Shoferi i dehur “fluturon” me makinë, vdes pas aksidentit fëmija 5-vjeçar
TIRANE - Një aksident i rëndë, i cili i mori jetën një fëmije 5-vjeçar, ndodhi mbrëmjen e të premtes në kryeqytet. Burime zyrtare të policisë së kryeqytetit, thanë se ngjarja ka ndodhur në orën 12:30 pranë ish-restorant “Durrësi” në Tiranë. Automjeti tip “Wolkswagen” me targa TR 37 80 H, ka qenë duke qarkulluar në këtë kohë në rrugën “Ferit Xhajko”, me shpejtësi tej normave të lejuara. Drejtuesi i makinës mësohet se ka humbur kontrollin e mjetit dhe si pasojë e daljes nga rruga është përplasur fillimisht me dy kazanë plehrash në anë të karanxhatës. Lëvizja e pa kontrolluar e mjetit ka vazhduar më pas në trotuarin e krahut tjetër të rrugës. Në këtë kohë, makina e cila kishte dalë jashtë kontrollit, ka goditur këmbësorët që po kalonin në trotuar duke u shkaktuar dëmtime serioze. Policia raportoi se si pasojë e goditjes nga makina, kanë pësuar dëmtime serioze kalimtarët Violeta Krosi, 22 vjeçe dhe nipi i saj S. Selaci, 5 vjeç. Ata janë dërguar menjëherë në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Sipas policisë, pas mjekimit të marrë gjatë ndihmës së menjëhershme mjekësore, fëmija 5-vjeçar nuk ka mundur të jetojë. Ai ka humbur jetën në rrethana tragjike, pasi dëmtimet e pësuara nga goditja prej mjetit kanë qenë të rënda. Drejtuesi i makinës që shkaktoi aksidentin, ishte larguar ndërkohë nga vendi i ngjarjes. Ky fakt konfirmohet nga policia e Tiranës, e cila tha se arriti të arrestojë autorin e ngjarjes, rreth pesë orë pasi kishte ndodhur aksidenti. “Rreth orës 19:00 nga specialistët e seksionit të Hetimit të Aksidenteve, u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Artur Teka, 32 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë”, thanë burimet zyrtare nga policia e kryeqytetit. Sipas policisë, arrestimi i këtij personi është bërë pasi me makinën e tij “Wolskswagen”, me targa TR 3780 H, në rrugën “Ferit Xhajko”, pranë ish-restorant “Durrësit”, si pasojë e humbjes së kontrollit ndaj automjetit, është përplasur me dy kosha plehrash, e më pas ka kaluar në trotuarin e krahut tjetër të rrugës, duke aksidentuar dy këmbësorët, njëri prej të cilëve gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Policia ishte lajmëruar për ngjarjen nga dëshmitarë të rastit dhe menjëherë ishte vënë në kërkim të autorit të aksidentit. Pas hetimeve paraprake mbi ngjarjen, duke kryer veprimet hetimore në vendin e aksidentit, policia tha se ia kaloi Prokurorisë materialet hetimore me dy akuza ndaj drejtuesit të mjetit. “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtimi i automjetit në gjendje të dehur”, janë veprat penale për të cilat akuzohet autori i aksidentit të rëndë që i mori jetën fëmijës 5-vjeçar. tr.so