E Diel, 1 Nëntor 2026

Instituti Italian i Kulturës, mbrëmje pianistike në TKOB me maestron Bruno Canino

Këtë fundjavë, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në kryeqytet, Instituti Italian i Kulturës do të organizojë një koncert për piano me të ftuarin e tij, maestron Bruno Canino.
Më konkretisht, shfaqja do të jepet ditën e diel, më 16 mars, në orën 19.00. Maestro Bruno Canino, aktualisht është drejtor i Degës së Muzikës së Bienales së Venezia-s. Ai kryen një aktivitet të ngjeshur si solist duke luajtur në salla të ndryshme koncertesh private e publike në mbarë globin. Prej mëse 40 vitesh, Canino luan në duet pianistik me Antonio Ballistan, kurse prej 30 vitesh ai është pjesë e “Trio di Milano”. Përveç kujdesit të madh ndaj muzikës bashkëkohore, duke bashkëpunuar midis të tjerave edhe me Pierre Boulez, Luciano Berio, Karl-Heinz Stockhausen, Bruno Madrina, Luigi Nono, maestro Canino i është përkushtuar me shumë pasion formimit të muzikantëve të rinj, duke dhënë mësim pianoje për 24 vjet në Konservatorin e Milanos. Programi i mbrëmjes parashikon hapjen e koncertit me 6 valse në formë rondò nga opera nr.38 “i Clementi”. Për këtë arsye, maestro Canino do të luajë “la Didone abbandonata” të Muzio Clementit, sonatë në re maggiore K.311 i Mozart, për të përfunduar me sonatën në do minore op. 13 K. (“Patetica”) të Beethovenit.

75 vjet për piktorin Sali Shijaku

Dje, në mjediset e studios së piktorit të shquar Sali Shijaku, Galeria Kombëtare e Arteve ka organizuar një ceremoni me rastin e 75-vjetorit të lindjes së artistit. Në studion e piktorit ishin të pranishëm miq, studiues, artistë e piktorë. Me një kontribut të madh në fushën e arteve figurative, për piktorin Sali Shijaku është e tepërt të bëhen biografi apo të thuhen fjalë të pamatura mirë. Me këtë rast po citojmë një kujtim të publicistit Skifter Këlliçi: “...kur ishim të vegjël, Saliu, pakëz më i madh se ne, na mahniste me skicat që bënte, sidomos ato që i pikturonte drejt e nga copëzat e filmave kaubojs, që na binin në dorë, filma që ne i shihnim te ‘Rozafati’ i famshëm. Saliu qeshte kur i kujtoja ato vite të fëmijërisë sonë të largët...”. Sali Shijaku ka një kontribut të gjerë edhe në fushën e pedagogjisë, duke përgatitur dhe zbuluar talente të reja në pikturë.

13 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›