E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulimi i talenteve, në janar grumbullime në Greqi e Itali

Grumbullimi treditor i realizuar në Athinë nga trajnerët e U-17, Ardian Mema dhe U-15, Sulejman Demollari ka rezultuar një formulë e suksesshme. Vëzhgimi i talenteve shqiptare në vendin ku ata jetojnë, regjistroi një numër të madh pjesëmarrësish dhe pas provës së parë, tashmë duket se drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit janë bindur për efikasitetin e kësaj metode. Kjo do të bëjë që numri i kandidatëve për një fanellë kuqezi në përfaqësueset e moshave të jetë i konsiderueshëm. Institucioni që drejton sportin më popullor në vend bëri të ditur se po organizon grumbullime të ngjashme edhe gjatë janarit. Drejt Greqisë do të udhëtojnë trajnerët Ramadan Shehu i U-19 dhe Artan Bushati i U-21, të cilët do të vëzhgojnë dhe përzgjedhin lojtarët që janë kandidatë potencialë për Kombëtaren "A". "FSHF po organizon një grumbullim të ngjashëm në Athinë me lojtarët e datëlindjeve 1990, 1991, 1992 dhe 1993, të cilët do të jenë kandidatë për ekipet Kombëtare U-21 dhe U-19. Edhe në këtë rast, vëzhgimi do të bëhet gjatë tri ditëve të stërvitjes dhe ndeshjes, nga data 18 deri më 20 janar 2010", theksuan burime zyrtare.
Ndryshe nga grumbullimet që zhvilloheshin më parë në Shqipëri, kjo mënyrë pune vlerësohet si mjaft pozitive, sepse lojtarët e akademive të klubeve të rëndësishme e kanë më të thjeshtë që të sigurojnë leje për t‘u testuar. Vëzhgime të ngjashme do të organizohen edhe në disa shtete të tjera të Europës, ku jetojnë dhe punojnë shumë familje me emigrantë nga vendi ynë. Kjo do të realizohet gjatë muajve të parë të vitit 2010, duke filluar nga Italia. "Grumbullimi i parë në Itali, i cili do të zhvillohet më 18 dhe 19 janar 2010, do t‘i përkasë datëlindjeve 1994 dhe 1995, pra kandidatëve për përfaqësueset U-15 dhe U-17", theksoi federata. "Kemi vendosur që grumbullimet e zakonshme të janarit t‘i zhvillojmë në vendet ku këta lojtarë aktivizohen, në mënyrë që të jemi sa më pranë tyre. Kjo zgjedhje ka rezultuar e suksesshme që në aplikimin e parë të saj, pasi në grumbullimin e zhvilluar në Greqi janë paraqitur një numër i konsiderueshëm lojtarësh. Trajnerët e Kombëtareve U-17 dhe U-15, Mema dhe Demollari kanë ndjekur nga afër lojtarët që janë paraqitur në grumbullime. Ndërkohë, në ditën e tretë të këtij grumbullimi, janë zhvilluar dy ndeshje miqësore me skuadrën greke të Atromitos, ku të gjithë pjesëmarrësit kanë treguar kualitetin e tyre në kushte reale loje". Përveç Greqisë dhe Italisë, alternativa të tjera për grumbullime janë edhe Gjermania dhe Zvicra.

e. kodheli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›