E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një evokim për Teftën, familjen dhe jetën

Krishtlindjet i ka kaluar i vetëm në Shqipëri. Por për natën e ndërrimit të viteve do të fluturojë drejt familjes në Angli. Është koha kur familja Koço të mblidhet së bashku. Dirigjenti Eno Koço vjen me rastin e festave si në një "rrëfim muzikor". Ai tregon për muzikën, pasionin për të shkruar e mbi të gjitha shpjegon arsyen se përse 2010-a do të jetë një vit i veçantë për të. Ky vit i ri shënon edhe 100-vjetorin e lindjes së sopranos Tefta Tashko Koço, nënës së tij. E ai, biri i përmalluar, do ta kujtojë me një evokim (siç e quante Mitrush Kuteli) një botim të cilin Eno Koço e ka titulluar "Familja dhe jeta"

Krishtlindjet i kaloi i vetëm. Në Tiranë. E megjithatë nuk u trishtua edhe aq. E quan një festë të bukur, edhe pse për Eno Koçon mbetet e re për thelbin dhe ndërgjegjen e tij. Ndoshta sepse deri para disa viteve nuk festoheshin e për këtë arsye, si te shumë shqiptarë, ajo nuk është një festë e mishëruar tek ai. Viti i Ri, ai po që është i rëndësishëm. Festa e ndërrimit të viteve është mbrëmja që mbledh gjithë familjen Koço së bashku: djali, vajza, bashkëshortja dhe ai, dirigjenti Eno Koço. Një nga arsyet që do ta largojë nga Shqipëria për pak ditë është pikërisht kjo. Në Liz, qytezë pranë Londrës, e presin të gjithë. Kanë kaluar 20 vjet qysh kur jetën e ka ndarë mes Shqipërisë e Anglisë. Por koncertet, muzika, malli e sjellin gjithmonë në vendin e origjinës, ashtu sikundër e çon ngaherë larg, si çdo artist, për të cilin arti nuk njeh kufij. Projektet për koncerte nuk rreshtin, edhe pse tani thotë se tempi i punës ka rënë paksa duke e justifikuar "me moshën". Për muajin janar, në Angli, ka disa koncerte të parashikuara. Marsi do ta kthejë sërish në Shqipëri. Me vitet i është përforcuar edhe një pasion i vjetër, të shkruarit. I pëlqen mjaft. Thotë se tani, energjitë kryesore janë fokusuar aty. Kujton se më tepër është një lloj edukate që i është bërë forcë zakoni prej Anglisë. Fillimisht i nevojitej një status, ndaj zgjodhi atë të studentit. Në universitet i kërkuan të mbronte një doktoraturë, në mënyrë që më pas të merrte edhe të drejtën e qëndrimit në atë shtet. E titulloi "Kënga lirike qytetare shqiptare", sepse ishte këngë qytetare, jo folklorike, dhe lirike, sepse e tillë erdhi ajo sidomos në gojën e këngëtarëve të viteve ‘30, përfshi këtu edhe prindërit e Enos, sopranon Tefta Tashko Koço dhe baritonin Kristo Koço.

Në njëfarë mënyre, kjo e bëri disi të detyrueshme punën e të shkruarit. "Pas asaj vazhdova të shkruaja artikuj të tjerë" dhe ndal një çast për të theksuar se tematika ka qenë 100 për qind shqiptare. Shkrimet i kushtohen muzikës qytetare, folklorike shqiptare. E ndoshta do të çuditeshim sikur të ndodhte ndryshe. Eno Koço, as sot që është bërë prind e gjysh, që ka një personalitet të afirmuar, në jetën kulturore e artistike jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj, nuk mundet t‘i shpëtojë dot figurës së prindërve të tij. Këngëtarë të dy. Sidomos e ëma, sopranoja Tefta Tashko Koço, hija e saj, e ndjek pas ngado, për ta mbrojtur sigurisht, ashtu siç ka bërë edhe kur ndërroi jetë dhe e la të mitur, vetëm katër vjeç, por edhe për t‘i dhënë forcë për të ecur përpara kur u rrit e mori rrugën e tij. Edhe pse të dy prindërit e Enos ndërruan jetë shumë herët (babai kur Enoja ishte vetëm 6 vjeç), ai është rritur me zërin e tyre. Imazhin e portreteve nuk e ka të qartë, por thellësisht të ngulitur ka muzikën që ata interpretonin. Zëri i nënës i jepte kënaqësi. E pëlqen shumë. "Unë nuk mund të them që jam rritur me famën e nënës sime, kjo është relative. Sigurisht, edhe sikur të mos ishte e famshme dhe e njohur, unë do ta doja shumë, megjithatë them se mungesa të bën ta duash edhe më shumë. Ajo më ka dhënë forcë. Çuditërisht kam dashur edhe ta imitoj. Pastaj erdhi një kohë, që prindërit i zëvendësova në njëfarë mënyre me bashkëmoshatarët e kolegët e tyre, jo vetëm në fushën e muzikës, por edhe në fusha të tjera", thotë dirigjenti Eno Koço. Ishin ata që në një kuptim i mbushnin boshllëkun e lënë pas prej njerëzve të dashur. Kujtime, detaje nga jeta në skenë, por edhe ajo personale, dëshmi miqsh e dashamirësish, që nuk e lanë Enon të vetëm, në një kuptim. Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, por edhe shumë personalitete të njohura ose jo, vazhdimisht i flisnin për prindërit. Mes emocionesh, duke mos dashur t‘i shpëtonte asgjë, ai mbante vazhdimisht shënime. I kujtohet se si Mitrush Kuteli i thoshte shpesh se "donte të bënte një evokim" për prindërit e tij. "Ishin pikërisht ata që më fusnin vazhdimisht në botën e asaj kohe, duke më rrëfyer histori nga më të ndryshmet dhe unë krijoja pak a shumë imazhin e portretit të tyre", kujton Eno.

Hesht për pak, duket sikur mendohet nëse është gati të thotë diçka apo jo. Kupton se aty për aty ka vendosur dhe do të tregojë diçka më shumë. 2010-a, ky vit i ri me të cilin shumë pak ditë na ndajnë, do të jetë i veçantë për Enon. Është një vit jubilar për Tefta Tashko Koçon, që shënon 100-vjetorin e lindjes së sopranos së madhe shqiptare. Eno, prej disa kohësh, është ulur të shkruajë kujtimet e tij në lidhje me prindërit, familjen dhe jetën. Ka vendosur të botojë një vëllim të plotë për këto dy figura, do t‘i plotësojë duke folur më shumë edhe për familjet Tashko dhe Koço, prej nga rridhnin artistët. Nuk do të mungojnë as dokumentet arkivore, të cilat, për herë të parë, do të plotësojnë jetën në Egjipt të sopranos, thuajse e panjohur dhe familjen e Kristo Koços, e cila pjesërisht ka kaluar më në heshtje. Përjetimet, ndjesitë e Enos, fëmijëria e vështirë e një djaloshi të mbetur jetim, jetesa në shtëpinë e fëmijës, nëpër spitale e më pas në konviktin e Liceut Artistik, studimet në Bashkimin Sovjetik, kthimi në Shqipëri, periudha e diktaturës dhe e jetuara e dyzuar mes hijes së nënës së njohur dhe të vlerësuar dhe hijes së dajës të cilësuar "armik i partisë dhe i popullit" (nga duhej të anonte ai?). Të gjitha këto, por edhe shumë detaje do të bëhen publike kur botimi të jetë gati. E ka vendosur edhe një titull: "Familja dhe jeta". E teksa shkruan kujtimet, me muzikën në sfond, ai ndjen se në këtë kohë, në këtë moshë e përjeton më shumë mungesën e nënës, madje më shumë se sa atëherë kur ishte fëmijë, i vetëm përballë të gjithëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›