Felbs: "Mendja është organi më i fuqishëm që kemi"
Historia dhe momentet që e ndryshojnë atë janë të çuditshme. Në vitin 1997, një djalë i ndrojtur nga një familje punëtorësh në Baltimora, Maryland, mori mesazhin se "nuk do të arrinte të bënte kurrë asgjë me vlerë në jetën e tij". Në fakt ky ishte shënimi që një psikologe shkolle hodhi në kartelën e djaloshit të varfër. Ishte një psikologe e stresuar, e lodhur dhe e keqpaguar, sigurisht që më shumë se sa i ndihmonte, i shqetësonte nxënësit. Por Majkëll Felbs doli krejt ndryshe nga ky parashikim ogurzi. "Unë ende e mbaj mend se si u ndjeva kur pashë atë shënim në dosjen time. Sapo kisha nisur të stërvitesha për notin në mënyrë serioze dhe komente të tilla më dogjën shpirtin dhe më shkaktuan një dhimbje të madhe brenda vetes. Gjithmonë isha ndjerë si një i huaj në shkollë, për shkak të një sëmundjeje që kam pasur dhe jam përpjekur gjithmonë që të bëja të më pranonin në shoqëri dhe të më merrnin seriozisht. Pas një hopi e mora veten dhe i premtova Majkëllit që ishte brenda meje: të tjerët le të mendojnë çfarë të duan për ty, por ti do të tregosh që e kanë pasur gabim", thotë Felbs, fenomeni i notit në një intervistë të fundvitit. Në fakt për të, që nga ajo ditë, nisi beteja e vështirë, por e bukur e realizimit të një ëndrre të madhe, jo vetëm për të përgënjeshtruar psikologen e shkollës, por mbi të gjitha për t‘i treguar vetes se ai vlente me të vërtetë. Për Felbs nisi një rrugë e mbushur me sakrifica në arritjen e së pamundurës. Rutina e tij e përditshme ishte shumë e vështirë dhe e rëndë dhe i duhej vazhdimisht e pa pushim të stërvitej deri në vetëmundim. Ai nuk donte thjesht të fitonte, por donte të vendoste një standard të ri. Kur para Lojërave Olimpike të Pekinit, në një intervistë Felbs deklaroi se qëllimi i tij ishte që të kthehej nga Kina me 8 medalje të arta, atëherë Ian Thorpe, legjenda australiane e notit, deklaroi se amerikani nuk kishte asnjë shans që të arrinte objektivin e tij. Ndërsa Felbs, duke mos bërë asnjë koment në lidhje me këtë deklaratë, vazhdoi të punonte pa u lodhur dhe pa i devijuar objektivit. "Kur njerëzit dyshojnë për mua, kjo më bën më të fortë dhe më këmbëngulës për t‘ua vërtetuar se e kanë gabim. Motorin tim shpesh e furnizon dhe e bën të punojë maksimalisht negativiteti, mosbesimi, sharjet. Unë dua që të tregoj se mund të arrij gjëra që janë të pamundura për të tjerët, që janë objektiva të paarritshëm. Për herë të parë ishte psikologja që më bëri të ndihesha fillimisht keq, por më pas të motivuar për të luftuar, ndërsa tani unë lundroj në internet për të parë nëse ka ndonjë ende që nuk beson në fuqinë time, apo që vë në dyshim aftësitë e mia. Nëse ka të tillë, unë thjesht vihem në punë për t‘i bërë të kuptojnë se e kanë pasur gabim", thotë Felbs. "Sa më negativë të jenë njerëzit dhe vlerësimet e tyre për mua, aq më i vendosur bëhem unë. Dhe a e dini se çfarë? Nëse kam ndonjë ambicie në mendjen time, e çfarëdo lloji qoftë ajo, asgjë nuk më ndalon për ta arritur".
Kur e dëgjon Felbsin e pamposhtur të flasë kështu, të duket gati si një person me probleme. Natyra e ambicies së tij është shumë e madhe, por më pas e kupton se ke të bësh me një gjeni, me një gjigant dhe se kjo është pjesë e karakterit dhe tërësisë së tij të jashtëzakonshme.
Felbsi ka lindur në Lake Pint, në zonën e Baltimores, në vitin 1985. Prindërit e tij u divorcuan disa vjet më pas dhe e ëma, të cilën notari e quan "një grua e jashtëzakonshme dhe e mrekullueshme, e mençur, e fortë dhe jashtëzakonisht punëtore", riti djalin dhe dy vajzat e saj thuajse fare e vetme dhe pa ndihmë. Por që në fillim ishte shumë e qartë se Felbsi kishte një problem të madh, atë të të përqendruarit në gjëra të ndryshme. Ai nuk arrinte që të përqendrohej më shumë se disa çaste në çfarëdo lloj gjëje. "Si djalë i vogël mbaj mend se nuk mund të qëndroja dot në të njëjtin vend për më shumë se pesë minuta. Duhet të ketë qenë shumë e mundimshme për mamanë time, por ja që i tillë kam qenë. Gjithmonë në lëvizje. Më pëlqente që të mbaja lapsa me ngjyra nëpër duar dhe t‘i vërtisja gjatë gjithë kohës nëpër duar. Nuk pushoja së foluri dhe pyesja pa reshtur për çdo gjë përreth dhe nuk e mbyllja gojën derisa të merrja përgjigjen e duhur".
Për këtë arsye, ai më pas pati probleme për t‘u pranuar dhe shoqërizuar me shokët e shkollës dhe vlerësohej jo pozitivisht nga mësueset. Felbsin e përshkruanin si mjaft të avancuar në problemin e tij të mungesës së përqendrimit dhe për këtë, ai pinte tre herë në ditë disa ilaçe. "Ajo çka zbulova sapo nisa që të merresha me notin, është se për mua pishina ishte vendi ku ndihesha më mirë në botë dhe një shpëtim i vërtetë për të gjitha problemet që kisha. Ajo ishte i vetmi vend ku unë mund të përqendrohesha. Unë kam qenë shumë i shpejtë që në fillim dhe i fuqishëm për të përballuar ngarkesën e madhe. Në njëfarë mënyre, pishina ngadalësonte mendjen time që rendte shumë shpejt dhe se për herë të parë ndihesha në kontroll të plotë të gjithçkaje. Po a është ambicia e tij e madhe pasojë e sjelljes që i kanë bërë mësueset dhe nxënësit në shkollë?" Po, besoj se po. Nëse të gjithë dyshojnë tek ty, të quajnë të paaftë, atëherë mundësitë e sjelljes janë dy: ose ti do t‘i nënshtrohesh gjykimit të të tjerëve dhe do të mendosh se vërtet nuk vlen për asgjë, ose do të vësh bast me veten dhe të tjerët që ata e kanë gabim kur mendojnë për ty në këtë mënyrë. Edhe kur përqafoja mamanë time, mendja më punonte tek ambicia. Kjo ndodhi edhe kur mora medaljen e tetë të artë në Pekin. Mendoja se çfarë do të ishte duke menduar në ato çaste psikologja, për të cilën isha një dështak", thotë Felbs.
Fitoja e Pekinit e shndërroi përfundimisht Felbs në një hero, në një supernjeri, duke ia transformuar plotësisht profilin. Pati ftesa të njëpasnjëshme nëpër televizione, gazeta, emisione e veprimtari të ndryshme. U bë shumë i afërt me sponsorë të ndryshëm për reklamimin e produkteve të tyre dhe, më në fund, ndryshe nga sa ishte ndjerë në fëmijëri, u ndje në qendër të vëmendjes. Sot, objektivi i ardhshëm është Olimpiada e vitit 2012 dhe një tjetër sfidë në karrierën e tij. Ai synon sërish të arrijë një rekord në 100-metërshin. "Do të jap një Felbs të jashtëzakonshëm në Olimpiadë, keni për ta parë", thotë kampioni. Kur e pyesin se cila është shifra që ai do të kapë, Felbs hesht dhe thotë vetë dy fjalë: "Do ta shihni". Më pas shton. "Njerëzit mendojnë se kam një talent të jashtëzakonshëm për të notuar shpejt, por unë mendoj se arritja ime nuk ka të bëjë fare me talentin, por me faktin se zgjedh të besoj për diçka dhe për arritjen e saj jam i vendosur deri në fund. Besimi dhe këmbëngulja janë kyçi i suksesit dhe i realizimit të ëndrrave. Mendja është më e fuqishme se çdo gjë tjetër".