E Shtunë, 31 Tetor 2026

“No country for old men” vjen në kinema “Millenium II” në Tiranë

Filmi numëron 79 çmime dhe 29 nominime në festivale prestigjoze në botë. Interpretojnë aktorët Javier Bardem, Tommy Lee Jones dhe Josh Brolin
Sikur të mos mjaftonte rivaliteti në shumë konkurrime dinjitoze të kinematografisë, “No country for old men” ndjek filmin “Atonement” edhe në Tiranë. Pas përfundimit të projeksioneve të këtij të fundit, uesterni modern i vëllezërve Coen,, me interpretimin e aktorëve të njohur Javier Bardem, Tommy Lee Jones dhe Josh Brolin, do të ketë premierën e tij shqiptare në kinema “Millenium II” në kryeqytet. Rival i fortë në Golden Globe, Bafta dhe Oskar, arriti të lërë pas historinë angleze të dashurisë vetëm në statujat e arta, katër nga të cilat i rrëmbeu për kategoritë më kryesore në mbrëmjen e 24 shkurtit në Kodak Theatre. Përveç tyre, “No country…” numëron edhe 79 çmime të tjera në konkurrime dhe festivale prestigjoze si dhe 29 nominime. Filmi ka marrë bekimin unanim të kritikës, ashtu sikundër rivali i tij “Atonement” ka marrë bekimin po aq unanim të publikut. Ky rivalitet duket se do të vazhdojë edhe në kryeqytetin tonë pasi filmat do të shfaqen njëri pas tjetrit në Tiranë. Megjithatë, “No country..” ka një të përbashkët me “Atonement”; edhe ai është një përshtatje nga letërsia. Më konkretisht, subjekti i filmit bazohet mbi librin me të njëjtin titull të Comas Mçarthy. Të dy këto prodhime të suksesshme hyjnë ndër dhjetë filmat më të mirë të vitit dhe i rekomandohen publikut për të mos i humbur në sallat e kinemave.

13 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›