelimit të klubit zhvilluan një ndeshje më shumë se miqësore. Sulmuesi i Shkumbinit, Erjon Rizvanolli, shënoi pa kaluar ende 100 sekonda, ndërkohë që ai i Vllaznisë, Xhevahir Sukaj, barazoi në minutën e 30-të, duke shënuar golin e tij të 10-të sezonal. Raste të shumta të humbura nga shkodranët e Haxhiosmanoviçit. Talenti Ndriçim Shtubina gjeti më në fund rrjetën në minutën e 61-të dhe avantazhin e Vllaznisë (1-2). Më i lumturi u duk Ervin Llani, portieri i Shkumbinit. Festë në tribunën “VIP” të stadiumit “Roza Haxhiu” dhe batuta miqësore në ato të tifozerive kundërshtare. Tridhjetë minutat e tjera në pritje të fërshëllimës përfundimtare të gjyqtarit Artan Taullai dhe të takimit Besa-Tirana (1-1). Në fund brohoritje. Vllaznia e para, Tirana e dyta. Shkumbini barazohet me pikë nga Teuta.
Partizani-Apolonia
Falë golit të vonshëm të Besmir Begës (86’), Partizani i rrëmbeu tri pikë të mëdha Apolonisë (2-1). Karabeci shënoi me penallti për Partizanin (38’), ndërsa barazoi serbi Bërkiç (48’) për fierakët. Të kuqtë u ngjitën në kuotën e 33 pikëve, 4 më shumë se Apolonia e 5 më shumë se Bylisi, që nga ana e tij humbi me Teutën (1-0, gol i Hysës në të 79’). Elbasani nuk shkoi më shumë se një barazimi 1-1 në “Ruzhdi Bizhuta” me Flamurtarin: Stojku shënoi në të 16’, barazoi kroato-braziliani Alvizh (23’) për Flamurtarin. Lushnja nuk arriti dot ta ruante avantazhin e krijuar nga Klodian Arbëri (16’) me Dinamon (1-1), pasi Sebino Plaku barazoi me me penallti në minutën e 57-të. Goli i 18-të sezonal për Plakun e Dinamos, dy më pas se Memelli (Tirana, 20 gola).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›