Sigourney Weaver: Ja përse "Avatar" do të ndryshojë kinemanë
Një nga gjërat e para që njerëzit mendojnë kur dëgjojnë emrin e Sigourney Weaver është, veç të tjerash, gjatësia e shtatit të saj. Sigurisht që është edhe një grua shumë e zgjuar dhe inteligjente, praktike dhe elegante. Më pas vjen edhe historia e emrit të saj. Ajo është pagëzuar si Suzan, por kur ishte 14 vjeçe vendosi që një emër i tillë nuk i shkonte për shtat një personi që ishte shumë, po shumë i gjatë si ajo. Ndaj nisi të kërkonte një emër që t‘i shkonte me gjatësinë dhe më në fund, pas shumë kërkimesh, vendosi që emri më i përshtatshëm ishte Sigourney. Këtë "peshkim" ajo e bëri te libri i famshëm "Gatzbi i madh". Personazhi që mbante këtë emër në këtë libër ishte e gjatë e me forma joshëse trupore dhe në njëfarë mënyre e ngjashme me të. Në fakt, kur e takon Sigourney-n përballë, edhe pse e di se do të kesh të bësh me një femër me shtat të lartë, mund të habitesh se sa e gjatë është në të vërtetë ajo. Aktorja e di fort mirë reagimin që kanë të tjerët ndaj pamjes së saj të jashtme. Është mësuar tashmë dhe nuk i bën më përshtypje kur bashkëbiseduesve u shpëton ndonjë pasthirrmë habie. Por gjëja që të bën më shumë përshtypje kur takon një grua si ajo, nuk është lartësia në vetvete, por qetësia që të përcjell dhe krenaria që i shkon aq shumë për shtat. Edhe pse është mjaft e gjatë, preferon takat e larta që e lartësojnë edhe më shumë. Me këtë të lëshon një sfidë dhe sikur kërkon të të thotë: "Nëse keni probleme me gjatësinë tuaj, atëherë problemin kërkojeni te vetja". Kur e pyesin se si ka ndikuar gjatësia në karrierën e saj, ajo thotë: "Ka qenë një nga gjërat më të rëndësishme të miat dhe më ka bërë që të punoj me regjisorët më të mëdhenj. Kam pasur mundësi dhe raste të jashtëzakonshme të mos luaj role tipike, por të veçanta dhe karakteriale. Dhe ky është fat, apo jo, që në fund të fundit pjesërisht më ka ardhur edhe falë gjatësisë". Për shkak të gjatësisë nuk ka luajtur role shumë romantike. Kryesisht kanë qenë role të grave të mençura, që nuk kanë kohë të krijojnë lidhje dashurie. Ndër regjisorët e famshëm me të cilët ka punuar është i madh Ridley Scott, me të cilin kanë xhiruar filmin "Alien" dhe "Viti në të cilin jetova në mënyrë të rrezikshme" si dhe Ang Lee në filmin "Stuhia e akullt". Një tjetër regjisor është edhe shumë i famshmi dhe i suksesshmi James Cameron, me të cilin sapo ka përfunduar "Avatar". Për të dy ky nuk ka qenë bashkëpunimi i parë. 20 vjet të shkuara Sigourney ka luajtur një rol kryesor në një tjetër film të tij. Edhe tek "Avatar" ajo luan një rol të rëndësishëm dhe karakterial, atë të shkencëtares së quajtur Grace, e cila është e përfshirë në një projekt të eksplorimit njerëzor në një planet të largët të quajtur Pandora. Në fillim të filmit ajo është armiqësore ndaj një ish-marinsi amerikan, të cilin nuk e pëlqen në shikim të parë. Më pas merret me transformimin e tij nga njeri në një avatar, ose një qenie hibride e krijuar nga përzierja gjenetike me materialin e tij gjenetik dhe materialin gjenetik të specieve humanoide që jetojnë në planetin e largët. Në këto skena, Sigourney është eksperte e vërtetë. Di të interpretojë në perfeksion, sepse tashmë e ka bërë shumë shpesh, rolin e shkencëtares të paepur që është mjaft kurioze dhe guxon që të eksperimentojë me të panjohurën. Ajo ka fytyrën tipike të një gruaje inteligjente, të mençur, të saktë. Është e njëjta fytyrë që u shfaq për herë të parë në vitin 1979 në filmin "Alien". Pikërisht roli në këtë film e nxori nga errësira e anonimatit të një aktoreje që nuk kishte rënë në sy në dritën e famës dhe suksesit. Ironia e fatit është se rolet në "Alien" dhe në "Avatar" kanë shumë të përbashkëta mes tyre; duket sikur njëri i paraprin tjetrit dhe Grace është në fakt pasardhësja e personazhit në filmin "Alien". James Cameron është përpjekur gjithsesi që të shmangë paralelizmat mes këtyre filmave, veçanërisht mes "Avatar" dhe serisë së dytë të "Alien", asaj që doli në vitin 1986. Fillimisht regjisori nuk kishte pasur parasysh Sigourney-n për rolin e Grace, por më pas ndryshoi mendje dhe thirri aktoren e famshme që të jepte më të mirën e saj në një rol që e njihte në majë të gishtave. Dëshira për të shmangur ngjashmërinë mes dy personazheve është tërësisht e kuptueshme, veçanërisht për aktoren, e cila i ka mbajtur personazhet e saj mbi "shinë" për dhjetëvjeçarë të tërë. Për sa u përket filmave "Alien" ata ishin revolucionarizues, veçanërisht për sa i përket rolit të femrës në botën e shkencës. Deri në atë kohë femrat luanin vetëm rolet e viktimave, apo të bukurosheve pa tru. Por ja më në fund një femër luan rolin e një shkencëtareje të mprehtë dhe kurajoze. Edhe për Hollivudin ky ishte fillimi i një epoke të re. Sigourney u hapi kështu rrugën e roleve të rëndësishme për femra, që e shndërruan atë në personazh kryesor dhe jo në një viktimë dytësore, siç ishte deri në atë kohë. Ajo ka pasur gjithmonë ide për rolin e femrave në ekranin e madh dhe shumë prej tyre i janë dëgjuar nga regjisorët. Për të filmi "Alien" ishte i pari i rëndësishëm në të cilin mori pjesë dhe ndoshta filmi që i bëri të ndryshonte mendje në lidhje me vetë kinematografinë. Fillimisht dëshira dhe aspirata e saj e madhe nuk ka qenë ekrani i madh, por teatri. Ajo donte që të ndiqte shembullin e së ëmës, një aktore teatri dhe ambicia e saj e madhe ishte që të bëhej pjesë e teatrit të Minesotës. Kur Ridley Scott e vuri re nga skena e Brodueit dhe e nxori para kamerës, ajo vendosi që ta provonte për pak kohë aventurën kinematografike, sepse me këtë rast do të kishte mundësinë që të përfitonte edhe ndonjë para. Por me kalimin e kohës ra në dashuri me kinemanë dhe me ndihmën e agjentit të saj, i cili kishte lidhjet e duhura, ajo u prezantua me njerëzit më me influencë të Hollivudit. Paratë sigurisht që ishin një anë tjetër e kinemasë që nuk ka se si të mos të joshin. Vetëm për serinë e parë të filmit "Alien" ajo mori 300 mijë dollarë, ndërsa për serinë e dytë, kur tashmë ishte bërë shumë e famshme, u pagua 11 milionë dollarë. Sot ajo është plot 60 vjeçe dhe e ka për nder e kënaqësi që bashkëpunoi sërish me të madhin Cameron në një film epope që do të ndryshojë historinë e deritanishme të kinemasë. "Unë dhe Cameron jemi si një çift i martuar prej shumë kohësh. E njohim aq mirë njëri-tjetrin, nevojat dhe dëshirat, saqë mund të komunikojmë pa e hapur gojën. Unë jam perfeksioniste dhe më pëlqen shumë të punoj me një njeri perfeksionist si Cameron. Veç të tjerash me të është shumë kollaj të bashkëpunosh, sepse Cameron është një regjisor që di të komunikojë dhe të të kumtojë atë që ka dëshirë të të shprehë. Ai e ndjek punën në të gjitha detajet e saj dhe një film i Cameron dihet se është kuruar me kujdes prej tij në çdo hollësi", thotë Sigourney. "Avatar" është filmi i parë që regjisori i famshëm ka prodhuar që pas "Titanikut", një tjetër film që doli në vitin 1997 dhe që bëri histori në kinema dhe që deri më tani cilësohet jo vetëm si filmi më i kushtueshëm i të gjitha kohërave, por edhe si filmi që u ka sjellë realizuesve fitimet më të mëdha. "Avatar" ka kushtuar plot 300 milionë dollarë dhe çdo fragmenti të këtij filmi i është dashur 100 orë përpunimi kompjuterik. Cameron ka shpikur një lloj kamere, që është një teknologji krejtësisht e re, e cila fokuson sytë e aktorëve, duke nxjerrë në pah edhe emocionet e brendshme përmes dritës së tyre. Vetë regjisori i madh e quan këtë teknologjia e emocioneve. Rezultati është me të vërtetë i magjishëm. Në këtë film bëhet një udhëtim në një botë krejt të ndryshme nga ajo me të cilën jemi mësuar deri më tani. Ndeshemi me male të ujshëm, yje deti të kuq, qenie gjysmë humane, gjysmë qiellore, me lëkurë ngjyrë blu, por me sy shumë shprehës. Vetë aktorja ka dy shfaqje. Pjesërisht ajo është Grace, në formën e saj njerëzore dhe pjesërisht është avatarja Grace, e cila është krijuar përmes përdorimit të manipulimit dixhital të pamjeve. Në të vërtetë avatar i Grace është krijuar 20 vjet para fillimit të filmit, ndaj ajo që shohim në ekran është një imazh disi i shformuar i Sigourney-t, që të jep përshtypjen e versionit më të ri të saj. "Avatar" ka fituar shumë pikë nga ana e publikut për sa i përket teknologjisë së përdorur, por a është interesant si film? "Ai jo vetëm që të çon në një botë tjetër, por edhe në një realitet tjetër dhe t‘i ndihesh sikur dikush të ka shkundur e të ka përmendur duke të hapur sytë e duke të nxjerrë në pah gjëra të cilat më parë nuk i ke ditur. Unë nuk jam një person shumë emocional, por në fund të filmit kam qarë. Më kujtohet edhe hera e parë kur kam lexuar skenarin. Me të mbaruar ndjeva një kënaqësi brenda vetes, por njëherazi më lindi pyetja dhe thashë se si do të mund të realizoheshin gjithë skenat që përshkruheshin në skenar, sepse ishin gjëra të pandodhura më parë. Kur pashë për herë të parë filmin e plotë e kuptova se realiteti ia kishte kaluar fantazisë. Mendoj se një film i tillë do të ndryshojë historinë e kinemasë, të realizimit të filmave. Ai është një film i madh në të gjitha drejtimet". Sipas aktores, një nga pikat e forta të filmit është edhe mesazhi që jepet për mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e natyrës dhe asaj që na rrethon. Vetë Sigourney është një ambientaliste dhe merr pjesë shpesh në veprimtaritë që janë në mbrojtje të natyrës. Veçanërisht ajo është shumë e pasionuar pas botës detare, nënujore. Kur flet për këtë pjesë të botës përfshihet nga pasioni dhe shqetësimi njëherazi, për faktin se jo të gjithë janë të ndërgjegjshëm se sa të lidhur jemi ne si njerëz me natyrën dhe se fati i saj është pazgjidhshmërisht i lidhur me fatin tonë. Në film Toka jonë ndodhet në një situatë shumë të keqe ekologjike dhe humanët kanë fluturuar në një planet tjetër me emrin Pandora për të shfrytëzuar pasuritë e tij natyrore. Kjo vajtje i takon humanët me banorët indigjenë të planetit dhe pikërisht këtu fillon edhe drama e filmit. Edhe pse vetë Cameron është përpjekur në të gjitha mënyrat që të përjashtojë çdo lloj ngjashmërie mes filmit "Alien" dhe "Avatar" ka një pikë të përbashkët për të dyja veprat. Në filmin "Alien", "djemtë e këqij" të filmit janë bosët e një firme shumë lakmitare në Tokë, që kërkojnë minerale në hapësirë dhe që kërkojnë të shfrytëzojnë potencialet gjenetike të alienëve. Ndërsa në filmin "Avatar", "djemtë e këqij" janë bosët e një korporate në Tokë, që shfrytëzojnë burimet nëntokësore të Pandorës për qëllime përfitimi.