Kredia e keqe, “mbyt” Përmbarimin
Fatos Mahmutaj
Qytetarët nuk paguajnë, lum kredish të këqija në përmbarim. Alarmi vjen nga kryepërmbaruesi i Tiranës, Arjan Bylykbashi, i cili duke e përkthyer në shifra këtë pohon se mbi 800 dosje me tituj ekzekutiv ndodhen momentalisht në duart e vartësve të tij për ekzekutim. Janë të gjitha kredi të pashlyera në kohë dhe për më tepër bankat kanë humbur besueshmërinë e klientëve, duke i dërguar fillimisht në gjykatë dhe më pas në përmbarim, për t’iu sekuestruar kolateralët apo pasuritë e tjera, me qëllim për të kompensuar sadopak borxhin bankar. Por jo vetëm kaq. Katër muajt e parë të këtij viti, Gjykata e Tiranës ka gjykuar rreth një mijë kërkesa të bankave kundër qytetarëve që nuk paguajnë kredinë në kohë, ndërsa kjo shifër bëhet më e madhe se tre mijë nëse shtohen edhe çështjet e njëjta të vitit të kaluar. Kryepërmbaruesi i Tiranës, i kontaktuar dje me telefon, pohoi këto shifra ndërsa pohoi se ndodhej në pritje të dorëzimit të kërkesave nga juristët e bankave.
Zoti Bylykbashi, në duart e përmbaruesve kryeqytetas ndodhen një numër i madh dosjesh, urdhra ekzekutivë. Çfarë dosjesh janë këto dhe si është kjo shifër e krahasuar me vitin e kaluar?
Shifra është e lartë, pasi aktualisht bëhet fjalë për rreth 800 dosje, të cilat kanë mbërritur nga bankat në institucionin tonë ku kërkohet ekzekutimi i tyre, ose e thënë ndryshe, rikthimi i shumave të tërhequra në formë kredie. Krahasuar me vitin e kaluar, kjo shifër është e lartë pasi, një vit më parë përmbaruesit kishin në duar më pak se 100 dosje. Këto dosje përmbajnë kryesisht kredi me vlera të vogla. Pra ato që quhen në gjuhën bankare “kredi konsumatore”. Vlera maksimale e tyre shkon në më pak se një milionë lekë të reja. Por jo të gjitha dosjet që kanë mbërritur tek ne, përmbajnë tërësisht shumën e tërhequr. Një pjesë të mirë e tyre u ka mbetur vetëm një sasi e vogël për t’u shlyer, ose disa këste. Kredimarrësit nuk kanë paguar këto këste duke detyruar bankat në bazë të kontratës së kredidhënies t’i drejtohen gjykatës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit dhe më pas juristët e bankave i drejtohen përmbarimit. Veç këtyre ka edhe dosje që përmbajnë shuma më të mëdha, ose kredi në shifra të larta, të cilat tashmë u janë dorëzuar përmbaruesve për t’i ekzekutuar ato.
Sa i suksesshëm ka rezultuar ekzekutimi përfundimtar i këtyre dosjeve?
Ato kredi për të cilat është një kolateral peng janë ekzekutuar menjëherë në masën 100 për qind. Përmbaruesit në zbatim të ligjeve u kanë kërkuar palëve humbëse që të ekzekutojnë në mënyrë vullnetare kreditë dhe menjëherë pas konsumimit të afateve dhe procedurave ligjore, përmbaruesit kanë vepruar duke bllokuar apo sekuestruar pasuritë e lëna peng. Këto janë rastet më të lehta të ekzekutimeve. Por ka edhe raste të tjerë kur kreditë nuk kanë pasur kolateral dhe në këtë rast përmbaruesit kanë vepruar në bashkëpunim me institucionet e tjera për të përmbushur detyrën. Kështu, janë bërë verifikime për pasuritë e tyre në hipotekë, Drejtorinë e Transportit dhe institucione të tjera. Jo në pak raste, përmbaruesve u është dashur të dalin edhe nëpër rrugë bashkë me policët e qarkullimit për të bllokuar mjetet e atyre qytetarëve që i detyrohen përmbarimit dhe që kanë fshehur pasuritë e tyre. Në raste të tilla nuk bëhet fjalë të ketë llogari bankare të debitorëve.
Në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës së Tiranës është bërë e ditur se vetëm për katër muajt e parë të këtij viti janë gjykuar 977 kërkesa të bankave për lëshimin e urdhrave të ekzekutimit ndaj atyre personave që nuk kanë shlyer në kohë kreditë. Një numër më i madh çështjesh të tilla janë shqyrtuar nga gjykata vitin e kaluar dhe pritet të mbërrijnë në institucionin tuaj së shpejti. Ç’mund të thoni për këtë?
Presim të na i sjellin këto dosje, të cilat do u shtohen atyre që përmbaruesit kanë në dorë.
Kreditë, s‘ka regjistër elektronik
TIRANE – Mosekzistenca e një regjistri elektronik të kredive bankare ka bërë që vitet e fundit në mbarë vendin të përhapej fenomeni i tërheqjes së disa kredive nëpër banka të ndryshme me të njëjtën kolateral. Por që nga fillimi i këtij viti duket se ky fenomen ka marrë fund, pasi tashmë bankat shqiptare nëpërmjet një sistemi të përbashkët mund të verifikojnë qytetarët që kanë tërhequr kredi më parë, si dhe mënyrën e shlyerjes së tyre. Por deri tani, duket se kjo metodë u ka shërbyer mjaft personave për të tërhequr kredi, në mjaft raste edhe në shuma të mëdha ndërsa ato kanë mbetur të pashlyera. Banka që ka vepruar më parë ka bllokuar pasurinë e lënë peng, ndërsa bankave të tjera u kanë mbetur në duar dokumentet e borxhit, të cilin e kanë klasifikuar si “kredi të keqe”. f.m.