E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Derbi i 23 janarit, finalja e titullit"

Dështimi në dy ndeshjet e fundit, ku la pesë pikë, u dha mundësinë të afrohen dy rivalëve më të afërt, Besës e Tiranës. Bardheblutë, në dy përballjet e fundit, morën 6 pikë të plota. Pavarësisht se diferenca me pikë kundrejt vendit të parë mbetet e madhe, "shkarja" e Dinamos, rihapi garën dhe kjo ka risjellë buzëqeshjen e trajnerit bardheblu, Alban Tafaj, që tani duhet të mendojë për sfidën e parë me rifillimin e kampionatit, pikërisht në derbin me dinamovitët, që do të luhet më 23 janar në "Qemal Stafa". Afro një muaj kohë për teknikun që të mendojë seriozisht të bëjë kthesën e shumëpritur nga bardheblutë, në një ndeshje që përcakton realisht fatet e sezonit. Një fitore e bluve bën që Tirana të fokusohet në Kupë, në të kundërt, gjithçka e hapur dhe kampionati bëhet interesant deri në fund.
Tekniku Alban Tafaj ka theksuar pas fitores me Kastriotin se skuadra e tij po bën lojë dhe po merr rezultatet e duhura. Tafaj e kishte shprehur shpesh javët e fundit këtë, por nuk e kishin vlerësuar sa duhet. Por fakti që mori 6 pikë në dy përballje tepër të vështira dhe pozicionimi komod në klasifikim, si dhe rrëzimi i papritur i Dinamos nga deliri i saj, bënë që të gjithë të kthejnë kokën nga fjalët e trajnerit bardheblu, i cili, edhe atëherë kur skuadra ishte 18 pikë larg Dinamos, thoshte se gara është e hapur deri në fund. "Kemi bërë përparime të ndjeshme. Unë e njoh këtë skuadër, kam besim te grupi dhe shoh që po rritemi. Jemi në garë plotësisht dhe këto fitore do të na sjellin entuziazëm për të përballuar me sukses garën. Titulli është i hapur, pasi kampionati ka ende shumë javë deri në fund", thoshte tekniku bardheblu pak minuta para se të niste takimi me Kastriotin. Optimizmi i Tafajt bazohej te forca e grupit, kualiteti dhe te qëndrueshmëria në lojë e rezultate.
Është e qartë tashmë se 12 pikët diferencë që ka Dinamo kryesuese ndaj Tiranës janë shumë, por trajneri Tafaj dhe lojtarët e tij nuk dorëzohen. Futbollistët e kishin shprehur dhe më parë se nuk e kanë humbur shpresën, pavarësisht se Tirana ishte vetëm matematikisht në lojë. Por Dinamo lë pesë pikë në katër ditë dhe pushimet e Vitit të Ri sjellin skuadrat pretendente në pozita rivaliteti. Tirana ka më shumë arsye të besojë se gara për titull është e hapur. Ka ekip më të kompletuar, me kualitete dhe që bën diferencë. Për më tepër, është një shans real për të kthyer garën në favor të saj, që me rinisjen e kampionatit. Më 23 janar bardheblutë luajnë derbin me Dinamon. Trajneri nënvizoi dje se "tani ndihemi më komodë në klasifikim. Pra humbja e pesë e pikëve të Dinamos ka hapur garën. Mendoj se derbi i 23 janarit do të jetë finalja e titullit. Nëse fiton Dinamo, merr fund ëndrra jonë për titull, nëse fiton Tirana, hapet plotësisht gara". Pasi është mbyllur me surpriza java e 17, tashmë tekniku ka marrë vëmendjen e të gjithëve. Është e qartë se ai projekton surprizën e 2010-ës, pasi më 23 janar luhet finalja e parakohshme e titullit të këtij sezoni. Nëse fiton Dinamo, kampionati merr fund, në të kundërt Tafaj kalon parashikimet me Tiranën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›