Arsimi, më shumë se 7 mijë kompjuterë të rinj
Më shumë se 7 mijë kompjuterë do të instalohen në kabinetet e informatikës në të gjithë vendin. Në kuadër të projektit "Cilësi dhe barazi në arsim", drejtori i Informacionit dhe Statistikave në Ministrinë e Arsimit, Përparim Shera, deklaroi se pajisjet e blera për instalimin e 665 laboratorëve të informatikës në shkollat 9-vjeçare në të gjithë vendin, përbëhen nga 7146 sete kompjuterë. Pjesë e setit janë monitorë të firmës "Acer", 900 printerë "Xerox" dhe aksesorë për rrjetet kompjuterike, të cilat që prej 5 ditësh janë në Tiranë dhe pritet që të instalohen në shkolla duke filluar nga java e ardhshme. I gjithë malli, prodhim i dy firmave lider në këtë fushë, ka kaluar nga pika doganore e Hanit të Hotit në datat 21 deri 27 janar dhe është zhdoganuar në doganën e Tiranës. Ky projekt që dyfishon numrin e kabineteve të informatikës në shkollat e Shqipërisë po realizohet në sajë të një projekti të financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore, Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka e Këshillit të Evropës për Zhvillim. MASH vlerëson se realizimi me sukses i dy projekteve të fundit, në sajë të të cilëve shkollat e të gjithë Shqipërisë, në qytet e në fshat, përfitojnë mbi 6 milionë dollarë teknologji didaktike moderne: kompjuterë "Acer", printerë "Xerox", laptopë "Fujitsu", videoprojektorë "Benq" e aksesorë të tjerë, do të kontribuojë në rritjen e konsiderueshme të mësimdhënies në shkollat tona.