Taksat e larta, 200 biznese falimentojnë
GJIROKASTER - Mbi 200 biznese në Gjirokastër kanë mbyllur aktivitetin gjatë dy viteve të fundit. Ky fakt bëhet i ditur nga burime pranë qendrës rajonale të regjistrimit të biznesit. Shumë biznesmenë pohojnë falimentin e tyre në aktivitetet private, të cilat kanë rezultuar të pasuksesshme. Dy prej tyre të ardhur nga Greqia para tre viteve, për të çelur biznesin e tyre të tregtimit të mishit dhe një punishte qëndistarie, pohojnë se taksat vjetore në Shqipëri janë të papërballueshme. Vasil Llavdaniti nga Gjirokastra kishte ardhur me shpresën për t’u bërë biznesmen në Shqipëri nga Greqia. “Erdha me shpresën për t’u larguar nga shteti i huaj për të jetuar në vendin tim, si një biznesmen i vogël por u zhgënjeva. Hapa një qëndistari duke blerë makineritë moderne. Punësova 22 gra, por pas dhjetë muajve, falimentova dhe madje humba edhe ato para që i hodha për këtë biznes” u shpreh Llavdaniti. Sipas tij, dështimi ka ardhur si pasojë e konkurrencës së pandershme në treg dhe tarifat mjaft të larta vjetore nga taksat vendore e deri tek ato që duhet të paguash si garanci. Ndërkaq, një tjetër biznesmen nga Gjirokastra ka falimentuar në aktivitetin e tij pikërisht për shkak të taksave që i vihen biznesit apo dhe të mungesës së mbështetjes së shtetit ndaj biznesit në hapat e para të tij. “Që kur kam ardhur në Gjirokastër, mendova të ndërtoja biznesin tim. Por brenda dhjetë muajve e pata të pamundur të fitoja ato që unë hodha në ngritjen e aktivitetit. Të 20 mijë eurot që unë shpenzova për çeljen e aktivitetit të tregtimit të mishit shkuan dëm”, shprehet Viktor Caca. Sot njerëzit, sipas tij, shkojnë e blejnë mish në dyqane ku produktet kush e di se ku theret. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe mjaft biznese të tjera në rrethet e Tepelenës dhe Përmetit. p.n